Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gra që na frymëzojne/ Lufta e fituar e Anilës

Ka njerëz që dhimbja dhe vuajtja i tjetërson. I bën të dobët, u ul vetëbesimin, i bën të humbasin çdo përballje me vështirësitë. Por ka dhe nga ata që i’a dalin mbanë, edhe kur fati i vë me shpatullat pas muri. Madje dramën e tyre e kthejnë në forcë, bëjnë art me të. E tillë është edhe historia e Anila Krutit, nënë e dy fëmijëve, shkrimtare e tre librave me poezi, pedagoge e letërsisë dhe psikologjisë.

Ishte viti 2005 kur Anila solli në jetë fëmijën e saj të parë. Një djalë të bukur, që lumturoi të gjithë familjen.  Asokohe jetonte në Përmet me të shoqin. Muajt kalonin dhe gjithçka dukej të ishte mëse normale. Deri në muajin e tetë, kur e ëma i tha: “Ka diçka që s’shkon me këtë fëmijë”. “Aty fillova dhe unë të nuhas diçka. Djali im nuk fliste, luante vetëm, larg fëmijëve të tjerë, ishte i shpërqendruar. Falë Zotit nuk ishte i dhunshëm! Për fatin e tij të mirë nuk ishte agresiv, por edhe për fatin tim. Në moshën 3 vjeç e gjysëm vendosa ta çoj për një vizitë të specializuar në Greqi. Mjeku aty më tha që ka fëmijëri të vonuar, nuk e klasifikoi si autizëm”, thotë Anila për Citizens Channel.

Pastaj më pas dyshimet u vërtetuan, dhe ato momente ishin më të vështirat e jetës së saj. “Qava shumë, por i dhashë vetes kurajo dhe forcë. Nëse do të isha unë e fortë, do të ndihmoja dhe tim bir”. Aty ndryshoi rrjedha dhe jeta e nënës së re. “Në atë kohë isha në një punë shumë të mirë, si mësuese letërsie në një shkollë në qytet, sapo kisha blerë shtëpinë e re. Por u hoqa vizë të gjithave. Lashë gjithëçka dhe vendosa të shpërngulem në Tiranë. Mjeku në Greqi më kishte rekomanduar që të shkoja në një qendër për zhvillimin e fëmijëve. Kisha dëgjuar për një qendër për fëmijët autikë në Kombinat dhe aty shkova”, tregon Anila, ende duke reflektuar edhe pas kaq vitesh vendosmërinë e asaj sipërmarrjeje.

Anila Kruti Foto: Private

Kurajoja dhe forca e kësaj gruaje ishte më e fortë se sfida me të cilën fati po e sprovonte. “Braktisa gjithçka, sepse për mua nuk vlenin shtëpia dhe puna e mirë, por vlente e folura e tim biri, normaliteti i tij. Sfida ime më e madhe ishte ta rehabilitoja dhe ta integroja në shoqëri.” Një vit të pandërprerë ajo bënte copëza kartoni me ngjyra të ndryshme, krijonte lojëra praktike për t’i zhvilluar njohuritë dhe aftësitë, i përkushtohej në maksimum dhe lexonte e informohej pafundësisht se si të fitonte luftën ndaj autizmit.

“Pas një viti, kur djali ishte 4 vjeç e gjysëm, ndodhi mrekullia. Isha ulur në kompjuter duke shkruar, (librin e parë e kam botuar kur lindi djali) mu afrua dhe më foli. Mbaj mend dhe se çfarë shqiptoi.  Më tha fjalët: Dritë, eja të ecim… Është i paharrueshëm ai çast! Mora nënën time në telefon dhe i tregova”, tregon me lotë gëzimi Anila.

Më pas sukseset pasuan njëri-tjetrin. Derisa i biri mbushi 7 vjeç, ajo qëndroi mënyrë të pandërprerë me të, e ndihmuar dhe nga bashkëshorti dhe pjesa tjetër familjes. Më pas u rikthye në punë, pas 11 vitesh solli në jetë dhe një tjetër djalë, shkroi librin e dytë me poezi, në të cilin shprehu të gjithë dhimbjen e kohëve të para rë bashkëshjetesës me sëmundjen, si dhe përfundoi studimet për master, teza e të cilit ishte autizmi.

Anila intervistoi dhjetëra nëna fëmijësh që vuajnë nga autizmi. “Doja të kuptoja se çfarë kishin kaluar ato gra, në çfarë gjendjeje i kishin fëmijët e tyre. U jepja shembullin tim të suksesit, dhe ndaja me to çdo informacion të vlefshëm që kam mbi autizmin”, thotë me krenari Anila.

Sot i biri është në klasë të katërt, në një shkollë shtetërore. Flet rrjedhshëm, shkon shumë mirë me mësimet dhe ka shoqërinë e tij. Anila e ka fituar luftën e saj. “Fëmijët autikë janë thesar. Im bir është thesar.”

Autor: El.El / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *