Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Personat me aftësi të kufizuara, të dënuar nga infrastruktura diskriminuese

Të jesh person me aftësi të kufizuara në Tiranë është një betejë e përditshme. Është një sfidë sfilitëse për të zbritur apo ngjitur shkallët nëse jeton në pallat pa ashensor, kur pret të marrësh urbanin, të kalosh nga njëra anë e rrugës në tjetrën, dhe më torturuese akoma kur duhet të shkosh për një vizitë në ambulancën e lagjes ose të marrësh një çertefikatë.

E gjithë kjo kthehet në një proces të vështirë zinxhir, ku dhe njëra hallkë mos të funksionojë, e gjithë pjesa tjetër e humbet vlerën. Për infrastrukturën e kësaj kategorie njerëzish ka vendosur të raportojë kësaj here Citizens Channel.

Dhe askush më mirë se një aktiviste e mbrojtjes së të drejtave të kësaj shtrese s’mund të na rrëfente më mirë çdo peripeci të mungesës së theksuar së kësaj infrastrukture. Askush më mirë se juristja Suela Lala s’do të mund të artikulonte kaq mirë këtë problematikë, që mesa duket u përkët vetëm atyre dhe familjarëve që i ndihmojnë.

E gjendur prej shumë vitesh në një karrige me rrota për shkak të një aksidenti të së kaluarës, sot Suela njeh mirë të drejtat që u respektohen dhe shkelen asaj vete dhe miqve të ngjashëm. “Për të kryer të gjithë ato lëvizje që të tjerët bëjnë normalisht, ne na duhet ndihma dhe varësia nga një person i dytë. Për të mos thënë që shumë prej punëve ose në shumë prej institucioneve ku duhet të shkonim ose të kishim akses, është thjesht e pamundur për të hyrë. Përshembull institucionet që ofrojnë shërbim shëndetësor tek të cilët të gjithë ne herët apo vonë përballemi, në shumicën e rasteve nuk kanë asnjë rampë (zonë e pjerrët e nevojshme për ngjitjen dhe zbritjen e karrigeve me rrota) në hyrje. Marrim qendrën shëndetësore të zones ku unë jetoj, nr. 7 në mos gaboj. Ka shkallë në hyrje, nuk ka ashensor. Kështuqë për të bërë një injeksion të thjeshtë ose një konsultë me doktorin, të duhet të të ngrenë në krah, gjë e cila nuk është aspak dinjitoze por diskriminuese”, thekson Suela.

Suela Lala. Foto: Private

Të barabartë me ligje dhe në retorikë, por jo në realitet

Duke vijuar me infrastrukturën në qytet, ajo bën një tjetër analize të detajuar. Në bashkëpunim me arkitektë dhe e mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert, Suela është gjithashtu autore e një studimi që shfaq Tiranën me mundësi ideale lëvizjeje për personat me aftësi të kufizuara. Por situata ku ajo dhe të tjerët ndodhën, është shumë larg ideales.

“Trotuarët janë të paaksesueshëm. Ua pamundësojnë lëvizjen e pavarur personave me aftësi të kufizuara, pra atyre që përdorin karrige me rrota, si dhe personave të verbër. Shumica e tyre nuk kanë rampën e nevojshme në vendkalime apo vijëzimin e duhur për personat që nuk shikojnë. Transporti publik është gjithashtu problematik, si dhe stacionet e autobusëve nuk janë të përshtatur. Autobusët edhe kur kanë atë rampën, shpesh janë të tejmbushur dhe stafi i tyre nuk ka gatishmërinë e duhur për ta ulur apo hapur rampën në mënyrë që një person me aftësi të kufizuara të përdorë transportin publik”, sqaron Suela.

Përballja me institucionet për tërheqje dokumentacionesh, është një tjetër stres. “Në zyrat publike ke nevojë të marrësh një shërbim, certifikatë ose dokument. Këto janë të gjitha punë që duhet t’i kryejë dikush tjetër për ty sepse është e pamundur t’i aksesosh”. Edhe pse zgjidhjet gjenden, sipas Suelës situata duhet të jetë krejt ndryshe.

“Një institucion që ofron shërbime për publikun duhet ta konsiderojë publikun me të gjithë larmishmërinë e vet. Publiku mund të ketë edhe problem me ecjen, edhe një patericë. Jo të gjithë kanë njerëz ose të afërm që mund t’i kryejnë këta punë për ta. Është zgjidhje nga halli që nuk respekton pavarësinë, integritetin dhe dinjitetin. Sepse edhe personi i familjes që do të angazosh ka një jetë të tijën, i duhet të punojë.  Është një e drejtë që na takon ajo e të pasurit qasje në hapësirat publike. Sepse publiku nuk është si Tarzani të ngjisë tre kate me një këmbë”, ironizon Suela.

Stacion autobsi në Rrugën e Durrësit i mbyllur në të tre anët dhe me trotuar të lartë përballë, çka e bën të pamundur  të përdoret nga personat me aftësi të kufizuara. Foto: Amarildo Topi/Citizens Channel

“Pothuasje e pamundur të përdorim transportin publik.”

Edhe pse në sytë e Suelës ka përmirësime, ato janë shumë të ngadalta dhe nuk kanë mundur që t’ua përmirësojnë jetesën asaj dhe shumë të tjerëve. “Me ardhjen në krye të Bashkisë të z.Veliaj ka pasur një vullnet më të madh për të pasur një Tiranë të aksesueshme për të gjithë. Me gjithë vullnetin e mirë të Veliajt, problemi qëndron në ato ndërhyrje që janë bërë në Tiranë. Mund të përmend këtu projektin e shumëtrumbetuar të unazës së vogël të qytetit. Ndryshimet nuk janë bërë në standardet e duhura. Ato vijat e verdha që gjoja janë vendosur për të verbërit nuk janë aspak ilustruese, madje janë edhe të rrezikshme. Edhe në projektin avantgardë trotuaret janë më të larta; janë vendosur stacione autobusi të reja që janë të mbyllura në të tre anët dhe janë të ngjitura me rrugën. Dmth ti për të hipur dhe për të zbritur në stacionin e autobusit duhet të zbresësh më parë në rrugë dhe nga rruga të hipësh 20-30 cm për të pritur në stacionin e autobusit. Ka nonsense të tilla logjike edhe në projekte të reja infrastrukturore të trumbetuara si shumë të mira dhe cilësore”.

Ndërhyrjet e bëra në infrastrukturë në vitin 2015-2016 nga Bashkia e Tiranës, në lidhje me standardet e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar, nuk e entuziazmojnë aspak Suelën. “Problemi është se çështja ende nuk merret seriozisht saç duhet. Nuk ka stafe brenda Bashkisë që ta ndjekin me seriozitet këtë gjë. Nëse përgjegjësia është e të gjithëve, është edhe e askujt. Unë mendoj që duhet seriozitet më i madh nëse duam të kemi vërtet një qytet për të gjithë dhe të aksesueshëm. Nuk mund të jetë vetëm më slogane partiake qyteti i aksesueshëm për të gjithë, por duhet të kesh edhe mekanizmat në mënyrë që ta realizojnë këtë infrastrukturë të përshtatshme për të gjithë. Mos të mjaftohen vetëm me fjalën e kryetarit, por që kjo fjalë e kryetarit të ndiqet nga stafi i cili është i dedikuar dhe që merret me seriozitet për ta realizuar atë. Të mos mbetet vetëm në vullnetin dhe në dorën e firmave kontraktuese të ndërtimit që jep bashkia, të cilët herë e bëjnë mirë dhe herë e bëjnë keq. Pra nuk kanë supervizimin e duhur tek këto ndërhyrje për tu realizuar ashtu siç duhet.”

Duke u krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Suela thekson se ato vende ja kanë dalë mbanë dhe kanë standarde shumë të mira dhe gjithëpërfshirëse. “Nuk është as e pamundur dhe as çështje paraje. Nëse ju thonë që duhen para, kjo nuk është e vërtetë. Është vetëm mungesë serioziteti.”

Autor: El.El/Citizens Channel

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *