Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

EU Policy Hub iu shpjegon Europën

Gjuha e përdorur në media kur flitet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, është teknike dhe e vështirë për tu kuptuar nga qytetarët. Për të shpjeguar më qartë këtë proces EU Policy Hub ka botuar Manualin për Qytetarët. Citizens Channel ka biseduar me anëtaren e Forumit të Politikave të Integrimit Blerta Tuci, studiuese në marrëdhënie ndërkombëtare dhe studime europiane, e cila na shpjegon më në detaje përmbajtjen e manualit të qytetarëve.

Citizens Channel: Pse u ndërmorr kjo nismë për qytetarët?

Blerta Tuci: Manuali i Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian erdhi si nevojë e një mungese, le të themi, të jashtëzakonshme, për informimin e qytetarëve mbi këtë proces. Shumë herë, edhe në media, dëgjojmë se flitet mbi ligjin e Vettingut, reformën në drejtësi, projekte të ndryshme të Bashkimit Europian, por këto mbeten në nivel teknik dhe mediatik, që kap një audiencë relativisht jo të gjerë, dhe pjesa tjetër e qytetarëve të cilët do të jetojnë përditshmërinë, do të kenë përpara projektligje të ndryshme, të cilat duhet të sjellin sanksione të ndryshme, do të ketë rregulla të reja, mënyra e funksionimit të shumë institucioneve do të ndryshojë, ka shumë pak informacion. Le të themi, nuk ka as informacion bazik. Për këtë arsye, ne menduam që ishte e nevojshme që të merrnim të gjithë progres-raportet e bëra që prej Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe t’i sillnim të thjeshtëtuar të 33 kapitujt, për të cilët do të punojë Shqipëria menjëherë pas hapjes së negociatave, dhe punën e bërë deri më tani për progresin në secilin nga 33 kapitujt.

Kaq e ndërlikuar është gjuha e Bashkimit Europian?

Sigurisht, që për individë të arsimuar, apo edhe për ne që jemi më në kontakt me çfarë po ndodh, gjuha teknike edhe mund të kuptohet. Por për pjesën tjetër, e cila nuk mund të ketë këtë lloj kontakti, sepse ka angazhime ditore, dhe nuk ka në fokus Bashkimin Europian, gjuha bëhet e vështirë dhe do të duhet të thjeshtëzohet, sepse atyre duhet t’u flitet me gjuhë të kuptueshme, t’u shpjegohen ligjet dhe i gjithë procesi sa më thjesht, duke nisur që nga lëvizja e lirë, kërkimi i informacionit, përfitimi nga projektet apo grantet e ndryshme. Fermerët, për shembull, mund të duan shumë të përfitojnë grante, mirëpo nuk dinë. Atëherë, është detyra jonë, jo vetëm si shoqëri civile, por si qytetarë të angazhuar dhe profesionistë, të shkojmë dhe t’i ndihmojmë, t’ua lehtësojmë këto njohuri.

Kjo nuk ndodh vetëm me fermerët, por edhe me sektorin e peshkimit, sistemin legjislativ, etj. Tani flitet shumë për reformën në drejtësi, por realisht njerëzit nuk e kuptojnë se çfarë do të ndodhë. Vettingun nuk e kuptojnë. (Ai është procesi i verifikimit të figurës së gjyqtarëve, prokurorëve, gjithë ristrukturimi i sistemit të drejtësisë, për të aftësuar profesionistët më të mirë, dhe më të pastër politikisht, dhe pa konflikte interesi.)  Duhet t’ua shpjegojmë, që të fillojnë të kenë besim në sistemin e drejtësisë, dhe të përfitojnë realisht, jo të përjashtohen nga vemendja që ndodh në qendër të Tiranës.

Mendoni se qytetarët janë të painformuar apo të keqinformuar?

E përmenda edhe më herët median, që ka rol të jashtëzakonshëm në informim përgjatë procesit, mirëpo ndodh që shpeshherë ajo merret me sipërfaqen e ngjarjes, duke harruar problematikat e vërteta që mund të sjellë një aspekt i caktuar i anëtarësimit, ose me përfshirjen politike të palëve në këtë proces. Informacioni që merret përmes medias do të duhej të ishte i paanshëm, më i pastër, më në dobi të qytetarëve, dhe të vetë procesit dhe përfitimet që vijnë nga integrimi.

Cilat janë fushat që keni trajtuar në manual?

Kemi punuar për të gjitha fushat, duke filluar që nga lëvizja e lirë, sistemi gjyqësor, kërkimi shkencor, arsimi, media, projektet komunitare, bashkëpunimi rajonal, pra të gjitha problematikat mbi të cilat do të punohet hap pas hapi pas çeljes së negociatave. Janë ngritur grupe ndërinstitucionale, të cilat punojnë për mbarëvajtjen dhe përmirësimin e aspekteve të caktuara të progres-raportit.

Në Shqipëri nuk ka një përqindje të madhe të skeptikëve ndaj integrimit. Mendoni se është shkak mungesa e informimit të nevojshëm që pengon formimin e mendimeve kundër Bashkimit Europian?

Kjo është shumë e vërtetë. Shqipëria përbën një rast unikal në rajon për optimizmin që shprehin në masë, thonë se duan të integrohen, duan të jenë pjesë e Europës. Por nuk janë të ndërgjegjshëm se çfarë do të thotë togfjalëshi “pjesë e Europës”. Së fundmi, ishte rasti Brexit si rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së informacionit të popullsisë. Edhe në vende të tjera ka lëvizje për të dalë jashtë BE-së, ndodhin kundërshti midis qytetarëve dhe qeverive për të dalë nga Bashkimi Europian.

Përsa i përket Shqipërisë, duhet të ketë më tepër informacion. Ata mendojnë se do të ketë vetëm gjëra të mira. Do të ketë, në fakt, shumë gjëra të mira, por do të ketë edhe ligje më të forta, sanksione, institucione ligjzbatuese më të mira, prandaj do të duhet të informohen për atë që i pret. Përveç optimizmit euforik, ekziston edhe një anë e dytë, e cila tregon sa herë që qytetarët pyeten se çfarë është Bashkimi Europian dhe se çfarë do të përfitojnë, ata nuk dinë të japin një përgjigje.

Mendoni se po e arrini rezultatin e kërkuar?

Nëse në gjithë vendet e rajonit apo Bashkimit Europian ky manual është bërë nga qeveria vendase, ose ka ardhur nga delegacioni europian, tek ne ka ardhur si produkt i shoqërisë civile. Problematikat janë identifikuar nga ne, dhe dëshira për të ndihmuar është po nga ne, pra në nivel baze. Në këtë moment, ka më shumë gjasa që informacioni të jetë i përçuar si duhet, me paanshmëri politike dhe pa ndikime subjektive. Ne e kemi botuar për vitin 2016, por sigurisht që manuali do të përditësohet vazhdimisht, me ndryshimet që do të reflektohen. Publikimi do të jetë online, por synojmë që të shkojmë në sa më shumë qytete, të kemi takime në shkolla apo hapësira publike me grupet e interesit, sepse duam t’i informojmë dhe të lehtësojmë problematikat e tyre, apo thjesht të bëhemi një zë i qytetarëve, sepse Bashkimi Europian duhet kuptuar si një zë i qytetarëve, jo i pushtetarëve.

*EU Policy Hub, u krijua si nevojë e rritjes së kapacitetit të shoqërisë civile për monitorimin, promovimin dhe ndikimin në procesin e integrimit europian në Shqipëri. EU Policy Hub është krijuar në korrik të vitit 2015, dhe në përbërje të tij janë profesionistë e kërkues të rinj, të cilët kanë studiuar në vendet e Bashkimit Europian, njohin sistemet arsimore dhe politikat europiane. Manuali është publikuar në shtator 2016 dhe është prezantuar në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Durrës.

 

Intervistoi: Fiona Kopali

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *