Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Opinion/A nuk jetojmë në një shoqëri para demokratike…?

Nga Artur Nura

Protestat e Opozitës përpara kryeministrisë dhe parlamentit nuk përbejnë ndonjë risi për rastin socio – politik të shoqërise shqiptare. Ne fakt, ato janë një kopje e Grevës se Urise realizuar po në të njëjtin vend nga ish Opozita e Majtë, me ne krye kryeministrin e sotëm Edi Rama! E majta atëhere formalisht kërkonte hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të përgjithshme duke justifikuar kështu një humbje elektorale të partisë socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama. Ndërsa Partia Demokratike sot me ne krye Lulzim Bashen, me shumë gjasa po përgatit justifikimin e humbjes së zgjedhjeve të ardhshme.

Qëllimi në të dyja rastet synon mbajtjen e pushtetit në partitë politike respektive pavarësisht humbjeve elektorale! Pra asgjë që sjell më shumë demokraci siç edhe proklamojnë ata nëpërmjet artikulimit të djeshëm dhe të sotëm, respektivisht Edi Ramës dhe Lulzim Bashës! Nga te gjitha këto protagonizma teatrale politike, jo pak e kushtueshme në kohe, de-stabilitet dhe pse jo para, shoqëria shqiptare nuk ka fituar dhe, nuk fiton asgjë! Ato mbeten makinacione për te mbajtur, apo fituar pushtetin dhe sjelle rrotacione të cilat konfirmojnë “status quo” e këtyre 27 viteve!

27 vitet e demokracisë shqiptare janë afër me demokracitë perëndimore?

Besoj se do ishte e drejtë ta fillonim analizën nga Politika, si elementi me i fuqishëm i shtet-bërjes dhe sigurisht më përgjegjëse ndaj këtyre zhvillimeve përkatëse. Padyshim që nuk duhet anash-kaluar përgjegjësia edhe e elementëve të tjerë të shtet-bërjes siç janë shoqëria civile, media, profesionistët të cilët premtoj t’i shtjellojmë së bashku në shkrimet në vijim.

John Rawls, filozof politik amerikan, në veprën e tij “Teoria e Drejtësisë” (1971) pranon se një koncept i drejtësisë sociale duhet të përfshije nocionin e paanshmërisë “se në qoftë se parimet mbi të cilat një sistem social bazohet, janë të prirura drejt një grupi të veçantë (një klase shoqërore, ndoshta, apo një partie politike, një individi), ai sistem automatikisht kthehet i padrejtë…”

A është sistemi ynë politik i padrejtë? Le t’i hedhim një sy këtyre 27 viteve të pluralizmit tonë problematik dhe, besoj se lexuesi do të ndajë të njëjtin mendim me mua se përtej faktit që kemi mbi 70 parti politike, ata që kane vendosur, ata që kanë pasur rol në këto zhvillime ndoshta janë vetëm 2 ose 3 persona, ndoshta 4!  Kjo skemë vazhdon edhe sot e kësaj dite me të njëjtin karakter, si një film i parë tashmë, por vetëm që artistet që e interpretojnë kanë ndërruar rolet!

Këtë argument e konfirmon dhe artikulimi politik i çdo politikani tjetër të cilët sa herë kanë mundësinë të flasin në publik, ekrane e faqe gazetash nuk harrojnë kurrë te thonë se, në sajë të Ramës, Bashës, Metës apo Berishës… siç e ka thënë Rama, Basha, Meta dhe Berisha nën drejtimin e… me largpamësinë e… pra liderit të partisë së tyre, partia dhe vendi kanë arritur këto rezultate që sipas tyre janë të jashtëzakonshme.

Besoj apriori se emrat e liderëve politikë artikulohen shumë më shumë nga të tjerët dhe se sa ata vetë të gjithe së bashku na shfaqen vetë në ekrane, fenomen për të cilin ka edhe ankesa publike. Kjo ndodh rëndom në PD, PS, LSI, PR, PSD, AP dhe deri te partia e 77-të. Kush ka guxuar të dalë kundër kësaj skeme ka përfunduar jashtë partisë, por jo në pak raste edhe më keq se kaq… e ka gjetur veten në “asgjëkundin publik”, pavarësisht kontributeve dhe vlerave që përfaqëson në të vërtetë ai/ajo. Ata askush nuk i konsideron më as në Media as në Shoqërinë Civile, jo me në parti…

E thëne me konkretisht, politika shqiptare është kontrolluar nga pak duar të cilat duke pasur përballe një shoqëri aspak reaguese, dhe pjesën e saj të organizuar në Shoqërinë Civile, Mediat dhe Organizimet e tjera akoma më apatike se vetë stereotipi socio-politik i individit, kanë pasur vetëm problemin e kontrollit ndaj liderit kundërshtar që kontrollon kampin opozitar, ose anasjelltas.

Por, për të mos ngelur në fraza të përgjithshme, duhet të themi se këta politikanë janë Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha dhe pastaj të tjerët Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Shpetim Idrizi, Artur Dojaka etj, që zbatojnë të njëjtin model kontrolli në partinë e tyre, por karshi këtyre 2 ”“ 3 ”“ 4 të mëdhenjve janë thjeshtë zbatues direktivash dhe detyrohen të shkojnë sa tek njëri të tjetri krah…

Padyshim që drejtuesit e këtyre partive të vogla ndjehen të frustruar nga pushteti i pamatë i liderëve të partive të mëdha, por ata janë plotësisht të shkëputur nga shoqëria e cila në gjysmën e saj militante është e lidhur me partitë e mëdha që kanë pushtet dhe para e mundësi për ta dhe si rrjedhim, edhe me liderët e tyre të cilët arrijnë deri në ovacione përballë masave militante.

Ky relacion është funksional sepse fillon drejtpërsëdrejti nga partia tek turma e cila sigurisht që i ndjek ata/ato. Kur themi turmat kemi parasysh militantët dhe pjesëmarrësit në aktivitete politiko partiake. Janë anëtaret e partisë që janë zgjedhur nga lideri në organe drejtuese me qëllimin e vetëm të besnikërisë ndaj tyre dhe që në shumë raste nuk zgjidhen duke bërë një jetë partie, por katapultohen nga jashtë partisë.

Në parti këta, “teknokrate” kanë vetëm një “meritë”, besnikëri ndaj liderit. Kjo besnikëri është absolute sepse ata nuk kanë kontribute të tjera veç asaj që e kanë mirë me liderin fuqiplotë të partisë dhe ndaj të cilit janë deri servilë dhe pa karakter personal. E njëjta skemë funksionon në miniaturë edhe tek partitë e vogla gjë që bën që vetëm gjysma e shoqërisë me të drejtë vote të shkojë në kutitë e votimit për të vendosur nga kush dhe si të qeverisemi!

Nga ky qorrsokak qeveriset prej 27 vitesh Shqipëria jonë e dashur dhe e vuajtur e cila mbahet në këmbë nga taksat e të gjithë shqiptarëve, gjysma e të cilëve me e kualifikuar, deri tani, nuk ka gjetur mekanizmat e duhura socio-politik për tu intriguar dhe bërë pjesë e vendimmarrjes të vendit dhe përmirësimit të Demokracisë Shqiptare e cila në bazë të principeve të John Rawls,  duket padyshim i padrejtë!

Lëvizja kundër armeve kimike dhe shoqëria jo politike

Lëvizja e të rinjve në vitin 2013 dhe protestat e tyre ndaj mundësisë së sjelljes për shkatërrim të armëve kimike në Shqipëri, e paorganizuar në pikëpamje partiake por sigurisht politike, personalisht shpresoja se do të mbante gjatë debatin socio-politik midis nesh në të gjitha nivelet e mundshme dhe do të sillte ndryshim. Por në fakt nuk ndodhi ashtu!

Ajo lëvizje shoqërore pati një dimension pozitiv dhe të munguar në këto vite të demokracisë shqiptare. Ata të rinj e të reja, tentativës për ta përdorur atë politikisht iu kundërvunë me forcë dhe ia dolën të mbanin jo partiake atë energji masive shoqërore kundër vullnetit të tyre. U synua, dhe me sa duket ja kanë dalë të eklipsonin dimensionin e saj antikorformist me realitetin socio-politik të këtyre 27 viteve të pluralizmit tonë demokratik.

Qëllimi duket se ishte, është sigurisht që të fshihet fryma që të rinjtë e panjohur publikisht treguan ndaj individëve politikë dhe publikë të shoqërisë sonë para-demokratike: politikanëve, atyre që rëndom përfaqësojnë atë që zyrtarisht quhet Shoqëri Civile dhe pse jo, edhe analistëve të kudo ndodhur dhe për çfarëdo argumenti njohës te tij.

Disa prej organizatorëve të panjohur të atyre djemve dhe vajzave të reja kërkuan të përzënë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën dhe, bënë të njëjtën gjë me Fatos Lubonjën, Elsa Ballaurin, Sazan Gurin gjithashtu, me fjalët IK, IK, IK dhe ja dolën ta mbanin të pastër Lëvizjen e tyre nga establishmeti i vjetër dhe fituan…

Jo rastësisht, Aleanca Kundër Importimit të Plehrave (AKIP) në mënyrë të ndarë nga protestuesit e rinj mori 35.000 mijë firmat e po atyre që po protestonin dhe ia dërgoi kryeministrit Edi Rama si rezultat i punës dhe meritës së tyre! Pas protestave AKIP doli në konferencë shtypi duke i bërë analizën asaj lëvizje që ata, më mirë se kushdo tjetër e dinin që nuk është e tyre dhe nuk donin ta besonin një gjë të tillë. Pak a shumë në mënyra të ngjashme reaguan edhe faktorët dhe aktorët e vjetër të kësaj demokracie të vjetër në formë dhe përmbajte deri sa sot ajo Lëvizje historike u harrua.

Nuk i dihet akoma, nëse pas protestës së Opozitës të Lulzim Bashës që artikulon Republikën e Re me metoda të vjetra, ne do të kemi një tjetër Lëvizje të ngjashme! Por personalisht besoj se deri sa Politika, Shoqëria Civile dhe Media të dominohen dhe kontrollohen nga vetëm 3 ose 4 persona, nëse se nuk shembim këtë sistem, ne do të mbetemi përsëri  tek Teatri Politik i radhës dhe do mbetemi një shoqëri para demokratike… Jo?!

Autor: Artur Nura / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *