Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Matjet e fundit: Banorët e Tiranës vazhdojnë të thithin ajër kancerogjen

Banorët e Tiranës thithin ajër disa herë më të ndotur se sa kufiri i lejuar i BE-së. Dhe kjo ndodh në pjesën më të madhe të vitit, ku së bashku me ajrin, kryeqytetasit marrin edhe një dozë të mirë PM10 (blozë) dhe NO2.

Sipas raportit të monitorimit të cilësisë së ajrit të kryer në periudhën 11-19 shkurt 2017, në stacionin e lëvizshëm që përgjithësisht vendoset përpara bashkisë së Tiranës, ka rezultuar se vlerat e PM10, që është një ndër ndotësit më të rrezikshëm pasi janë grimca shumë të imëta, janë në nivele shumë ta larta.

Më konkretisht, në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për Tiranën, thuhet se bazuar në të dhënat e monitoruara “vërejmë se mesataret ditore tejkalojnë normën e BE-së prej 50 µg/m³ për plot 7 ditë nga 9 ditë të monitoruara”. Po ashtu i njëjti raport citon se edhe mesatarja e ndotjes së ditëve të monitoruara është mbi normën e BE-së ku vlera është 70.73 µg/m³ me një tejkalim prej 41%”.

Siç mund të vihet re edhe nga tabela, dita më e ndotur e muajit që lamë pas ka qenë data 16 shkurt, ku prezenca e PM10 ka qenë plot 90 µg/m³, nga50 µg/m³ që ështe vlera e lejuar nga BE.

Në fakt edhe fundi i 2016-ës është karakterizuar po nga e njëjta situatë e rëndë e cilësisë së ajrit në Tiranë. Nga 17 ditët e monitoruara për praninë e PM10 ka rezultuar se në 12 prej tyre tejkalohet norma e BE-së për PM10, ndërkohë që norma e lejuar nga BE e ditëve që mund të tejkalohet kjo ndotje është vetëm 35 ditë në vit.

Sipas OBSH-së, kur ndotja tejkalon limitet e vendosura (maksimumi 35 ditë në vit) atëherë ata kanë pasoja në shëndetin e njerëzve pasi mund të shkaktojë kancerin e mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe sulmet në tru. Pikërisht këtij niveli të lartë të ndotjes në vendin tonë, OBSH i atribuon edhe 500 vdekje të parakohshme.

“Duke analizuar të dhënat e monitoruara për periudhen 13 dhjetor 2016 – 13 janar 2017 në stacionin e Bashkisë kemi tejkalim të vlerës mesatare vjetore në krahasim me normën mesatare të BE për PM10 dhe NO2 në masen 57.9%. dhe 72%.”, thuhet në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Ndërsa sa u përket treguesve të tjerë si SO2, O3 dhe Benzen gjatë periudhës së monitorimit nivelet e tyre janë nën normat e BE dhe nuk përbëjnë problem për ndotjen e ajrit në zonën e monitorimit.

Monitorimi i ajrit ne Tirane. Ndotja e ajtrit ne Tirane. Citizens Channel

Ekspertët: Të dhënat nuk janë të besueshme, aparaturat kanë tre vite që nuk kolaudohen

Agron Deliu, specialist i cilësisë së ajrit dhe që ka përgatitur deri në 2015-ën të gjitha raportet e ISHP-së për cilësinë e ajrit, i lexon me skepticizëm këto shifra. “Ka dy probleme të mëdha në këto shifra. Së pari janë shumë sporadike, pasi që të dalësh në një raport dhe të dhëna të certifikuara duhet të ketë matje së paku në 51% të ditëve të vitit të monitoruara dhe rezultatet duhet të çertifikohen nga institute të specializuara, dhe së aparaturat nuk funksionojnë në rregull pasi janë lënë pas dore për mungesë fondesh dhe nuk janë të kalibruara që nga viti 2013. Kështu që edhe të dhënat që ata japin unë kam dyshime nëse janë të sigurta”, thotë për Citizens Channel eksperti Deliu, që megjithëse që nga 2015-ta është i pensionuar nuk ka hequr dorë nga puna.

Por sipas tij edhe kështu këto të dhëna flasin për një ndotje shumë të madhe në Tiranë. “Edhe nëse ne do të lexojmë vetëm këto të dhëna mund të themi me siguri se Tirana është shumë më e ndotur se disa vite më parë. Norma e OBSH-së lejon që kjo ndotje të tejkalohet vetëm 35 ditë në vit, kurse në Tiranë rezulton se nga 17 ditë të matura, në 12 ditë tejkalohet ndotja. Imagjinoni pak se çfarë ajri thithim përgjatë një vit”, thotë Agron Deliu.

 Ai na tregon se duke filluar nga viti 2010-2013 Tirana ka pasur katër stacione monitorimi 24 orën në 24 të cilësisë së ajrit dhe rezultatet ishin të çertifikuara nga institucionet ndërkombëtare. Por pas kësaj periudhe qeveria shqiptare nuk investoi në mirëmbajtjen e aparaturave që kanë pasur probleme. “Nuk mund të bësh matje vetëm një javë në muaj dhe të thuash që këto janë të dhënat. Duhet që matjet të jenë të vazhduara që të mund të dalësh në një raport konkret. Kur këto shifra janë kaq të larta në dimër, imagjino çfarë ndodh në verë”, thotë për Citizens Channel Deliu.

Në fakt edhe Instituti i Shëndetit Publik, ka një stacion monitorimi të vendosur tek Ambulanca e Madhe, por ata prej kohësh nuk raportojnë për nivelet e ndotjes së ajrit. Arsyeja: nuk u rakordojnë shifrat me të dhënat e publikuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

“Në fakt ne kemi një stacion tek Ambulanca e Madhe por të dhënat tona për muajin janar dhe shkurt na kanë dalë shumë më të ulëta se sa shifrat që kanë publikuar Bashkia Tiranë dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Dyshojmë që aparaturat tona mund të kenë nevojë për kolaudim, ndaj nuk i kemi raportuar të dhënat. Do të shikojmë se si do të na dalin të dhënat edhe për këtë muaj që jemi dhe më pas do të kërkojmë që aparatura të dërgohet jashtë për kolaudim”, na shpjegojnë burime nga ISHP-ja.

Ndotësit kryesorë

Trafiku i rënduar, vjetërsia e automjeteve dhe cilësia e karburantit si dhe punimet që po bëhen në rrugë akuzohen si shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Tiranë.

Në kryeqytet qarkullojnë çdo ditë më shumë se 100 mijë automjete, ndërkohë që përllogaritet që transporti kontribuon me 48-60% të ndotjes së ajrit. Po ashtu mosha mesatare e automjeteve të pasagjerëve është 18.4 vjet, duke bërë që të jenë kështu kontribuesit më të mëdhenj të ndotjes së ajrit me PM10.

Eksperti Deliu shikon si zgjidhje kryesore kontrollet rigoroze për cilësinë e karburanteve dhe rregullimin e trafikut. “Larja dhe pastrimi i rrugëve, por më kryesorja rregullimi i trafikut në mënyrë që automjetet të mos qarkullojnë me shpejtësi kaq të ulët, por edhe rritja e kontrolleve mbi cilësinë e karburantit do të ishte zgjidhja”, shpjegon ai për Citizens Channel.

Strategji për ajrin

Duke filluar që nga viti 2014 në vendin tonë ekziston një strategji kombëtare për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, por që rezultatet nuk duken. Edhe në këtë dokument bazë të qeverisë shqiptare tërhiqet vëmendja se dalin të dhëna për ndotjen e ajrit, por nuk është aplikuar asnjëherë kontrolli i cilësisë së të dhënave.

“Praktika e tanishme e monitormit nuk është në linjë me kërkesat e BE-së. Stacionet automatike të monitorimit prodhojnë të dhëna të përqendrimeve të cilësisë së ajrit, por siguria dhe kontrolli i cilësisë së të dhënave nuk është aplikuar ndonjëherë, me përjashtim të dy stacioneve automatike të Tiranës që menaxhohen nga ISHP-ja gjatë periudhës 2011-2013. Sigurimi i cilësisë është i nevojshëm nëse të dhënat do të konsiderohen të pranueshme dhe do të përdoren për krijimin e informacionit që duhet për menaxhimin e cilësisë së ajrit”, thuhet strategjinë e cilisësë së ajrit.

Duke analizuar punën e institucioneve që kanë për detyrë të monitorojnë cilësinë e ajrit si dhe të marrin masa për uljen e ndotjes, kjo strategji kërkon ndarje të përgjegjësive. “Ekziston në një fare mase një mbivendosje dhe fragmentizim i përgjegjësive ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Institutit të Shëndetit Publik. Riorganizimi dhe konsolidimi i institucioneve ekzistuese është i nevojshëm. Është, gjithashtu, mjaft e rëndësishme ndarja e qartë e përgjegjësive ndërmjet autoriteteve të ndryshme administrative”, thuhet në këtë strategji.

Po ashtu strategjia vë theksin se kontrolli i shkarkimeve të gazeve nga automjetet është i pamundur të kryhet nga institucionet përkatëse përgjegjëse, për shkak të kapaciteteve jo të duhura për kryerjen e matjeve nga shkarkimet e motorëve.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *