Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mijëra martesa nën 18 vjeç / Gjykata i jep “Ok” se ngelin shtatzanë

Të martohesh fëmijë, pa mbushur ende të 18-at, nuk është as një fenomen i ri dhe as i panjohur për shqiptarët. Por nëse u hedhim një sy të dhënave të INSTAT, dallohet qartë që ky fenomen ka karakter gjinor. Më konkretisht, nëse u referohemi raporteve të INSTAT për martesat, në vitin 1990 numri i vajzave të martuara të grupmoshës 15-19 vjeç ishte plot 6 mijë, ndërkohë që vetëm 350 djem të kësaj grupmoshe i kishin dhënë fund beqarisë.

Shifrat nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të madh as në 2015-ën. Po sipas INSTAT në fund të 2015-ës u raportua se plot 5300 vajza nga 15-19 vjeç vunë unazë në gisht, përkundër 169 bashkëmoshatarëve të tyre djem.

Shifrat bëhen edhe më alarmante, po duke iu referuar INSTAT, kur raportohet se 2% e 15-vjeçarëve në vendin tonë, janë tashmë të martuar. Si pasojë shumica e lënë shkollën dhe mbeten të paarsimuar për gjatë gjithë jetës.

Kanë qenë pikërisht këto të dhëna tronditëse që kanë “detyruar” Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve që të monitorojë se si këta fëmijë arrijnë të martohen para gjykatësit, pasi në gjendje civile mund të celebrohen vetëm pasi të mbushin 18 vjeç.  Dhe të dhënat janë më të vërtetë aspak optimiste.

Rastet 

Gjykata e Korçës dhe e Pogradecit janë dy gjykatat që kanë qenë në qendër të monitorimit të martesave të hershme të fëmijëve nga Observatori, për periudhën 2011-2016. Gjatë kësaj periudhe në gjykatë kanë shkuar për të marrë lejen për t’u martuar 34 raste, ku në pjesën më të madhe vajzat ose ishin shtazënë ose tashmë kishin lindur fëmijën. Po ashtu hulumtimi ka gjetur se gjykatat duket se nuk e kuptojnë mirë rëndësinë e vendimit për lejimin e martesës nën moshë, pasi në 72 % të rasteve nuk është bërë vlerësim psikologjik i të miturës që do të martohet dhe as ekspertizë mjeko-ligjore për të kuptuar nëse vajza që po martohet është e pjekur fizikisht për t’u bërë gati për lindjen e një fëmije.

Gjatë  prezantimit të studimit të Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve

Sipas këtij raporti në 74% të rasteve fëmija i parë ka ardhur në jetë kur nëna i përkiste grupmoshës 15-16 vjeçe, ndërkohë që bashkëshortët e ardhshëm shumica jetojnë në Shqipëri por kanë një hendek të frikshëm moshor me bashkëshortët me një diferencë nga 3-18 vite. Pas lindjes së fëmijës as shkolla dhe as puna jashtë shtëpisë nuk është më e mundur. Të dhënat e INSTAT tregojnë se duke krahasuar ndjekjen e shkollës së nënave adoleshente me atë të të gjitha grave të moshës 15-19, nuk është habi të shikosh që shumica e ka lënë shkollën (86%). Nënat adoleshente kanë më shumë gjasa të mos e kenë ndjekur kurrë shkollën (7%) se sa popullsia e femrave adoleshente në tërësi (2%).

Po ashtu hulumtimi ka treguar se 65% e grave të martuara nën moshë në Pogradec janë tashmë të divorcuara dhe prishja e martesës ka ardhur pas 5-7 vitesh martesë. Një tjetër e dhënë alarmuese e këtij raporti është fakti se shumica e të miturave të martuara vijnë nga familje, prindërit e të cilëve janë të papunë, 50% të rasteve në Pogradec dhe mbi 75% në Korçë. Kur vajzat janë pyetur për arsyen që duan të martohen, në 37 % të rasteve kanë deklaruar se kanë rënë në dashuri, por një pjesë e konsiderueshme raportojnë si shkak për martesën varfërinë, shkaqet e vështira ekonomike apo edhe dhunën në familje.

Ndërhyrjet ligjore 

Në fakt situata është shumë më alarmante se sa kaq. Shqiptarët konsiderojnë martesë, ceremoninë e organizuar me familjarët dhe të afërmit dhe jo atë para zyrtarit të gjendjes civile. Ka me qindra të reja që janë të martuara para familjes, nuk kanë kërkuar as leje në gjykatë, ndërkohë që nuk janë të martuar në gjendje civile pasi nuk kanë mbushur moshën. Ata që i drejtohen gjykatës për të marrë leje për t’u martuar, në fakt janë vetëm maja e ajsbergut të këtij fenomeni, pasi iu duhet dokumenti zyrtar për ndonjë çështje të veçantë me rëndësi: siç mund të jetë p.sh lindja e fëmijës dhe nëse nuk janë të martuar nuk mund ta regjistrojnë.

Sonjela Voskopi, gjykatëse në Korçë shprehet se ka ardhur momenti që këto çështje të shihen me lupë nga gjykatësit pasi prodhojnë efekte shumë të forta sociale. “Ta zëmë ne nuk kemi kërkuar ekzaminim fizik të vajzës pasi e kemi të prezumuar aftësinë fizike nëse ajo ose është shtazanë ose ka lindur fëmijën, por kemi kuptuar që edhe ne kemi bërë gabimet tona gjatë gjykimit të këtyre kërkesave. Ne tashmë do të kërkojmë përfshirjen edhe të një prokurori në një kërkesë të tillë, që të luajë rolin e “kundërshtuesi” pasi në të gjitha rastet e paraqitura në gjykatën tonë, asnjë rast nuk është ankimuar nga familja, që do të thotë se familja është palë. Po ashtu do të ishte mirë edhe prezanca e një juristi që t’i tregojë kësaj vajze që po martohet se çfarë po rrezikon”, na thotë gjyqtarja Voskopi, e cila ishte e pranishme në takimin ku u prezantua studimi.

Për Emona Muçin, kryetare e Gjykatës së Pogradecit, duhen gjetur mekanizma që e mitura të mbikqyret deri në moshën 18-vjeç për të kuptuar se çfarë ndodh me të. “Duhet të bëhet detyrim që kërkesën për lejim martese ta paraqesë vetë i mituri, dhe të jetë i pashoqëruar nga prindërit, por në prezencë të psikologut. Kështu gjykatësi mund ta shohë dhe ta perceptojë më mirë nëse kjo kërkesë vjen si dëshirë e vetë të miturës apo është e sforcuar”, u shpreh kryegjyqtarja e Pogradecit, Emona Muçi.

Për Elma Tërshanën, e cila është drejtuese e “Observatorit të Fëmijëve”, ky hulumtim ka synimin të japë jo rekomandime detyruese, por përmirësuese. Si një ndër propozimet kryesore të këtij hulumtimi është ai “që gjykatat duhet të shkojnë drejt eleminimit të martesave të fëmijëve nën moshën 16 vjeç dhe po ashtu duhet të mbajnë në vëmendje, se të miturat në gjendje të vështirë ekonomike janë më të prirura për të rënë pre e martesave fiktive”.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *