Merkel: Dy partitë e mëdha kanë monopolizuar garën politike në Shqipëri (Video)

Prof. Dr. Wolfgang Merkel duke folur për Citizens Channel

Citizens Channel ka biesduar në lidhje me demokracinë shqiptare me profesorin e njohur të shkencave politike në Gjermani, Prof.Dr. Wolfgang Merkel. Ai është profesor i shkencave politike krahasuese dhe studiues i demokracisë pranë Humboldt University Berlin dhe Drejtor i Njësisë së Kërkimit për Demokracinë pranë Berlin Social Science Centre (WZB).

Profesor Merkel, faleminderit që pranuat ftesën për intervistë. Ndihem i nderuar që kam mundësinë të bisedoj me ju për lexuesit e Citizens Channel. Para së gjithash mirë se erdhët në Shqipëri!

Unë jam i kënaqur që jam këtu dhe që jam duke folur me ju.

Është hera e parë që vizitoni Shqipërinë?

Po, është hera e parë. Fatkeqësisht do të rri këtu vetëm për tre ditë, por jam i sigurtë se do të kthehem për të ndenjur më shumë dhe për të njohur më mirë vendin tuaj të mrekullueshëm.

Çfarë iu solli në Shqipëri?

Interesi, do të thoja. Unë kam interes të veçantë për demokracitë e reja. Kur demokracitë e reja rezultojnë të suksesshme? Ato demokraci që vijnë nga regjime diktatoriale dhe tranzitojnë në regjime demokratike. Ky është interesi im profesional. Dhe Shqipëria është një vend që do të thoja, se ka pasur një komunizëm të ‘epokës së gurit’ në vitet 60’, 70’ edhe madje në vitet 80’. Si një vend i tillë ia ka dalë të ketë demokraci?

Që jetojmë në një vend demokratik e dëgjojmë shpesh nga politikanët tanë prej 27 vitesh. A është kjo e vërtetë?

Unë do të thoja se kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Ka institucione themelore demokratike. Ju keni zgjedhje të përgjithshme të lira, por nëse ato janë të ndershme kjo është një tjetër pyetje. Pra keni institucione demokratike që punojnë të paktën në mënyrë formale. Kjo është ana pozitive. Por ka edhe një anë tjetër. Demokracia merr jetë nga elitat dhe qytetarët. Këtu shoh disa probleme me demokracinë tuaj të re dhe do të shtoja menjëherë edhe demokraci me defekte. Ju nuk jeni Suedia, Danimarka apo Finlanda. Është tjetër lloj demokracie.

Ne kemi zhvilluar një koncept ku ju keni institucione demokratike, por këto institucione kanë defiçite, që ne i quajmë defekte. Përshembull në vendin tuaj ka probleme me sistemin gjyqësor, partitë kolonizojnë institucionet e tjera, ka një dominim të ekzekutivit dhe ka korrupsion. Këto janë elemente që nuk funksionojnë. Prandaj do ta përcaktoja regjimin tuaj politik si demokraci me defekte, më afër me demokracinë se sa me një regjim autoritar, por ka ende një rrugë të gjatë për tu bërë e qendrueshme, liberale dhe funksionale.

A ndeshen të njëjtat defekte të demokracive të reja edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Sigurisht. Do të thoja se në të gjitha këto vende, si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe atë Lindor, është vetëm një demokraci e gjysmë, vërtet funksionale. Për mua është Sllovenia. Është një demokraci që të krijon përshtypjen për një të ardhme të qendrueshme dhe cilësia e demokracisë nuk ndryshon shumë nga vendet e Europës Perëndimore. Madje do ta konsideroja si demokraci më të mirë se sa në Greqi.

Kroacia është vendi gjysmë, ku kemi një demokraci funksionale. Ka ende rrugë për të bërë, por sërish është shumë më e zhvilluar se Shqipëria. Kjo nuk është e papritur sepse Kroacia dhe Sllovenia janë të zhvilluara më mirë ekonomikisht. Këto kanë lidhje të ngushtë: sa më i lartë zhvillimi ekonomik, aq më shumë rriten premisat për demokraci. Kjo është një pikë.

Gjithashtu rruga që ndoqën këto vende nga regjimi i Titos në vitet 60’-70’ dhe pas Luftës Civile, është me e shkurtër se e Shqipërisë, ku nuk kishit asnjë strukturë që mund të ngjasonte me institucionet demokratike.

Por unë nuk dua të flas vetëm për institucionet. Kjo ka të bëjë edhe me vetë njerëzit. Njerëzit që kanë zhvilluar disa virtyte qytetare. Ju keni zhvilluar shoqërinë civile, por kjo kërkon ende kohë. Duke qenë se kanë kaluar 27 vite mund të themi se është një kohë e gjatë, sidoqoftë ne njohim vende të tjera në Amerikën Latine, Azi dhe Europën Lindore, që nuk ia kanë dalë të kenë një sistem me demokraci funksionale. Prandaj për Shqipërinë do të thoja se duhet pak durim dhe të zhvilluarit e të menduarit në mënyrë kritike.

Qytetarët shqiptarë dëgjojnë prej 27 vitesh fjalën tranzicion dhe ndihen të lodhur. Si mund të arrihet stabiliteti?

Kjo është një pyetje 1 milion dollarëshe. Ndoshta ju keni një lloj stabiliteti, por nuk është një stabilitet demokratik. Në njëfarë mënyre është në një zonë gri afër demokracisë liberale.
Për sa kohë që dy partitë kryesore në vend, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, instrumentalizojnë rregullat themelore demokratike të lojës, luajnë me institucionet, ndryshojnë shumë shpesh Kushtetutën, atëhere nuk mund të ketë stabilitet. Pra varet shumë nga këta dy aktorë kryesorë nëse demokracia mund të hedhë rrënjë të forta dhe të jetë e qendrueshme.

Ju përmendët dy partitë më të mëdha në Shqipëri, por të regjistruara zyrtarisht në të gjithë vendin janë më shumë se 60. Si e shikoni të ardhmen, do të kemi konsolidim të partive të vjetra apo do të shohim krijimin e partive të reja?

Do të thoja se kjo shifër nuk na thotë shumë. Edhe në vende të tjera do të gjeni shumë parti të regjistruara, por nuk kanë aspak rëndësi në zhvillimet politike.
Mund të ketë parti në miniaturë, por ato nuk kanë impakt në zhvillimin e demokracisë. Ne duhet të flasim për ato parti që ia kanë dalë të përfaqësohen në Parlament dhe numri i tyre është më i vogël.

Si vëzhgues i jashtëm mund të them se është mahnitëse se si këto dy parti lëvizin në qendër të sistemit partiak dhe nuk mund të bësh dallimin në janë të djathta apo të majta. Ndonjëherë Partia Demokratike është më sociale se sa neo-liberalizimi i Partisë Socialiste.
Pra nëse ka dy parti që migrojnë në qendër të sistemit partiak supozohet se ka hapësira politike në të majtë dhe në të djathtë, por nuk ka aktorë politikë kreativë të mbushin këtë hapësirë politike. Kjo të çon në faktin se dy partitë e mëdha kanë monopolizuar garën politike në vendin tuaj dhe kjo nuk është diçka e mirë.

Ju keni nevojë për parti të reja, të cilat sjellin ide të reja dhe stil të ri të të bërit politikë. Këtë e keni në të majtën, LSI-në dhe LIBRA-n,  që janë shkëputur nga Partia Socialiste. Por ato duhet të zhvillojnë stilin e tyre. Ndoshta edhe e bëjnë, por këtë duhet ta dini ju më mirë. Por mua më bën shumë përshtypje si vëzhgues i jashtëm se si dy partitë kryesore lëvizin në qendër të sistemit partiak dhe nuk krijohen parti të forta të djathta ose të majta.

Një studim i fillimit të këtij viti tregoi se shqiptarët nuk kanë besim tek partitë dhe Parlamenti. Si mund të tërheqim qytetarët të mbështesin këto parti të reja?

Unë kuptoj dy pyetje këtu. E para ka të bëjë me besimin e ulët në ato institucione dhe organizata që ne qytetarët mund të votojmë. Ky është një paradoks demokratik. Ne votojmë për partitë politike, ne votojmë për anëtarët e Parlamentit dhe në mënyrë direkte apo indirekte për anëtarët e qeverisë, por nuk kemi besim.

Kur bëhet fjalë për institucione të tjera në Europë, si atë Perëndimore apo Lindore, ka besim të madh tek institucionet që nuk mund të votojmë. Në vendet e Perëndimit ka shumë besim tek gjyqësori, ushtria, policia dhe kisha. Pra ne u besojmë më shumë këtyre organizatave shtetërore ose fetare, të cilat nuk janë pjesë e garës demokratike. Ky është një paradoks.

Përse kjo gjendie?

Sigurisht është një lloj zhgënjimi. Partitë politike garojnë kundër njëra-tjetrës dhe premtojnë të zgjidhin problemet politike, por shpesh nuk mund ta bëjnë. Thjesht sepse nuk kanë burimet ose vendimet e mëdha janë marrë nga tregjet ndërkombëtare, aktorët apo regjimet ndërkombëtare dhe investitorët globalë.

Duke qenë se Shqipëria është një vend i vogël ju duhet të jeni të hapur ndaj investitorëve të huaj dhe ndonjëherë ata janë më të fortë se qeveritë kombëtare. Por partitë kombëtare duhet t’u thonë njerëzve ne qeverisim, ne kemi zgjidhje për të gjitha problemet në shëndetësi, në arsim, në uljen e varfërisë, në zvogëlimin e pabarazisë dhe shpesh ato dështojnë. Kjo krijon zhgënjim dhe barra bie mbi partitë.

Çfarë mund t’i këshillojnë ekspertët një demokracie të re ku partitë politike nuk janë aktorët më inovativë? Sigurisht do të thoja: nisni të angazhoheni. Shkoni në organizata politike, forconi shoqërinë civile, luani rol më aktiv. Të rinjtë e bëjnë këtë. Në përgjithësi ata nuk bashkohen me partitë politike, por i bashkohen Amnesty International, Human Rights Watch, organizatave mjedisore dhe organizatave të tjera të këtij lloji. Kjo ndihmon sepse në këtë mënyrë ndikon në agjendën politike dhe mund të ndryshosh drejtimin e partive politike. Ky element është i pazhvilluar në vendin tuaj, ashtu si në vende të tjera post-autoritare, por sigurisht është diçka që demokracia ka nevojë për të kontrolluar partitë politike, të monitorojë demokracinë.

Mendoj se në epokën digjitale ku përdorim internetin për shumë iniciativa, mund të krijojmë lidhje mes njerëzve, platformave dhe rrjeteve të interesit. Pra ka një shans për të krijuar një shoqëri civile digjitale që partitë politike nuk mund ta neutralizojnë tërësisht. Kjo është ajo që mund të rekomandohet, veçanërisht të rinjve.

Të ndalemi tek të rinjtë. Shumë prej tyre, si në Shqipëri po ashtu si edhe në vendet e tjera të Ballkanit, largohen në vendet e Perëndimit në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Shifrat janë shqetësuese, veçanërisht në profesionet e mjekësisë, inxhinierisë dhe IT-së. Në këtë mënyrë largohet potenciali i të rinjve nga rajoni, ata që mund të ndryshojnë diçka. Si e shihni këtë situatë edhe në lidhje me kushtet që duhet të plotësojnë vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Europian?

Sigurisht që ky është një problem dhe e them hapur se nuk kam një zgjidhje të lehtë. Nëse do ta kisha, nuk do të isha një profesor i thjeshtë por do të kisha një rol më të rëndësishëm.

Largimi i trurit, pra njerëz të mirëarsimuar nga vende jo të zhvilluara që largohen në vende të pasura, është një fenomen që nuk mund ta shmangim në një botë të hapur me shoqëri të hapur. Nëse ke kufij të hapur dhe një mjek në Gjermani apo Suedi mund të fitojë 20 herë më shumë se në vendin tënd, atëherë natyrisht që shumë të rinj do të largohen.

Pra unë mendoj se duhet krijuar një atmosferë e frytshme ku njerëzit të shohin një shans për të qendruar në vendin e tyre, duke mos pasur si synim kryesor vetëm të ardhurat ekonomike. Investitorët e huaj, duke përfshirë edhe Bashkimin Europian, duhet të mbështesin një vend si Shqipëria për të krijuar një ambient më produktiv për njerëzit, që ata të rrijnë këtu.

Vendimi për t’u larguar nga vendi yt nuk është i lehtë, preferenca kryesore është të qendrosh, por edhe të kesh një të ardhme gjithashtu. Deri tani mendoj se forcat politike në vendin tuaj nuk kanë bërë gjithnjë atë që duhet të kishin bërë për të mbajtur këtu qytetarët.

Intervistoi: Amarildo Topi

Leave a Reply

%d bloggers like this: