Titujt e fundit

“Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt”

Drane Alushani, e pastreha që fle në qiell të hapur në qendër të Tiranës. Foto: Citizens Channel, Dhjetor 2016

Një trup i mbledhur kruspull dridhet nga i ftohti këtë natë dhjetori në Tiranë. E shtrirë në pllakat e rrugës në mes të kryeqytetit, pak metra larg Partisë Socialiste dhe Bankës së Shqipërisë, një grua ka projektuar “shtëpinë” e saj me ca kartonë që i shërbejnë si shtrojë dhe ca batanije të vjetra, që kanë zëvendësuar çatinë.

Të huajt nuk e trembin aspak, edhe pse është thuajse mesnatë.  Në një realitet burrash që enden rrugëve e janë të pastrehë, të qenit grua e bën atë një rast të pazakontë.  Thotë se e quajne Drane Alushani. Teksa nis të rrëfejë historinë e jetës së saj, rrotullon sytë majtas e djathtas, si për ta veshur atë me mister.

Historia e Dranes përngjan me atë të shumë të tjerëve që i përkasin brezave të tranzicionit. E lindur në qytetin verior të Kukësit, rrëzimi i sistemit komunist në vitet ’90 e gjeti 40 vjeç, me tre fëmijë dhe të ve. Përballja me një tjetër jetë sociale dhe politike e zuri të papërgatitur. Pas 26 vitesh të mbushura plot vështirësi e drama, sot 66-vjeçarja gjendet fillikat e vetme. “Një djalë ma kanë vrarë dhe më ka lënë tre jetimë. Për të rritur ata dal dhe lyp rrugëve të Shqipërisë. Djali tjetër më ka rënë në burg, ndërsa vajzën e kam të martuar në Fier, por me dhëndrin nuk jetohet sepse dhe ata kanë vështirësi ekonomike”, thotë mes psherëtimave Drania.

Edhe pse i ka kaluar të 60-at me kohë, ka ende shpresë se një ditë do të marrë pension dhe madje do të përfitojë edhe banesë sociale. Kur ndesh në shikimin skeptik të tjetrit, përgjigjen e ka gati: “Nëse s’bëhet as njëra dhe as tjetra, do të iki atje lart tek burri. Jetës nuk i dihet kurrë, ama shpirti jeton gjithmonë”.

Histori të njëjta, emra të ndryshëm

Disa hapa më tutje qëndron ulur në trotuar një tjetër grua. Ajo është Resmije Rexhepi, 75 vjeç, nga qyteti i Fierit. Fillimisht të krijohet përshtypja se është shoqe e Dranes, por mendimi shkërmoqet sa hap e mbyll sytë. Një kalimtar hedh në këmbët e të moshuarës 100 lekë të vjetra. Kaq mjafton që mes grave të nisë një betejë e vërtetë. Në momente të tilla, ato e harrojnë solidaritetin femëror dhe hallin e njëjtë që i bashkon e befas kthehen në rivale, ku edhe monedha më e vogël shërben për t’u kujtuar botën e egër me të cilën përballen çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë.

2

Resmije Rexhepi duke improvizuar një krevat me kartona ku do të kalojë natën, Tiranë dhjetor 2016. Foto: Citizens Channel

Si Drania dhe Resmija ka shumë në këtë zonë. Në cepin më tutje, poshtë një strehe, flenë disa burra të pastrehë. Përgjatë ditës janë të shpërndarë në rrugët kryesore të metropolit, në “gjueti” të atyre që mund t’u hedhin diçka në dorën e shtrirë e të ftohtë të kësaj stine. Natën, luftojnë me temperaturat e ulëta e plot rreziqe të tjera.

Institucionet përgjegjëse për strehimin e tyre nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e tyre, e megjithatë ata janë kudo nëpër Tiranë, para syve të çdokujt. Para syve të qytetarëve të zakonshëm, dorëlëshuar ose aspak të dhimbsur. Por mbi të gjitha para syve të njerëzve me pushtet, të atyre që mund t’u japin diçka dhe gjithçka e t’u ndryshojnë jetën, ose t’i lënë aty, mes lëmoshës dhe acarit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: