Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mishi brazilian përdoret si lëndë e parë nga sallameritë shqiptare

Sa të kontrolluara janë ushqimet që konsumojnë në përditshmërinë tonë? A hamë mish të freskët apo të kalbur, a ka shumë pesticide në frutat dhe perimet që kemi në tryezat tona, a kanë kontroll të lartë sigurie produktet që vijnë nga jashtë? Këto janë vetëm disa nga pikëpyetjet që i bëjmë shpesh vetes ose që diskutojmë me njëri-tjetrin. Për t’u dhënë përgjigjje sa më të qarta dhe më të kuptueshme këtyre pyetjeve, kësaj here na vjen në ndihmë eksperti për çështjet e sigurisë ushqimore, Ilir Pilku.

Duke ju referuar debatit të ditëve të fundit në media mbi mishin dhe pulat e ardhura nga Brazili, eksperti Pilku thekson se ky është një problem botëror, nisur nga shkalla e lartë e rrezikshmërisë. “Rasti në vetvete nuk paraqet rrezik si pasojë e rrezikshmërisë nga përdorimi i hormoneve apo i një rritje super intensive të kafshëve, por nga prishja apo kalbëzimi i këtij mishi dhe përdorimi i substancave kimike për të eliminuar identifikimin e tij. Shqipëria është një nga ato vende që konsumon mish të importuar nga Brazili, që është kryesisht mish derri, viçi dhe pule. Një pjesë relativisht e madhe e këtij produkti është i destinuar të kanalizohet për përpunim në njësitë e përpunimit të mishit, pra sallameritë.”

Duke iu referuar INSTAT, Shqipëria importon nga Brazili rreth 4,212 ton mish pule, rreth 100 ton mish viçi, si dhe rreth 1,981 ton mish derri.  Sasitë e importuara janë rreth 30% të volumit të importeve për këto produkte. “Por sidoqoftë, nisur nga risku që paraqesin këto lloj produktesh, si dhe nga pezullimi që i kanë bërë një sërë shtetesh, ashtu si dhe vendet e BE-së, kërkon që autoritetet përkatëse si AKU, Instituti i Veterinarisë të përcaktojnë një plan veprimi për të menaxhuar këtë risk”, thotë Pilku për Citizens Channel.

Sipas tij ky plan veprimi nuk duhet të parashikojë vetëm bllokimin e importit të mishit me origjinë nga Brazili por edhe identifikimin e sasive të këtij mishi të importuara gjatë muajve të fundit. Në rast se i referohemi masave që kanë marrë një sërë shtetesh europiane apo botërore, shikon që rasti është analizuar dhe trajtuar me ekspertizë përkatëse. Ministria e Bujqësisë Amerikane, USDA, jo vetëm ndaloi importin e mishit nga Brazili por filloi analizimin në laboratorë të specializuar të sasive të importuara gjatë muajve të fundit.

Zinxhiri blegtoral dhe fruta-perimet

Kur flasim për sigurinë ushqimore në Shqipëri, duhet të ndalemi tek disa produkte. Sipas Pilkut, rrezikun më të madh e përbëjnë të gjithë ato produkte që nuk kanë çertifikime dhe sistemin e gjurmueshmërisë. “Rrezik më të madh shfaq zinxhiri blegtoral që lidhet me prodhimin e mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tyre.”

Ai shprehet për Citzens Channl se edhe pse vendi ynë synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, ka ende probleme në përmbushjen e kritereve të çështjeve që lidhen me sigurinë ushqimore. “Shqipëria është e bllokuar për tregtimin e produkteve të zinxhirit blegtoral në vendet e BE-së. Gjurmueshmëria e produktit me origjinë shtazore është pengesa e vetme për eksportet shqiptare”, sqaron eksperti.

Ndërsa përsa i përket fruta-perimeve, ai sheh një panoramë më pozitive. “Analizat e mbetjeve në produkt nga përdorimi i kimikateve dhe plehrave është shumë më ulët se normat e lejuara nga BE-ja. Ka edhe ferma të mëdha që janë çertifikuar me standardin e lartë GlobalGap. Gjithsesi analizat kërkojnë laboratorë të specializuar dhe kjo është një nga investimet që duhet të bëhet në Shqipëri, qoftë edhe me partneritet publik-privat.”

 

Produkte vendase apo të huaja?

Ilir Pilku thotë për Citizens Channel se siguria ushqimore kërcënohet më shumë nga produktet e importit sesa produktet e vendit. “Çdo produkt ushqimor që vjen nga importi është i detyruar të kalojë në një sërë etapash të cilat nëse respektohen me rigorozitet, i japin një siguri të lartë konsumatorit shqiptar. Kjo fillon nga skadenca e produktit, që bazuar në ligj nuk duhet të jetë më e vogël se 1/3 e gjithë skadences së tij, dhe deri tek origjina e produktit, pra gjurmueshmëria e tij. Ndërkohë, një çështje diskutimi është përmbajtja në brandimin e produktit. Përmbajtja është pjesa më delikate ku prodhimet vendase nuk respektojnë ligjshmërinë në lidhje me përshkrimet dhe normativat e lejuara.”

Konsumtaroët do të donin të dinin se sa përbërës ka një produkt dhe përqindjet e tyre specifikisht. Është zgjedhja e konsumatorit dhe shkalla edukative e tij që të zgjedhë një produkt me përbërës të lejuar në krahasim me një produkt ku lënda e parë është natyrale, si psh një kos me përbërës qumësht, kazeinë, yndyrë bimore dhe konservantë në krahasim me një kos me lëndë të parë qumësht natyral pa përbërës të tjerë.

Produktet serbe

Mallrat që importohen nga Serbia, kryesisht mielli serb, janë gjithashtu të etiketuar si rrezikshmëri për sigurinë ushqimore. “Shqipëria ka një balancë negative në raport me tregtinë me Serbinë. Kryesisht balanca vjen nga volumet e mëdha të importit që lidhen kryesisht me produkte si gruri, misri, soja etj. Është vështirë të përcaktosh ndonjë produkt që rrezikon shëndetin e konsumatorëve pa pasur baza të mbështetura në analiza. Autoritetet përkatëse si AKU, Shërbimi Veterinar, Instituti Fizikës Bërthamore duhet të ushtrojnë kontrolle më të intensifikuara për produktet që vijnë nga vende me risk të lartë”, thekson Pilku.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *