Marija Matovska, Foto: Marija Matovska

Të rinjtë shqiptarë gjithnjë e më shumë duan të largohen nga vendi për një të ardhme më të mirë. Por nëse kanë një ide të mirë biznesi social mund të nisin të ndërtojnë një të ardhme të sigurtë edhe këtu. Se si mund të ndodhë kjo Citizens Channel ka biseduar me Marija Matovskan, nga organizata Mladiinfo International dhe përfaqësuese e Social Impact Award (SIA), një konkurs idesh që vjen këtë vit edhe në Shqipëri.

 Znj. Matovska çfarë është programi Social Impact Award dhe ku përqëndrohet?

Mladiinfo është përgjegjëse për Social Impact Award në Maqedoni, program i cili këtë vit fillon edhe në Shqipëri. SIA ka të bëjë me problematikat sociale, dhe ka si qëllim të ndikojë në shoqëri. Mundohemi të ndihmojmë të rinjtë e shteteve të ndyshme europiane të hapin bizneset e tyre. Çdo shoqëri ka probleme sociale, sfida dhe situata të cilat rinia do t’i ndryshojë, dhe ne mundohemi ta bëjmë ketë dëshirë realitet për rininë e komunitetit lokal. Ndërtojmë një platformë e cila i ndihmon të rinjtë të identifikojnë këto probleme sociale dhe, më pas, duke u bazuar mbi këto probleme të ndërtojnë modele të qëndrueshme biznesesh afatgjatë. Programi SIA u hap në Austri, në vitin 2009, dhe që atëhere ka ardhur duke u rritur.

Dhe cilat janë shtetet ku programi SIA operon momentalisht?

Për vitin 2016, SIA ka operuar në Austri, Bosnja dhe Hercegovinë, Çeki, Greqi, Maqedoni, në Mal të Zi, Rumani, Serbi, Rusi dhe Sllovaki. Këtë vit do të shtrihet në Shqipëri, Kroaci, Kosovë si dhe shtete të tjera interesante: Spanja, Hungaria dhe Zvicra. Një program që nisi si projekt europian, në vitin 2017 gjithashtu do emigrojë në Afrikë dhe në Tunizi.

A vihet re ndryshim tek pjesëmarrja e rinisë në çështjet sociale tek vendet e Ballkanit ku SIA tashmë operon – vënde ku ne e dimë, që në ndryshim me Austrinë apo Zvicrën, rinia nuk është dhe aq aktive?

Pa dyshim. Programi është i kompozuar në mënyrë shumë interesante. Eshtë kryesisht i përqëndruar tek edukimi – pra, të informojë rininë mbi impaktin dhe inovacionin social, gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin, sepse realisht ne të gjithë përballemi me problemin e rinisë e cila nuk angazhohet, sidomos në shtetet ballkanike, të cilat ndajnë të njëjtat tipare demografike dhe të njëjtin mentalitet. Mbasi rrisim ndërgjegjësimin dhe krijojmë një komunitet, japim mbështetje. Mbështetja vjen në formë monetare – pasi programi është një konkurs midis idesh inovative, dhe fituesi merr një sasi të vogël parash. Mbështetja më e madhe vjen në formën e këshillimit dhe udhëheqjes, si dhe duke ofruar sa më shumë kontakte në botën e biznesit në Shqipëri, Ballkan por edhe në Europë. Kur programi filloi në Maqedoni në vitin 2015, rinia nuk e njihte aspak SIA-n apo inovacionin social. Mbas vetëm dy vitesh, kishim 50 aplikime dhe progres të madh.

A do ketë pjesëmarrja në SIA këtu në Shqipëri kërkesa specifike për rininë apo do të funksionojë si në të gjithë vëndet e tjera?

Programi është i liçensuar dhe si i tillë ndan disa standarte minimale për çdo vend ku operon. Ekziston një shtrirje kohore, e cila është pak a shumë e njëjtë në çdo vënd: një event hapës, i cili simbolizon dhe fillimin e programit – në Shqipëri ky event do zhvillohet diku në fund të Janarit apo në mes të Shkurtit –  dhe që mundëson aplikimin nga të gjithë të interesuarit me idetë e tyre të biznesit. Nuk është nevoja që këto ide të jenë të zhvilluara, por premtuese. Aplikimi është tepër i lehtë, pasi mund të bëhet përmes internetit. Aplikimi mbyllet në fund të prillit dhe gjatë kësaj periudhe do ketë ‘punishte’, me qëllim zhvillimin e ideve. Kur të kemi të gjithë aplikantët me idetë e tyre, një juri do mblidhet – në Shqipëri me njerëz nga bota e biznesit dhe inovacionit – dhe do zgjedhi dhjetë finalist. Ata të cilët do të zgjidhen do kalojnë një periudhë trajnimi në muajt e verës. Në shtator do zgjidhet fituesi, por të gjithë pjesëmarrësit do kenë mundësi të krijojnë video dhe materiale prezantuese për të rritur ndërgjegjësimin e rinisë. Në fund të programit, fituesit do mund të marrin pjesë tek Samiti i SIA-s, i cili këtë vit do të zhvillohet në Beograd, Serbi dhe ku fitues nga njëzet vënde të ndyshme do mblidhen e do zhvillojnë idetë e tyre.

Së fundmi, ke diçka personale për të thënë, që mendon se do të motivonte të rinjtë që po lexojnë këtë interivistë për të marr pjesë me idetë e tyre?

 Do sugjeroja, për këdo që do lexon këtë intervistë të informohet mbi programin Social Impact Award për të parë se çfarë është arritur deri tani dhe se çfarë secili nga ne mund të bëjë për të ndihmuar dhe për të forcuar komunitetin social. Shumë të rinj e kanë bërë tashmë diçka dhe kjo duhet të jetë e mjaftueshme për të qënë këmbëngulës dhe entuziast për sfidat dhe problemet sociale me të cilat përballemi. Ështe e vërtetë, njerëzit mendojnë se jemi një rajon problematik dhe që po hasim shumë pengesa, por fakti është që çdo shtet në botë has sfidat e veta sociale dhe rinia përballet me to kudo që të udhëtojë. Ideja është që mund të kontribuojmë këtu, tani, dhe shpresoj që edhe në Shqipëri të rinjtë do shpalosin idetë e tyrë pa frikë nga dështimi. Nëse një ide dështon, ka shumë të tjera që mund të funksionojnë dhe kjo duhet të na bëjë të shohim e të ecim përpara.

Intervistoi: Sidonja Manushi

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu