Adoleshentët shqiptarë / Duhan, alkool dhe seks që 15 vjeç

Raporti: Adoleshentët shqiptarë duhan, alkool dhe seks që 15 vjeç - Citizens Channel

Duhan, alkool, marihuanë dhe seks. Kjo është jeta e çmendur e atyre që sapo kanë prekur adoleshencën në vendin tonë…

Megjithëse janë ende të parritur, sipas një raporti të Institutit të Shëndetit Publik, nuk janë të rralla rastet mes 14-16 vjeçarëve që tashmë i kanë këto “vese” stil jetese. Raporti është publikuar ne 2016, si pjesë e projektit Europian të Shkollave për Alkoolin dhe Drogat e Tjera (ESPAD) që realizohet një herë në katër vjet. Të dhënat janë tronditëse edhe për faktin se të rinjtë kanë deklaruar se alkoolin, duhanin mund ta gjejnë fare lehtësisht nëse duan, ndërsa edhe mariuana nuk është problem për ta të gjendet.

Siverjona Kuqi. Citizens Channel

Siverjona Kuqi. Foto private

Siverjona Kuqi, është një 18-vjeçare që ndjek vitin e fundit të shkollës së mesme në një institucion privat në Tiranë. Përveç adrenalinës së moshës, ajo ka provuar edhe botën e spektaklit dhe pasarelat e modës, por ajo pranon se këto fenomene nuk janë të rralla mes bashkëmoshtarëve të saj. “Të rinjtë janë të çmendur për shkak të moshës. Nëse të gjithë ecin drejt ata duan të gjejnë një rrugë tjetër”, na thotë Siverjona.

“Ajo që është më e keqja, është se këto gjëra, duhanin, alkoolin apo marihuanën e konsumojnë jo se ju pëlqen, por sepse e përdorin shokët apo shoqet e tyre. Kjo është më e keqja. Unë kam plot shoqëri që janë në shkolla publike dhe atje këto gjëra ndodhin më shpesh”, na thotë Siverjona.

Duhanpirja

Raporti nxjerr në dritë shifra alarmante të duhanpirjes mes nxënësve të klasave të nënta dhe atyre të vitit të parë të shkollës së mesme. Kështu rreth një e treta (34.9%) e pjesëmarrësve kanë konsumuar duhan të paktën një herë në jetën e tyre. Prevalenca e konsumit të duhanit gjatë jetës është në mënyrë domethënëse më e lartë tek djemtë sesa vajzat (47.1% vs. 24.8%, përkatësisht), tek shkollat private (44.4%) sesa ato publike (33.6%), shkollat urbane sesa ato rurale (38.9% vs. 25.6%, përkatësisht) dhe tek shkollat tekniko-profesionale (61%).

Ndërkohë që ka shënuar një rritje numri i atyre që konsumojnë më shumë se 20 cigare në ditë. Megjithësenë vendin tonë nuk lejohet tregtimi i cigareve për personat nën 18-vjeç, pothuajse të gjithë të rinjtë deklaruan se mund ta gjenin shumë lehtë paketën e cigareve, nëse do të dëshironin.

Alkool që 9 vjeç  

Nëse prindërit mendojnë që një gllënjkë verë apo birrë, kur janë të vegjjël, nuk u bën keq, në fakt gabohen. Një pjesë e konsiderueshme e të rinjve, që janë konsumues të pijeve alkoolike, kanë deklaruar se gotën e parë të birrës apo të verës e kanë pirë pikërisht kur ishin 9-vjeç.

Pothuajse dy në tre nxënës, 65.7%, kishin konsumuar një ose më shumë pije alkoolike. Raporti tregon se shifrat janë në mënyrë domethënëse shumë më të larta tek djemtë, nxënësit e shkollave social-kulturore dhe tekniko-profesionale, shkollat private dhe ato në zonat urbane.

Adoleshentët e kanë të lehtë të blejnë alkool. ISHP. Citizens Channel

Ndërkohë që 12.5% e djemve dhe 4.6% e vajzave raportuan për konsum të shpeshtë të alkoolit. Të rinjtë janë shprehur se gjatë ditëve të fundit kanë konsumuar 39.6% birrën, 32.7% verën dhe 21.4%  pije alkoolike të forta. Po ashtu  12.6% e të rinjve të përfshirë në këtë studim raportuan se kanë provuar birrë për herë të parë në moshën 9 vjeç ose më pak (17.3% e djemve dhe 8.8% e vajzave).

Situata ishte e ngjashme lidhur me moshën e fillimit të përdorimit të verës ku përqindjet më të larta të atyre që konsumuan një gotë verë për herë të parë i përkisnin moshës 9 vjeç për djemtë dhe 15 vjeç ose më shumë për vajzat. Kurse përqindje më të larta të nxënësve konsumuan gotën e parë me pije alkoolike të forta shumë më vonë në jetë. Si pasojë nuk kanë munguar as rastet e raportuara për dehjen. Rreth një në pesë nxënës, ose 20.8%, janë dehur të paktën një herë në jetë nga pijet alkoolike

Nën efektin e alkoolit

Studimi është përpjekur të kuptojë edhe se si kanë regaur të rinjtë nën efektin e alkoolit. Dhe deklarimet e të rinjve janë vërtetë për tu shqetësuar. Kështu ata kanë deklaruar se jo vetëm i kanë dhënë makinës në gjendje të dehur, por rreth 30% të rasteve ka qenë pikërisht alkooli fajtor për përfshirjen në konflikte fizike apo debate të forta mes të rinjve. Një pjesë e të rinjve kanë pasur edhe problem me policinë, ndërsa një përqindje e vogël madje ka përfunduar në spital.

Sjelljet e rrezikshme të adoleshentëve. Alkool, seks, drogë. Citizens Channel

Konsumi i marihuanës

As lëndët psikoaktive nuk kanë mbetur jashtë oborrit të shkollës. Më shumë se 6.6% e nxënësve të grupmoshës 14-16 vjeç që përfshiu ky studim, kanë provuar marihuanën. Ndërsa një tjetër e dhënë shqetësuese e këtij raporti është fakti se është rritur numri i përdoruesve kronikë, ndërsa ëshët ulur numri i atyre që e kanë konsumuar rrallë, ndërkohë që 21.2% e të rinjve raportuan se mund ta gjenin lehtë ose shumë lehtë nëse do të donin marihuanën.

Drogërat e tjera

Rreth 15.3% e nxënësve të klasave të 9-ta dhe të 10-ta raportuan të kishin provuar minimalisht një lloj droge të paligjshme të paktën një herë gjatë gjithë jetës, përfshirë mariuanën, sedativët pa recetë mjekësore, alkoolin të kombinuar me pilula dhe medikamentet kundër dhimbjes. Sedativët pa recetë mjekësore janë përdorur nga 7.2% e të rinjve

Kokaina është droga e dytë më prevalente e përdorur nga nxënësit e klasave të 9-ta dhe të 10-ta në vitin 2015 dhe u raportua nga 3.7% e tyre. Në vendin e tretë renditen inhalantët me 3.5%. Medikamentet kundër dhimbjes dhe alkooli i përzier me pilula zënë vendin e 4-t dhe të 5- të përkatësisht me 3.3% dhe 2.7% kurse ecstasy gjendet në vendin e 6-të me 2.4%. Po ashtu një pjesë e konsiderueshme mendojnë se mund të sigurojnë lehtë apo shumë lehtë amfetamina, sedativë pa recetë dhe ecstasy.

Drogerat që konsumojnë adoleshentet shqiptarë. Citizens Channel

Marrëdhëniet seksuale

Një raport tjetër i ISHP-së, për sjelljet e shëndetshme tek të rinjtë e moshës 11, 13 dhe 15 vjeç ka treguar se një në pesë të rinj 15 vjeçarë që ndjekin shkollën kanë kryer marrëdhënie seksuale, 95% e të cilëve janë djem. Nga të rinjtë që kanë kryer marrëdhënie seksuale, 63.7% e tyre përdorin kontraceptivë gjatë marrëdhënieve seksuale.

66% e djemve dhe 40% e vajzave kanë përdorur kondom në marrëdhënien e fundit seksuale. Moshat më të shpeshta të fillimit të kryerjes së marrëdhënieve seksuale ishin moshat 14 vjeç dhe 15 vjeç. 66% e djemve dhe 40% e vajzave raportuan se kishin përdorur kondom në marrëdhënien e fundit seksuale.

Autor: Citizens Channel

Leave a Reply

%d bloggers like this: