Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Arsyet e dështimit të administrimit të pallateve

Të jetosh në një metropol kaotik si Tirana nuk është dhe aq e lehtë. Sidomos të bashkëjetosh dhe të ndash ambientet e përbashkëta në pallate me qindra banorë. Edhe pse ligji për administrimin e bashkëpronësisë është miratuar që në vitin 2009 dhe është plotësuar me udhëzime të reja në vitin 2015, sërish marrdhënia mes një banori dhe një administratori pallatesh nuk është konsoliduar.

Edhe sot, kultura e munguar për të paguar shërbimet që merr kur jeton në nje komunitet, krijon ende boshllëqe dhe probleme. Prej disa muajsh, Bashkia e Tiranës ka rikthyer sërish në vëmendje rëndësinë e administratorëve të pallateve. Do të jenë 5000 të tillë në të gjithë kryeqytetin, që do të vendosen për të zgjidhur mosmarrëveshjet e jetesës në të njëjtën hapësirë të përbashkët.

Pastrimi i shkallës dhe oborrit, përdorimi dhe mirëmbajtja e ashensorit ose pompës së ujit, tarraca e gjithçka tjetër për të cilën përgjigjet një administrator, duhet të paguhet kundrejt një tarife për të marrë shërbimin e duhur. Por sa të gatshëm janë banorët për të paguar për këto shërbime?

Arsyet e mospagesave

Thuajse në të gjitha pallatet e reja në Tiranë, problematikat ngjasojnë me njera-tjetrën. Në dhjetra banorë të pyetur në zonën e ish-Stacionit të Trenit, rrugës “Ferit Xhajko” e deri pranë Medresesë, veshët të dëgjojnë të njëjtat fjalë.

Banorët e kateve më të ulëta refuzojnë të paguajnë kryesisht për përdorimin e ashensorit, me argumentin se ngjisin shkallët. Kjo hidhet poshtë nga banorët e tjerë, të cilët këmbëngulin se ata e përdorin gjithmonë ashensorin. “Unë banoj në kat të gjashtë dhe paguaj rregullisht për ashensorin dhe shkallën. Ai i katit të tretë, që e përdor po aq sa unë ashensorin, nuk paguan fare”, shprehet e revoltuar një zonjë që banon në një pallat të ri në “Ferit Xhajko”.

Një tjetër kategori problematike janë studentët dhe në disa raste pensionistët. Ata thonë se nuk u mjaftojnë të ardhurat mujore për shpenzime shtesë. “Me pensionin që marr, mezi blej ilaçet dhe pak ushqime të keqen nëna”, thotë si e zënë në faj një e moshuar. Më të rrallë janë familjarët që pavarësisht se s’kanë probleme ekonomike, sërish e shohin si të panevojshme pagesën e këtyre shërbimeve, të cilat i marrin njësoj me banorët që paguajnë.

Ana tjetër e medaljes janë ankesat për mungesën e transparencës nga ana e administratorëve. Në shumë pallate, banorët ankohen se pagesat e tyre përfundojnë në xhepat e administratorëve. Ata thonë se pavarësisht tarifës prej 500-1000 lekësh të rinj, shkalla e tyre nuk pastrohet rregullisht, ashensori prishet vazhdimisht dhe administratori nuk ka gatishmërinë për t’i ndihmuar. “Ne kemi një banor këtu që merret me administrimin. E shoh vetëm kur vjen merr paratë, se kur kemi ndonjë hall, ai nuk duket kurrë”, shprehet i inatosur një i moshuar që thekson se paguan gjithmonë shërbimet e bashkëpronësisë.

Vështirësitë e administratorëve

Për Isidor Kotin, administrator i një kompleksi pallatesh në zonën e Don Boskos në kryeqytet, ky mbetet një prej problemeve kryesore në punën e një administratori. “Ajo çka nuk i mëshohet në të gjithë këtë proces është pagesa e banorëve. Në kompleksin që une administroj, nuk kam shumë mosmarrëveshje me banorët për këtë pikë. Mund të them se deri tani paguajnë rregullisht mbi 80% e tyre. Problem mbeten kryesisht studentët”, shprehet ai për Citizens Channel.

Por sipas tij ky problem është i pranishëm edhe në shtete të tjera. “Në Itali, në rastin kur nuk paguan për një kohë të gjatë shërbimet, vjen Përmbarimi dhe të konfiskon shtëpinë. Pastaj ta nxjerr në ankand për një vlerë qesharake dhe ti si ish-pronar i saj nuk ke as të drejtën për ta riblerë. Por të paktën shteti italian e ka rregulluar me ligj që shërbimet e bashkëpronësisë të vijnë në shtëpi në një faturë më vete, ashtu siç të vjen për dritat dhe ujin.”

Sipas ligjit të miratuar në 2009 “Për administrimtin e bashkëpronësisë në ndëtesat e banimit”, thuhet se, në rast se një bashkëpronar nuk e paguan tarifën e administrimit në kohën e caktuar, për çdo muaj vonesë, ai do të paguajë një kamatë 10% të tarifës, ndërsa për banorët që refuzojnë pagesën 3 muaj rresht ndërhyn gjykata dhe përmbarimi.

Peripecitë për një administrator në rastet kur pagesa nuk kryhet, janë të shumta. “Ligji më jep të drejtën si administrator, që në rastin kur një banor nuk paguan dhe has në rezistencën e tij, kam të drejtën që t’i drejtohem gjykatës. Mirëpo kjo për mua ka shumë kosto. Së pari, financiare. Për të dorëzuar një padi në gjykatë duhet të paguaj taksën gjyqësore. Për të mos folur për avokat, shpenzime gjyqësore, më pas tarifat përmbarimore etj. Nuk ja vlen që për mospagesën e një banori, të shpenzoj shumë më tepër. Së dyti, është kosto kohore. Për të ndjekur të gjitha këto procedura, duhet të jem fizikisht në seancat gjyqësore, zyra përmbarimore, kudo. Pa përmendur faktin që një gjyq zvarritet dhe zgjat në kohë. Dhe së treti, që është gjithashtu shumë e rëndësishme, është konflikti që mund të kem me banorin pasi ta padis. Si mund ta shmang një konflikt të sigurt me të, kur ai fjala vjen jeton në derën ngjitur me mua? Procesi gjyqësor do të pasohej nga një konflikt personal”, përfundon administratori Isidor Koti.

Autor: Citizens Channel

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

One Response

  1. Dhe, si i behet per shtepite e mbyllura te emigranteve, te cilet vijne njehere ne vit, apo nje here ne dy-tre vjet!? Po keta si, sa, kur dhe ku duhet te paguajne!?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *