Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Zija Vrioni, burri që u plak duke kërkuar pronat…

Jo gjithmonë të trashëgosh një pasuri është një lajm i mirë. Sidomos në Shqipëri, ku nëse të duhet të rimarrësh një pronë të së kaluarës, kthehet në një sfidë dhe kalvar të vërtetë vuajtjesh. Duhet të përballesh me dokumente që mungojnë në arkiva ose që janë falsifikuar nga një tjetër palë, me zvarritje gjyqësore, me gjyqtarë të korruptuar, me avokatë “që luajnë me dy porta” e me një sërë çudirash të tjera, që i mëson dhe përjeton vetëm nëse i ke mbi kurriz.

Tipike është edhe historia e një burri që iu fut kësaj rruge me flokë të zinj dhe po e vijon i thinjur. Ai është nipi i Zija Toptanit, deputet dhe senator në kohën e mbretit Ahmet Zogu, trashëgimtar i familjes së njohur të Toptanëve.

Nga gjyshi nuk trashëgoi vetëm emrin, por edhe shumë prona dhe sipërfaqje të tëra toke. Zija Vrioni është një ndër pesë fëmijët e Ferial dhe Kahreman Vrionit. Nip i Zija Toptanit, gjysh nga nëna, ai e nisi betejën me gjyqësorin shqiptar që nga viti i largët 1992.

Zija Vrioni duke folur për Citizens Channel. Foto: Amarildo Topi/CitizensChannel

Trualli ku ndodhen institucione të rëndësishme si Parlamenti i Shqipërisë, Akademia e Shkencave, ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë ose selia e sotme e Partisë Demokratike, janë vetëm disa nga pronat që Zija Vrioni pretendon të marrë nga shteti shqiptar. Prej 25 vitesh, ai endet në mënyrë të pandëprerë dyerve të gjykatave në Tiranë, Fier dhe Vlorë.

“I kam nisur i ri këto punë, ndërsa tani jam thinjur. Më shkoi jeta nëpër gjykata” – thotë Vrioni për Citizens Channel, ku pavarësisht gjithçkaje, nuk pendohet aspak për jetën e mbushur me peripeci gjyqësore. Ai rrëfen se vite më parë, i hipte makinës për të ndjekur nga afër çdo seancë. “Ka pasur një rast që s’do ta harroj kurrë.  E bëra tre herë brenda 24 orëve rrugën e vjetër të Beratit” – thotë mes psherëtimave, sikur e ka ende të freskët sfilitjen e asaj dite.

Por lodhja fizike nuk ka qenë e vetmja. Lodhja nervore ka qenë mbase sakrifica më e madhe e të gjithë kësaj epopeje. “Pesëmbëdhjetë vite më parë, në vitin 2002, ndodhesha para Gjykatës së Fierit. Pësova infarkt nga i gjithë stërmundimi. Por shyqyr Zotit, shpëtova për mrekulli” – rrëfen Vrioni.

Kalvari i tij i gjatë dhe i mundimshëm është reflektuar gjithashtu edhe në shpenzime të stërmëdha financiare. Përgjatë këtyre 25 viteve, trashëgimtarit i është dashur të përballojë pagesa ekspertësh, dhjetëra avokatësh që ka ndërruar e shpenzime të të gjitha llojeve. Por kurrë s’ka pranuar të japë rryshfet. “Vetëm karburant sa shumë kam harxhuar këto vite… Tani s’kam fuqi dhe marr djalin që të më lëvizë për këto punë. Korrupsion s’kam bërë asnjëherë, edhe pse ndaj çështjeve të mia është bërë pafund” – nxiton të theksojë Zija Vrioni.

“Lufta” me sistemin e drejtësisë nuk është e vetmja që po sorollat të moshuarin. “Ne kemi dhe “luftë” brenda llojit, që është më e keqja. Janë trashëgimtarë të barkut tjetër, nga gruaja e dytë e gjyshit tim, Zija Toptanit”- thotë me bezdi ai. Familja Vrioni ka disa trashëgimtarë, dhe shumë prej tyre kanë akuzuar njëri-tjetrin ndër vite për falsifikim dokumentash, secili në tentativën e dëshpëruar për fitimin e të drejtës së pronësisë.

Por as këto detaje nuk e kanë dëshpëruar ende Zija Vrionin. “Do të merrem me këto gjyqe sa të kem frymë” – shprehet ai për Citizens Channel. Tashmë në Gjykatat e Tiranës ka hapur pesë procese gjyqësore paralelisht.  Kjo eksperiencë shumë-vjeçare i ka dhënë dije juridike siç ka edhe një avokat me eksperiencë.

Tashmë atë e mban gjallë vetëm një mendim, që i rreh si çekan mbi kokë: do të bëjë maksimumin që tre fëmijëve mos t’u trashëgojë asnjë seancë gjyqësore por vetëm pronat që u takojnë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *