A është Facebook një media?

Ervin Goci , Aksioni civil si pushtet i deleguar - Citizens Channel

Nga Ervin Goci

Në kohën e mediave tradicionale, emetimi i lajmeve kontrollohej në të gjitha hallkat e proҫesit, që prej mbrutjes së lajmit, dhe deri tek pika fundore e mbërritjes, që ishte audienca. Në fakt para se të shfaqeshin gjigandët teknologjike, lajmi dominohej tërësisht nga logot tradicionale, në konceptim, raportim, në kahjen editoriale, si edhe në ndikimin ndaj audiencës mbi perceptimin e lajmit. I gjithë ky proçes i mbyllur, me depërtimin e kompanive të mëdha teknologjike, shpërbëhet, duke iu mbivendosur autonomisë së operatorëve tradicionalë informues me rregullat e reja të shpërndarjes në duart e këtyre të fundit.

Megjithëse tregu i informimit dixhital po rritet dita ditës, deri në 60 miljardë dollarë për 2015-tën, pjësa më e madhe e tortës i shkon kompanive teknologjike, dhe jo logove tradicionale. Pesë kompanitë e mëdha: Facebook, Google, Yahoo, Twitter, Apple, aneksojnë 65% të këtyre parave, duke përfshirë dhe të informuarit, si një prej shërbimeve të tyre që po bëhët dita-ditës një investim i rëndësishëm, me shërbime të dedikuara si :Instant Articles”, “Apple News”, Google AMP,.etj.

E vërteta është që Facebook ka në rradhët e punonjësve të kompanisë “news curators”, të cilët siç vëren blogu “Gizmodo”, kanë detyrën të injektojnë në mënyrë artificiale në kollonën e trend-eve, ngjarje që nuk kanë vemendjen që pretendohet, duke lënë në hije ngjarje të tjera, të cilat rezultojnë të kenë qenë të orientuara – aspak për koinҫidencë – për nga krahu politik konservator. Madje një nga detyrat “news curator”- siç janë shprehur në konfidencë ndaj gazetarëve vetë punonjësit e Facebook – ka qenë që të fshijnë lajme që kanë patur për subjekt vetë kompaninë.

Me këto akte Facebook dëshmon qartë se nuk ka ndonjë ndryshim nga kompanitë tradicionale, pasi në thelb bën të njëjtën gjë- privilegjon aspektin njerëzor – dhe jo duke ruajtur objektivitetin me anë teknologjisë, ashtu siç pretendohet gjerësisht. Madje kuratorët e lajmit shkruajnë dhe rezyme të shkurtra përshkruese për përmbatjen e lajmit, duke e kthyer proçesin gjithmonë e më pak neutral.

Për të kuptuar se sa e ndikon Facebook tek të informuarit, mjafton të risjellim në vëmendje të dhënat që vijnë nga sondimi i Pew Research, ku shpaloset shumë qartë fakti, se përtej trafikut të përqëndruar tek rrjetet sociale, ndryshon dhe rituali i të informuarit. Psh., në rastet kur të sonduarit afirmojnë se i marrin lajmet nga Facebook, ata kanë tendencën ta përhapin lajmin duke e shpërndarë, por nuk arrijnë dot të kujtojnë burimin e lajmit, ndërkohë që e kundërta ndodh kur lajmet konsumohen direkt nga faqet online të mediave. Ky fenomen duket se çon në bjerrjen e vlerës së lajmit, pasi gjithmonë e më tepër vetë lajmi i largohet burimit të tij, origjinës, dhe rrugëton përhumbshëm nga një faqe në tjetrën në rrjetet sociale, duke e dekontekstualizuar atë, e për pasojë duke krijuar një çarje mes burimit dhe destinacionit, ku destinacioni nuk është më i përcaktuar, dhe reputacioni i burimit të lajmit vihet në pikëpyetje.

Modeli universalizues i rrjeteve sociale si agregatorë të vëmendjes, po i nxjerr në pension të gjitha mediat lokale, duke u marrë një pjesë të mirë të buxhetit dixhital. Më shumë se gjysma e konsumatorëve të lajmit, nuk shkon në faqet origjinare të mediave lokale, për të mbajtur në punë gazetarët lokalë, po shkon direkt në llogarinë e Facebook. Nga 60 miljardë dollarë të reklamës në hapësirat dixhitale, 36 miljardë i marrin gjigandët e teknologjisë; 25 % e buxhetit total të reklamës që Fb përfiton, vjen nga biznese lokale.

Sipas të gjitha të dhënave, duket se rrjetet sociale, nuk janë thjesht një infrastrukturë ndihmëse për ta përcjellë lajmin, por më tepër duket si një ambjent ku përdoruesit akomodohen, dhe e kanë më të thjeshtë ta bëjnë “share” po aty, pa bërë as më të voglën përpjekje për ta projektuar lajmin në ndonjë hapësirë alternative online, ndërkohë që e njëjta gjë duket dhe me ata që përdorin motorët e kërkimit për të konsumuar lajmin, ku dhe ata e progresojnë aktivitetin e tyre po në atë hapësirë – janë pak ata që duan ta ndajnë lajmin, pavarësisht se ku e gjejnë.

Një tendencë tjetër, jo më pak e rëndësishme, është se me zhytjen në rrjetet sociale dhe lloji i lajmeve, siç të dhënat na tregojnë, radikalizohet – duke shkuar më tepër tek lajmet komunitare – shumë pak lajme tematike, si shkenca apo arti, pra duket se mënyra e marrjes së informacionit, na ndikon dhe në llojin e informacionit që përtypim.

E gjithë kjo përmbysje verën blogu i revistës “Columbia Journalism Review”, i ka tronditur pozitat ndikuese, që shtypi i shkruar ka patur njëherë e një kohë, duke e transferuar këtë pushtet tek brand-et e mëdha teknologjike – të cilat nuk po dinë as si ta menaxhojnë gjithë këtë përgjegjësi, sepse nga njëra anë u duhet të jenë formalisht të pavarur dhe objektiv, nga ana tjetër ngjarjet politike radikalizohen deri në atë pikë, sa qasja e tyre liberale, në një moment të caktuar duhet të ndihet, si motorët simbolikë që shtyjnë proҫeset demokratizuese.

Në fakt dhe gjuha që Zuckenberg përdor në Manifestin e tij, kur shprehet për rolin e Facebook, shkon pak a shumë tek detyrat tradicionale që ka patur media si : informimi, apo ndërgjegjësimi i komunitetit. Në fakt Zuckenberg po ngre ngrehinën e një mediaje, vëren blogu “The Atlantic, vetëm se këtë ngrehinë po e ngre pa gazetarë. Facebook është mjeti më i gabuar për t`u informuar vëren editori i “The Monday Note” Frederic Filloux, sepse në themel të tij qëndron industria e prodhimit dhe qarkullimit të reklamës, bazuar mbi gjenerimin e pashtershëm të klikimeve, të cilat krijojnë atmosferën pozitive, ku mund të të rehatohet shpirti në tollumbacen (filter-bubble) tonë. Facebook, vëren ai, është në thelb një infrastrukturë promovuese, nuk na kundërvihet, nuk na kundërshton asnjëherë, për asnjë arsye nuk do të na mërzisë, nuk i prish ndonjë punë nëse jemi më pak të informuar – nuk është ky qëllimi final i kësaj industrie.

Facebook i ka të gjitha mundësitë teknike që të ndërtojë nga një univers informimi për gjithsejcilin prej nesh, sipas filtrave të mirëpërcaktuar, dhe modaliteteve që lejon algoritmi; e di se çfarë na pëlqen përpara se ne ta gjejmë atë, pasi ka marrë të dhënat e shijeve tona shumë më përpara. Megjithëse ne shkëmbejmë postime të reja, ato në strukturën e komunikimit janë të paracaktuara sipas rregullave algoritmike, dhe incidenca e pëlqimit është shumë e lartë, koinçidenca fare.

Ne nuk e dimë asnjëherë deri në fund me rrjetet sociale, nëse jemi në ndonjë hapësirë informimi, apo dëfrimi. Lajmi nuk është prioritet i Facebook, këtë e thonë dhe shifrat; pasi lajmet zënë vetëm 10% të hapësirës së postimeve në një “Newsfeed” të zakonshëm, dhe ky volum i lajmeve është fare kollaj i kontrollueshëm dhe i menaxhueshëm nga ana sasiore, nëse cënon ekuilibrat me postimet tjera, të klasifikuara sigurisht si më pritoritare në gjenerimin e klikimeve.

Ky kaos i parashtruar më lart me llojin dhe standartet e informimit apo pasojat ekonomike, nuk është injoruar krejtësisht nga Facebook, por çështja është se megjithë projektin e shpallur për forcimin e rolit të gazetarisë serioze në platformë nëpërmjet shërbimit “Instant Article” – një platformë shumë e efektshme për hedhjen e artikujve me qasje interaktive, dhe mjaftueshëm fleksibël për t`i lënë dorë të lirë editorëve të mediave për të vepruar – nuk duket shumë bindëse, për shkak se këto konsiderohen si produkte të gatshme, dhe u heq editorëve krejtësisht mundësinë për të improvizuar forma autonome të bashkëveprimit me audiencën, si psh., në rastin e “Washington Post, apo rasti i “The Atlantic.

Frika është se më shumë se një mjet për të rentabilizuar mediat brand-in e tyre, Facebook do të kthehet në një destinacion të fundit, duke i shtyrë mediat dhe gazetarët  të punojnë për të, duke braktisur deontologjinë profesionale.

Blogu “Recode” në një shkrim, evidenton dy raste të shtuara që e vulosin faktin e të klasifikuarit të Facebook si një kompani mediatike: Facebook ka filluar të paguajë prodhues për të gjeneruar përmbajtje, që kërkon t`i emetojë në mënyrë periodike, pra duke u kthyer në prodhues përmbajtjesh, sidomos për pjesën video – një ambicje e hershme. Së dyti, agregon vëmendjen e një audiencë të caktuar, dhe këtë aset ua shet reklamuesve. E ҫfarë mund të jetë tjetër Facebook, përveçse një “Kompani Mediatike”?! Ndërkohë që deklamon me të madhe që nuk është një kompani mediatike, rekruton njerëz të përzgjedhur, me të kaluar profesionale në gazetari, për të menaxhuar sektorin e lajmeve.

Në përfundimet e një studimi voluminoz të qendrës “Tow Center For Digital Journalism” i Universitetit tv Kolumbias mbi lajmin në kohët dixhitale, arrihet deri atje sa të guxohet të thuhet se platformat sociale – të cilat “rrjete” sociale nuk janë më – kanë patur më tepër ndikim mbi lajmin, se kalimi nga print-i në dixhital, ndoshta të krahasueshëm vetëm me ndikimin e teknologjisë mobile.

Pavarësisht se Facebook nuk e quan veten një media, sepse nuk prodhon përmbajtje, apo do ta prezantojë veten thjesht si një instrument transmetues – një ndërmjetës që fasiliton komunikimin – kemi shumë arsye për ta kundërshtuar këtë pohim, sepse ishte McLuhan i pari që na tërhoqi vëmendjen, se pavarësisht se nuk prodhon përmbajtje, media determinon modalitetin e transmetimit të këtyre përmbatjeve.

Logjika algoritmike, në fakt përcakton jo thjesht modalitetet e organizimit të informacionit në një hapësirë dixhitale të palimit, por mbi të gjitha, na ndikon ne në projeksionet e ardhshme për llojet e përmbajtjeve që duhet të prodhojmë, në përputhje me modalitetet ritmike, grafike, volumore, që e bën një mesazh me të rrjedhshëm në ekosistemin e mediave dixhitale.  A nuk e bën ky fakt Facebook një media?

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: