Titujt e fundit

Sa na kushton një padi në gjykatë?

Sa herë që na shkelet një e drejtë ose duam të zgjidhim një konflikt, ideja e parë që na shkon ndërmend është gjykata. Edhe pse besimi i ulët tek gjyqësori është një ndër problemet ende të pazgjidhura në vend, sërish dyert e këtyre institucioneve mbeten zgjidhja më e përshtatshme. Por çfarë kostoje ka hapja e një procesi gjyqësor civil, deri tek finalizimi i tij?

Sipas tarifave në fuqi, çdo depozitim kërkesë-padie në gjykatat e Shkallës së Parë kushton 3000 lekë të reja, që nga padia për zgjidhje martese (divorc), paditë për shkaktim dëmi, për të drejtën e prindërimit etj. Kjo shumë është vetëm fillimi i shpenzimeve që rëndojnë në kurriz.

Kostoja tjetër e rëndëishme është pagesa e avokatit. Një avokat mbrojtës që të përfaqëson në Shkallën e Parë pa palë kushton 15 mijë lekë të reja, ndërsa në të njëjtën gjykatë, por kur ka palë kundërshtare, shifra shkon në 40 mijë lekë të reja. Në rastet kur vendimi ankimohet dhe mbërrin deri në Gjykatën e Lartë ose Gjykatën Kushtetuese, pagesa e avokatit shkon në 60 mijë lekë të reja.

Një tjetër taksë që duhet paguar në një padi civile është ajo e ekspertizës. Një ekspert, i cili mund të jetë ekspert kontabël, auto-teknik, vlerësues pasurie, ekspert i aksidenteve automobilistike, paguhet nga 60 mijë deri në 250 mijë lekë të reja. Ndërsa në rastet kur kemi të bëjmë me drama familjare, një psikolog që thirret nga gjykata paguhet nga 30 mijë deri në 200 mijë lekë të reja.

Ndihmë ligjore falas

Nëse kjo është panorama e kostove të larta për një proces gjyqësor, ka edhe kategori vulnerabël njerëzish që s’mund të përballojnë financiarisht kostot e një beteje ligjore. Në raste të tilla, ekzistojnë disa alternativa që u vijnë në ndihmë këtyre personave duke u ofruar atyre ndihmë juridike falas.

Mes shumë strukturave shtetërore dhe Organizatave Jo-Fitimprurëse, është edhe Shërbimi Ligjor Falas (TLAS). Për Citizens Channel, përfaqësuesja e TLAS, avokate Anisa Metalla, shpjegon se kush përfiton nga shërbimi ligjor falas dhe cilat janë çështjet me të cilat ata ndeshen më shpesh.

Anisa Metalla

Avokate Anisa Metalla duke folur për Citizens Channel

“Ne kryesisht mbulojmë çështjet civile dhe siç e dini një proces është i kushtueshëm sepse ka të bëjë që me depozitimin e një kërkesë-padie të cilën duhet ta paguash, kostot e ekspertëve etj. Shpesh herë ne kemi ndjekur çështje të të miturve, të fëmijëve, çështje të kundërshtimit ose të vërtetimit të atësive ose kemi pasur ndër vite probleme të mosregjistrimit dhe shpeshherë na është dashur të paguajmë ekspertiza të kushtueshme siç mund të jetë ajo e ADN-së përshembull ku pjesëtarë të komunitetit Rom e kanë shumë të vështirë ta paguajnë një analizë të tillë”, sqaron Metalla.

Ajo thotë për Citizens Channel se përveç rasteve të referuara, në terren kanë edhe një grup studentësh dhe avokatësh që gjejnë raste që kane nevojë për ndihmë në zonat e varfra, komunitetin Rom ose në fshatra të thellë ku është shumë e vështirë të mbërrijnë shërbime.

Sipas avokates Metalla, dora u zgjatet kryesisht atyre që kanë konflikte në familje. “Kohët e fundit pjesën më të madhe të çështjeve e lidhim me të drejtën familjare, çështjet e divorcit, të kujdestarisë së fëmijëve, çështjet e përgjegjësive prindërore që kanë qenë shumë problematike kohët e fundit. Institucionet nuk janë të ndërgjegjësuara se çfarë ndodh me përgjegjësinë prindërore kur ka dhunë në familje. Përshembull babai që vret nënën është në burg, gjithsesi ai gëzon përgjegjësinë prindërore dhe duhet të përgjigjet për interesin më të lartë të fëmijëve. Gjithashtu jemi marrë gjatë me mosregjistrimin e fëmijëve në gjendje civile.”

Një tjetër problematikë që e vështirëson një proces gjyqësor, janë zvarritjet dhe shtyrjet e seancave. “Kryesisht janë gjykime që zgjasin, derisa të mbarojnë të gjitha fazat e gjyqësorit. Nga ana jonë përfaqësimi bëhet në çdo rast me avokat dhe ky përfaqësim nuk mungon kurrë. Ka çështje që zgjidhen që në shkallën e parë dhe nuk bëhet ankim. Një pjesë e madhe e çështjeve nuk ankohen dhe gjejnë zgjidhje. Por kemi pasur plot raste që janë zvarritur”, përfundon Metalla. ( El.El / citizens-channel.com)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: