Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Sokol, rritu e mos lejo të të përdorin!

Mijëra vetë mesditën e së shtunës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kërkonin ikjen e Kryeministrit Edi Rama, ndërsa Sokoli i vogël nga Shkodra kishte ardhur bashkë me babanë e tij për të kërkuar lëmoshë. Në fund të ditës ai duhet të dorëzonte të gjitha monedhat tek i ati.

Duke qenë se ky akt luhej gjatë protestës së opozitës është e pamundur të mos e shkëpusësh nga ky kontekst.

Bulevardi kryesor i kryeqytetit ishte mbushur si rrallëherë me protestues të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët ishin thirrur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj për të protestuar kundër qeverisë.

E natyrisht lumi i njerëzve, i përcjell mesazhin qeverisë se janë të shumtë të pakënaqurit me gjendjen aktuale të vendit, ndërsa drejtuesit e opozitës morën një mbështetje bindëse vetëm pak muaj para zgjedhjeve të 18 qershorit (të paktën në dukje).

Me të drejtë përfaqësuesit e saj u shfaqën entuziastë para kamerave, e nëse në fillim të protestës kërkesa kryesore ishte garantimi i zgjedhjeve të lira, më vonë deputetë të Partisë Demokratike deklaronin se nuk do të largoheshin nga Bulevardi pa dhënë dorëheqjen Kryeministri Edi Rama.

Jam i sigurtë se nëse do të kishte më pak pjesëmarrës entuziazmi i tyre nuk do të ishte i njëjtë, po ashtu si edhe kërkesat e retorika e përdorur. Pjesëmarrja masive u dha atyre besim dhe i bëri të ndihen të fuqishëm. Këtë besim dhe fuqi ata e morën si dhuratë nga populli i pranishëm në Bulevard.

Ndërsa për babain e Sokolit, dhurata që mori nga protesta ishin xhepat plot me monedha. Ishte vogëlushi ai që lëvizte mundimshëm mes turmës për të mbledhur pak lek. I ati nuk u lodh fare. Qendronte larg dhe priste të birin t’i çonte paratë e mbledhura.

Duke parë këtë skenë, në trupin e Sokolit të vogël për një moment mishërova popullin shqiptar. U bënë 27 vite demokraci që qytetarët e këtij vendi janë përdorur nga politikanët për interesat e tyre personale e shumë pak gjëra janë bërë në të mirë të vetë qytetarëve.

Populli ka qenë ai që me votën e tij u ka dhënë të majtëve e të djathtëve të drejtën për të menaxhuar miliarda lekë, por sërish janë ndër popujt më të varfër në Europë; shqiptarët janë drejtuar nga qeveri ndër më të korruptuart në botë; jetojnë në një vend ku mungon siguria ushqimore; në një vend ku sëmundjet vdekjeprurëse janë rritur në shifra alarmante; në një vend që në shtypin ndërkombëtar cilësohet si Kolumbia e Europës; në një vend ku qytetarët nuk kanë aspak besim tek institucionet shqiptare, etj, etj.

Sokoli i vogël është i pafushqishëm përballë të atit dhe dorëzoi të gjitha monedhat që mblodhi, ashtu si qytetarët e këtij vendi u dorëzojnë politikanëve pushtetin. Me premtimet se gjendja e tyre ekonomike do të përmirësohet, “sokolët” shqiptarë u kanë dhuruar pushtetin herë demokratëve e herë socialistëve, por në fund pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar e sërish ata janë të detyruar të marrin rrugët e kurbetit për një jetë më të mirë.

“Sokolët” shqiptarë tashmë janë rritur (27 vjeç) dhe nuk duhet të sillen si Sokoli i vogël. Nuk duhet të lejojnë të përdoren nga interesat personale apo ambiciet për karrierë të politikanëve.

Qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë fuqinë e tyre dhe ta përdorin atë si duhet. Ta përdorin fuqinë për të kërkuar politika më të mira në hapjen e vendeve të reja të punës, politika më të mira sociale, politika më të mira në shëndetësi, infrastrukturë, drejtësi, bujqësi, arsim e mjedis.

Ndryshimi i vërtetë në Shqipëri do të ndodhë kur qytetarët të dalin masivisht në Bulevard të kërkojnë pikërisht këto gjëra. Ndërsa nëse fuqinë e tyre përdorin thjesht për të vendosur kush do të jetë politikani i radhës që do të mbajë frerët e pushtetit, do të mbeten viktima të fuqisë së tyre.

Autor: Amarildo Topi

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *