Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fëmija lind me një krah, padi mjekut që interpretoi gabim ekon

Të bëhesh prind është bekimi më i madh për një çift të ri. Pasi nëntë muajt e shtatzënisë finalizohen me ardhjen në jetë të një fëmije, urimi më i mirë që mund të bësh është: “Qoftë i shëndetshëm”! Por kur fëmija lind i sëmurë, atëherë kjo është drama më e madhe dhe më e trishtë e një prindi.

E tillë është edhe historia e 28-vjeçares V.B., Nga Tirana. (Citizens Channel nuk publikon identitetin e saj të plotë për arsye etike). E takojmë bashkë me të shoqin në një prej bareve të kryeqytetit, pranë vendit të saj të punës. Sapo ka lënë pas krahëve një tjetër ditë të lodhshme në Call Center, por gjithsesi tregohet korrekte në orarin që ka lënë për intervistën me ne.

Nuk ka qenë e lehtë për ta bindur që të rrëfejë historinë personale. E megjithatë, ajo çka i ka ndodhur kohë më parë ka lënë ende gjurmë dhe gjen forcën për ta ndarë me të tjerët eksperiencën e hidhur të saj. Pjesën më të madhe të bisedës, e kalon me sytë e njomur.

Tetorin e vitit 2011 jeta e saj prej nëne të re mori një tjetër kthesë. Edhe pse asokohe ishte mamaja e një vajze 4 vjeç, lajmi për shtatzëninë e dytë ishte po aq i bukur sa hera e parë. E ndoqi shtatzëninë me kujdes dhe përgjegjshmëri, bënte vizita të herëpashershme tek mjeku dhe kishte një regjim mëse të shëndetshëm.

Nëntë muajt kalojnë shpejt dhe vjen dita e shumëpritur e lindjes. “Edhe në shtatzëninë e dytë u ndoqa nga gjinekologu i lindjes së parë. Mjeku me inicialet Sh.B. punonte në maternitet shtetëror, por na kishte thënë që punonte edhe në një klinikë private dhe aty bëra të gjitha ekot. Shtatë gjithsej, përfshirë edhe ekon morfologjike. Në asnjërën prej tyre nuk vuri re diçka jonormale. Ekon e tetë dhe të fundit e bëra pesë minuta para se të sillja në jetë vajzën e dytë. Edhe në ato momente mjeku më tha se çdo gjë ishte normale. Pas pak vajza lindi, por aty nisën peripecitë. Më thonë që e ka njërin krah më të shkurtër se tjetri”- thotë 28-vjeçarja për Citizens Channel.

Në këtë moment ndërhyn në rrëfim  edhe bashkëshorti i saj. “Mua më thirri mjeku në zyrën e tij. Përderisa më thirri në zyrë, e kuptova menjëherë që kishte diçka më shumë se krahu “pak i shkurtër”. Mjeku më tha që vajza ka lindur pa krahun e saj të majtë. Në tronditje e sipër i thashë: Të të rrojë vajza sepse unë nuk e marr. Dhe e dini ç’bëri? E vetmja zgjidhje që na dha ishte kur na tregoi një qendër ku ta çonim.” Adresën e shkruajtur nxitimthi në një letër prej tij, V. e mban ende në shtëpi.

Por pas tronditjes që zgjati thuajse një javë, çifti u rikthye në maternitet. Ata e mbajtën vajzën e tyre. Sot ajo është 6 vjeç e gjysëm, plot energji dhe dëshirë për të jetuar. “Edhe pse nuk e ka krahun e majtë, ka dëshirat dhe ëndrrat e një fëmije normal. E mban vetë çantën e shkollës, pikturon, luan me fëmijët e tjerë të Parashkollorit. Pikërisht që ta shohim të rritet si të tjerët e kërkuam dhe do të luftojmë deri në fund për atë dëmshpërblim” – thonë me bindje prindërit e vajzës.

Beteja ligjore

Pak kohë më pas, V.B kallëzon në prokurorinë e Tiranës mjekun Sh.B. për mjekim të pakujdesshëm. (Citizens Channel nuk bën publik identitetin e plotë të mjekut dhe klinikën private ku ka ndodhur ngjarja, për shkak se çështja është ende objekt i një procesi gjyqësor).  Çështja përfundoi në gjykatë, por hetimet u pushuan. “Më pas iu drejtuam Urdhrit te Mjekut. Pas afro një viti, mjeku gjinekolog u ngarkua me përgjegjësi  dhe mori dënimin që nëse do ta përsëriste edhe njëherë tjetër këtë gjë, do t’i hiqej e drejta e ushtrimit të profesionit”.

Gjatë kësaj periudhe ata u njohën me Shërbimin Ligjor Falas, pasi kishin vendosur që të kërkonin dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar. Ishin informuar që padi të tilla civile zgjasnin në kohë, dhe kushtet ekonomike si çift i ri nuk ua mundësonin diçka të tillë. Në rolin e të paditurit është mjeku dhe klinika private ku është ndjekur e gjithë shtatzënia.

“Dëmshpërblimin e kërkuam vetëm e vetëm që të mund t’i vëmë një protezë vajzës. Gjithçka po e bëjmë që të mund ta bëjmë atë të ndjehet e barabartë me të tjerët. Por shërbimet mjekësore kushtojnë shumë dhe nuk mundemi t’i përballojmë” – thotë 28-vjeçarja e përlotur.

Beteja e tyre gjyqësore nisi me një fitore në gjykatën e Shkallës së Parë, e cila pranoi padinë si dhe vendosi që familja të merrte shumën prej 100 milionë lekësh të vjetra. Por gëzimi i fitores zgjati pak. Vendimi u apelua nga të paditurit dhe vetëm disa kohë më pas, Gjykata e Apelit e uli vlerën në 25 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim, 20 prej të cilave në dëm të klinikës dhe 5 të tjera për mjekun.

Ky vendim nuk pati asnjë argumentim ligjor. Tashmë çështja është në Gjykatën e Lartë, ku pritet të jepet edhe vendimi përfundimtar në lidhje me dëmshpërblimin. Prindërit e vogëlushes nuk heqin dorë. “Nuk dorëzohemi kurrë, derisa të fitojmë.”

Autor: El/El (Citizens Channel)

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *