Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të rinjtë e arsimuar, me sytë përtej kufijve

Në një prej kafene-librarive më të frekuentuara të Tiranës mblidhen të rinjtë e arsimuar, të apasionuar pas studimit dhe leximit. Tavolina dyshe apo grupe të mëdha studentësh zënë hapësirën më të madhe tek “E përshtatshme”, e cila nuk është një zgjedhje rastësore e këtij vëzhgimi. Mjafton të hysh aty të paktën një herë, për të kuptuar se përballesh më së shumti me të rinj larg klisheve, nga ata të cilët nuk çojnë kohën dëm duke gjerbur një kafe për orë të tëra. Aty gjen kryesisht të rinj intelektualë dhe ambicioze, me ide të qarta për të ardhmen.

Takojmë dy vajza të reja, të përqendruara në leximin e Anatomisë. Kureshtjes së “Citizens Channel” nëse do ta linin Shqipërinë për një mundësi më të mirë jashtë vendit, ato i përgjigjen me një “PO” të sinqertë, pa e menduar dy herë.

Mikena Furrxhi është 19 vjeç dhe studion në degën e Infermierisë në fakultetin shtetëror të Mjekësisë. E ardhur nga Lushnja për t’u shkolluar, ajo thotë se infermieria nuk ishte zgjedhja e saj e parë për universitetin. “Më pëlqenin më shumë degët e Ekonomikut. Por pasi fitova këtë degë familja dhe njerëzit më thonin se ishte një mundësi e mirë pasi mund të shkoja të punoja në Gjermani pas përfundimit të 3-vjeçarit. Kohët e fundit po shkojnë gjithnjë e më shumë infermierë dhe mjekë atje”, pohon Mikena. Argumentimin e saj e vijon më tej, me faktin se në Shqipëri rrogat e infermierëve shkojnë afërsisht në 40 mijë lekë të reja, pagë që sipas saj mund ta marrë edhe një tjetër që nuk ka përfunduar arsimin e lartë. “Në Gjermani do të kisha mundësinë për të jetuar më mirë dhe për t’u paguar më shumë. Këtu nuk shpërblehet as shpenzimi i prindërve dhe as lodhja jonë”.

Në krah të Mikenës është ulur shoqja e saj e kursit, Egla Lloha. 19-vjeçarja nga kryeqyteti ndan të njëjtin mendim për një mundësi punësimi në Gjermani. Ajo është interesuar për të gjithë etapat e procedurave që ndiqen nga infermierët që mbarojnë studimet Bachelor, që nga provimi me 100 pyetje nga “Bazat e Infermieristikës” e deri tek kursi për gjuhën gjermane. “Kam një fqinjen time që ka studiuar të njëjtën degë si unë dhe që aktualisht po mëson gjermanisht. Nga ajo marr të gjitha informacionet që më nevojiten për të ardhmen”, thotë Egla.

egla-lloha-studente
Egla Lloha, 19, pas përfundimit të studimeve planifikon të punësohet në Gjermani. Foto: Amarildo Topi/Citizens Channel

Në një tavolinë pak më tutje gjejmë një grup të rinjsh që janë krejtësisht të zënë me lap-top-ët e tyre. Shpesh shkëmbejnë ide me njëri-tjetrin. Pas kontaktit të parë me ta mësojmë që janë studentë të vitit të tretë të Arkitekturës në universitetin privat “Epoka”. Bisedojmë me dy prej tyre. Kejsi Fusha është 20 vjeç dhe ka pasion degën për të cilën po arsimohet. Ajo ka pasur eksperienca të shkurtra profesionale jashtë vendit. “Vitin e kaluar mora pjesë në një shkollë verore në Çeki. Më pëlqeu shumë dhe mendoj se në të ardhmen studimet Master do t’i kryej larg Shqipërisë. Dëshirën e kam të iki. Nuk e di nëse do të qëndroj përkohësisht apo përgjithmonë. Atje e provon më mirë veten dhe se çfarë je në gjendje të bësh”- thotë Kejsi.

Shoqja e saj, Klea Jorga, dy vitet e para të fakultetit i ka kryer në universitetin shtetëror. Ajo nuk është arkitektja e parë në familjen e saj. Gjyshi dhe tezja kanë të njëjtin profesion. “Ata janë të pakënaqur nga zgjedhja e bërë. Si shumë gjëra të tjera në këtë vend, edhe arkitektura është e lidhur me politikën. Tregu nuk mirëpret këdo që del nga bankat e universitetit”, rrëfen 20-vjecarja. “Dëshiroj të largohem përfundimisht nga Shqipëria”, shpreh me vendosmëri.

ergis-fype-student
Mjeku i ardhshëm Ergis Fype e sheh të ardhmen e tij në Gjermani. Foto: Amarildo Topi/Citizens Channel

Më tutje takojmë dy 20- vjeçarë nga Tirana. Ergis Fype studion për mjekësi në universitetin privat Italian “Zonja e Këshillit të Mirë”. Djalë i dy mjekëve, ai ka ecur në gjurmët e prindërve. Por pavarësisht kushteve të mira të jetesës, qëllimi i tij është të udhëtojë drejt Gjermanisë për punësim, sapo të mbarojë studimet. “Kam zgjedhur pikërisht këtë universitet për shkak se diploma është e vlefshme kudo në Europë. Dua të bëhem kirurg plastik dhe mendoj se në Gjermani kushtet e punës dhe paga është shumë e mirë. Shtoji kësaj edhe faktin që mjekësia atje është shumë e zhvilluar” – argumenton Ergisi.

Redi Mamo është student i vitit të tretë për Inxhinieri Hidroteknike në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. “E shoh shumë të vështirë ikjen jashtë vendit, pasi edhe dega që kam është shumë e vështirë. Gjithsesi po të më jepej mundësia për shkollim ose praktikë pune do të ikja patjetër”.

STUDIMI I FES-TIRANA
Studimi “Rinia shqiptare 2015 – Ndryshimi i ngadaltë, mbështetje tek interneti dhe besimi tek BE”, nga Fondacioni Friedrich Ebert, nxorri në pah për të dytën herë dëshirën e dëshpëruar të të rinjve shqiptarë për të emigruar jashtë vendit. Të pyetur se “Sa dëshirë keni të emigroni jashtë Shqipërisë”, 60% e të anketuarve u përgjigën me “Shumë”. Studimi i kryer gjatë periudhës shtator-nëntor 2014 u bazua në një anketë kombëtare me 1200 të intervistuar, të grupmoshave 16-27 vjeç.

Vendet e preferuara renditen Anglia dhe SHBA-të. Ndërsa si arsye të këtyre shifrave alarmante klasifikohen: 1) dëshira për të përmirësuar standardin, 2) dëshira për shkollim cilësor dhe 3) mundësi më të gjera për t’u punësuar. “Shqetësimet dhe synimet e të rinjve shqiptarë ndërlidhen me këndvështrimin që ata kanë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre e që janë rezultat i një sërë fenomenesh që i kanë shoqëruar përgjatë këtyre viteve.

Megjithëse emigracioni masiv është në rënie, nuk është ulur dëshira mes të rinjve shqiptarë për të zgjedhur sërish një vend jashtë Shqipërisë për punësim apo jetesë”,  theksohet në studimin e FES-Tirana. Ndërkaq, në studimin e parë të këtij lloji nga i njëjti fondacion, në vitin 2011, pyetjes “Sa dëshirë keni të emigroni jashtë Shqipërisë”, 43% e të rinjve ishin përgjigjur me “Shumë”. Mes vitit 2011 dhe 2014 u evidentuan pak ndryshime në rezultate, duke theksuar shpresën gjithnjë e më të vakët të të rinjve se gjërat mund të shkojnë më mirë në tokën e tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *