Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dramë shqiptare/ E nxirrte fëmijën për të lypur, gjykata i heq të drejtën e prindërimit

Ishte alkoli dhe varfëria që i prishi martesën e parë, e me sa duket e njëjta gjë do t’i ndodhë sërish. Pesë vjet më parë Ardian Rizvani ngeli vetëm me dy fëmijët e vegjël ndërsa mënyra e vetme për tu siguruar atyre ushqim ishin kanaçet në koshat e mbeturinave dhe shitja e rrobave të përdorura.

Më tej ai u njoh me Eleonora Cicon, nënë e tre fëmijëve dhe kështu ata vendosën t’i rrisin fëmijët bashkë mes lypjes dhe plehrave. Çifti jeton pranë tregut tek Pallati me Shigjeta. Nga pamundësia për t’i ngopur me bukë fëmijët, Eleonora thotë se njërën vajzë e dha për birësim dhe tashmë nuk e di se çfarë ka ndodhur me të.

Një fëmijë tjetër e la tek ish bashkëshorti, ashtu siç edhe Ardiani e la për rritje njërin nga fëmijët tek ish vjehrra.

Por sërish, edhe me katër pjestarë, jeta në familjen Rizvani ishte e vështirë, gjendje kjo që gjithmonë e më tepër e shtyn Ardianin drejt alkolit dhe dhunës. Ai u arrestua një vit më parë për këtë gjë, por ajo sërish pranoi të jetojë me të.

Gjendja nuk ndryshoi. Gruaja i’u drejtua policisë sërish me këtë denoncim:

“Ardiani punon dhe ai na mban me bukë. Një natë pasi kishte pirë gjithë ditën erdhi në shtëpi i dehur. Filloi të shante. I kërkoi djalit lekë që të shkonte prapë të pinte. Djali i tha nuk kam. Ai i tha shko të lypësh që të marrësh lekë, por Eraldo i tha se nuk kam ku të lyp se nuk të jep njeri lekë. Eraldo doli në rrugë kurse unë ika i thashë djalit po iki në polici të tregoj. Në fillim më tha ik, pastaj më tha prit se po vij dhe unë.”

Këto pak rreshta kanë mjaftuar që policia të vëzhgojë se çfarë ndodhte me Eraldon, i cili sipas saj nxirrej për të lypur. Pasi i kanë referuar materialet në gjykatë, Eleonora Cico është dërguar në një qendër rehabilitimi në Tiranë së bashku me vajzën, ndërsa Eraldo është strehuar në Shtëpinë e Fëmijës Zyber Hallulli. 

Brenda pak ditësh gjyqtarja Vjosa Zaimi shqyrtoi kërkesën për urdhër mborjtjeje, duke shpallur një vendim të rrallë. Fëmija me urdhër të gjykatës largohet nga familja për një vit deri në mars 2018 dhe do të mbahet në Shtëpinë e Fëmijës, pasi ndaj tij pakujdesia prindërore ështe e dukshme. Me urdhër të gjykatës fëmija do të takohet me çiftin njëherë në muaj, në prani të një psikologeje.

Por megjithëse urdhër mbrojtjeje është dhënë edhe për Eleonorën, ajo ka lëshuar një deklaratë ku pohon se ky vendim i gjykatës do ta bëjë më të matur të shoqin dhe se ajo dëshiron të jetë pranë tij. Ditën që Citizens Channel e takoi çiftin, ata sapo u ndanë me Eraldon, i cili i kishte sjellë njerkës së tij një kukull për t’ia dhënë motrës që ka lënë në shtëpi.

Djali përshkruhet nga psikologët si mjaft i lidhur me familjen, por kjo sindromë është tipike sipas tyre edhe tek të miturit e dhunuar, ndaj ata këmbëngulin se një rikthim në shtëpi do ta ndihmonte atë. Fëmija duhet të ishte në klasën e dytë thonë psikologët, por ai nuk ka ndjekur asnjë klasë shkollë e për këtë ata thonë se ai duhet të qëndrojë me bashkëmoshatarët e tij. Por Ardiani nuk mendon kështu.

Citizens Channel:  – Ardian ti thua që jeni të varfër. A nuk do ishte më mirë që sikurse ka vendosur gjykata, djali të mbahet në Shtëpinë e Fëmijës?

Ardiani Rizvani duke folur për Citizens Channel

Ardian Rizvani: – Jo, ai është im bir, dhe unë mezi e kam rritur. Ai qau sot, i dërgoi edhe kukull të motrës. Unë punoj gjithë ditën, nuk lyp e kam turp që të lyp edhe pse gruaja thotë që e kam nxjerrë djalin për të lypur. Nuk është e vërtetë. Dua djalin tim.

Citizens Channel:  – Pse nuk e apeloni çështjen?

Ardian Rizvani: – Gjeta këtë letrën në gjykatë për avokatë falas për ata që skanë mundësi. Por edhe avokati më kërkoi 25 mijë lekë që të hapë padi. Po të isha i dhunshëm siç thotë gjykata, gruaja nuk do jetonte më me mua. Nuk e kuptoj.

Citizens Channel:  – Çfarë do bëni?

Ardian Rizvani: – Çdo bëj… nuk e di. Do detyrohem të marr djalin tim me pahir, por kam frikë nga policia se më arrestojnë.

Plaga e dhunës në familje

Kur flitet për dhunë në familje, vetvetishëm mendohet se pjesa dërrmuese e viktimave të dhunës janë gratë. Që prej vitit 2006, kohë kur hyri në fuqi ligji “Për masat ndaj dhunës në marrdhëniet familjare”, gjykatat kanë shpallur dhjetra vendime të urdhërave të mbrojtjes edhe për fëmijët.

Bëhet fjalë për rastet kur ndaj nënës ushtrohet dhunë dhe trupat gjyqësore janë shprehur se agresori duhet të qëndrojë në një distancë të caktuar edhe larg fëmijës, të mos e kontaktojë atë për një periudhë kohe. Por statistikat zyrtare i referohen rastit të dhunës ndaj fëmijës vetëm atëherë kur kallzimi depozitohet i tillë përmes njërit prej prindërve apo nga kujdestari i tij. Për rastet e tjera kallzimi regjistrohet nën emrin e të rriturit që denoncon dhunën në familje dhe fëmijët konsiderohen viktima të abuzimit sipas trajtimit të psikologëve të thirrur nga gjykata.

Gjatë vitit 2016 Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar 270 çështje të dhunës në familje, shumica e të cilave janë me urdhër të menjëhershëm të mborjtjes, pra të dhënies së një vendimi që vendos kushte distance për dhunuesin. Ndërkohë që nga ana tjetër janë shpallur fajtorë për dhunë dhe janë dënuar me burg 38 burra.

Ndryshimi i shifrave, nga njëra anë të vendosjes së urdhrave mbrojtës dhe nga ana tjetër të dhunuesve që dënohen për këtë vepër në familje, bien në sy pasi njëra prej tyre shqyrtohet nga gjykata e seksionit familjar sipas një vendimi civil, kurse tjetra trajtohet nga gjykata penale. Rasti i dytë kthehet në dosje penale atëherë kur njëra nga palët e keqtrajtuara depoziton edhe kallzim pranë autoriteteve hetimore.

Vendimet e shpallura për urdhër mbrojtjeje jepen për një periudhë të caktuar kohe. Ato e ndalojnë dhunuesin t’i afrohet pjesës tjetër të familjes, kryesisht për një distancë prej jo më pak se 500 metra. Dhunuesi nuk duhet të kontaktojë, nuk duhet ta thyejë këtë perimetër si dhe nuk duhet të afrohet pranë vendit të punës të viktimës apo pranë shkollës së fëmijëve.

Megjithatë në praktikë, mjaft gra kanë denoncuar shkelje të urdhërit të mborjtjes, pasi megjithese jepet vendosja e një distance prej 500 metrash, çifti ka vijuar të jetojë nën të njëjtën çati, duke mos i’u shmangur dhe ambjentit konfliktual. 

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *