Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shqipëria pa strategji kundër diabetit

Mospërputhja mes performancës aktuale të sistemeve shëndetësore të fragmentuara dhe pritshmërive në rritje të shoqërisë është një shkak shqetësimi dhe presion i brendshëm për autoritetet shëndetësore dhe drejtuesit politikë (OBSH)

Kryeministri Rama vitin e shkuar përmendi me shumë entuziazëm se si qeveria që ai drejton, ndryshe nga qeveria e mëparshme, ka ditur të mirëprogramojë investimet e saj. Një gjë të tillë ai e përmendi me krenari gjatë përurimit të një qendre shëndetësore në Tiranë.

Gjithsesi, dihet se kur flitet për shëndetësinë, dhe jo vetëm, mirëprogramimi nuk duket thjesht në përurime. Tepër të rëndësishme dhe jetësore janë strategjitë. Në fakt, teksa njerëzit përpëliten duke u ankuar për cilësinë e ilaçeve, shërbimet jocilësore, analizat që duhet të kryejnë nëpër klinika e spitale private, paratë nën dorë, teksa flitet për para të shpërdoruara, pakkush e di që diabeti ishte sëmundja më e kushtueshme për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor gjatë vitit 2015, me rreth 20% të shumës totale.

Mjekët endokrinologë në Shqipëri, sidomos vitet e fundit, e kanë ngritur shumë zërin lidhur rritjen e numrit të të sëmurëve me diabet (flitet për një shifër prej 70.000 të sëmurësh), duke mos harruar të theksojnë se një ndikim kryesor ka stili aktual i jetesës, tepër pasiv, dhe mbipesha. Gjithashtu, është nënvizuar fakti se po rritet numri i fëmijëve mbipeshë, që nënkupton kandidatë të mundshëm për rritjen e numrit të të sëmurëve me diabet.

Mjekët thonë se janë 1500 fëmijë (nën moshën 18 vjeç) të cilët janë të prekur nga diabeti. Megjithatë, në vendin tonë, këta fëmijë janë shpesh të detyruar të vijnë në Tiranë për të gjitha trajtimet e tyre, pasi nëpër qytetet ku jetojnë nuk kanë shërbimet e duhura. E njëjta gjë ndodh edhe me të rriturit.

“Numri i vdekjeve nga diabeti është trefishuar”

Nga ana tjetër, nuk shihet në horizont asnjë përpjekje e strukturave shëndetësore për të edukuar njerëzit lidhur me mënyrën e shëndetshme të jetesës, për t’i bërë ata më të ndërgjegjshëm se ushqimet që hanë, stili i tyre e jetesës, mënyra se si sillen në përditshmëri, do të ndikojë gjatë në shëndetin dhe jetën e tyre.

Instituti i Shëndetit Publik në raportin kombëtar të vitit 2014 nxori si përfundim se “gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri, niveli total i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar”.

Megjithatë, pavarësisht këtij raporti, ky institucion që si synim të vetin ka edhe rritjen e shkallës së informimit të popullatës, edukimit dhe ndërgjegjësimit të saj mbi problemet shëndetësore, aktualisht thjesht publikon tek-tuk ndonjë informacion për jetën e shëndetshme vetëm kur vjen Dita Botërore e Diabetit, ndërkohë që në ditët e tjera, sëmundjes së diabetit, kaq të kushtueshme për individin, familjen dhe shtetin, i jep një vëmendje zero.

Një gjë e tillë përveçse thekson edhe një herë alarmin e dhënë nga mjekët se numri i të sëmurëve me diabet po rritet ndjeshëm (jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë), tregon edhe nevojën që ka vendi ynë për të realizuar plane e strategji të mirëfillta për diabetin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në faqen e saj zyrtare publikoi për vitin 2016 të dhëna për diabetin, ku një vend zë edhe Shqipëria. Teksa flet për “reagimin kombëtar për diabetin” janë disa pika të rëndësishme mbi të cilin bëhet edhe vlerësimi. Të dhënat e mëposhtme, të marra pikërisht nga kjo analizë, thonë:

  • Politika operacionale/ strategji/ plane veprimi për diabetin – Jo
  • Politika operacionale/ strategji/ plane veprimi për të ulur mbipeshën dhe obezitetin – Jo
  • Politika operacionale/ strategji/ plane veprimi për të ulur pasivitetin fizik – Jo
  • Regjistër diabeti – Jo
  • Vëzhgim i fundit kombëtar lidhur me faktorët e riskut në të cilën matet glukoza – Jo

Siç edhe duket, janë të shumta jo-të për një sëmundje që merr 20% të parave të dhëna për gjithë sëmundshmërinë në Shqipëri e që si rrjedhojë duhet të ishte përparësi kur flitet për mirëprogramim.

Por, pse janë të nevojshme strategjitë, politikat dhe planet e veprimit?

Sipas OBSH-së, politikat, strategjitë dhe planet e veprimit nuk janë mbarimi i gjërave në vetvete. Ato janë pjesë e një procesi më të gjerë që synon lidhjen e përparësive të një vendi me nevojat reale shëndetësore të popullatës, gjenerimin e një marrëveshjeje mes qeverisë, partnerëve të zhvillimit dhe të shëndetit, shoqërisë civile dhe sektorit privat dhe përdorimin sa më të mirë të burimeve të disponueshme për shëndetin, në mënyrë që të gjithë njerëzit në të gjitha vendet të kenë një kujdes shëndetësor cilësor dhe si rrjedhojë të jetojnë më gjatë e më shëndetshëm.

Mospërputhja mes performancës aktuale të sistemeve shëndetësore të fragmentuara dhe pritshmërive në rritje të shoqërisë është një shkak shqetësimi dhe presion i brendshëm për autoritetet shëndetësore dhe drejtuesit politikë.

Siç tregojnë të dhënat e OBSH-së, por edhe realiteti aktual, nga ana e shtetit shqiptar dhe përkatësisht autoriteteve shtetërore shëndetësore nuk ka politika, strategji apo plane veprimi për të bërë një mirëprogramim në këtë drejtim. Flitet që dëshira e shumëhershme e të sëmurëve me diabet për rimbursim fishash do të plotësohet së shpejti, megjithatë, ajo që nuk dihet ende saktë, është nëse për këtë rimbursim është bërë një studim paraprak i cili të përllogarisë kostot dhe përfitimet nga futja në rimbursim e tyre (për të mos qenë thjesht një realizim dëshirash para fushate për më tepër vota).

Nga ana tjetër, qeveria ka promovuar fort kontrollin shëndetësor bazë falas për moshat 40-65 vjeç. Gjithsesi, në krye të vitit Ministria e Shëndetësisë, pas akuzave të shumta për parregullsi dhe keqprogramim, vendosi ta ulë moshën në 35. Ndërkohë, nga terreni raportohet që mosha më të reja janë ftuar që të bëjnë kontrollin shëndetësor falas në vend të dikujt tjetër që nuk është paraqitur, vetëm e vetëm që të plotësohet numri i deklaruar nga shteti (!!!).

Të gjitha të dhënat e mësipërme, si dhe përqindja e lartë e parave të hedhura për diabetin tregon vërtet se nga shteti shqiptar nuk ka politika, strategji dhe plane veprimi të cilat të funksionojnë dhe të sjellin shëndet e mirëqenie te njerëzit. Për rrjedhojë, pacientët nuk kanë një kujdes shëndetësor cilësor që çon në jetë më të gjatë e më të shëndetshme.

Në këtë drejtim, mund të thuhet se fatkeqësisht ka ende shumë për të bërë.

Autor: Arlinda Gjypi / Citizens Channel

Shënim: Titulli ështe i redaksisë së Citizens Channel. Titulli origjinal: A ka mirëprogramim shëndetësia shqiptare?

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *