Titujt e fundit

Ekspertët e mjedisit kundër ndërtimit të Divjaka Resort

Projketi Divjaka Resort - Citizens Channel

Të ndërtosh brenda një parku kombëtar ndalohet me ligj, por kjo nuk e ka stepur aspak kompaninë Mabetex të paraqesë një projekt për ndërtimin e një resorti turistik në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Në faqen zyrtare të projektit shkruhet qartë “Divjaka Albania – A resort set in a national park” (Divjakë Shqipëri – Një resort i vendosur në një park kombëtar), çka do të mjaftonte që institucionet shtetërore shqiptare të refuzonin menjëherë projektin.

Por maketi i bërë në mënyrë profesionale, shuma totale e investimit prej 1,5 miliard eurosh, vendet e punës që mund të gjenerohen dhe turistët që do të vijnë, duket se u kanë prishur mendjen këtyre institucioneve. Por jo organizatave mjedisore.

Mesditën e së enjtes në ambjentet e Ministrisë së Mjedisit u zhvillua dëgjesa e dytë publike, ku përfaqësues të kompanisë prezantuan projektin dhe iu përgjigjën pyetjeve të ekspertëve të mjedisit në Shqipëri.

Ashtu sic edhe jepet në faqen zyrtare të kompanisë, projekti do të shtrihet në një sipërfaqe totale prej 3342 hektarësh, nga të cilat 1050 hektarë pyll, 200 hektarë plazh, 820 hektarë tokë jopjellore dhe 1270 hektarë sipërfaqe të ujit dhe lagunës.

Sipas Prof. Sulejman Sulçes, një nga pjestarët e ekipit që ka bërë vlerësimin mjedisor për llogari të kompanisë, gjatë prezantimit për impaktin në mjedis, theksoi se projekti nuk dëmton parkun dhe sjell zhvillim për zonën.

Ai tha gjithashtu se rreziku i vetëm do të jetë gjatë kohës së ndërtimit të objekteve të parashikuara, pasi do të ketë rritje të zhurmave dhe tek cilësia ajrit. Zhurmat do të prishin qetësinë e kafshëve, shpendëve, do të shqetësohet flora, po ashtu si edhe habitati i peshqve.

Gjatë prezantimit të Divjaka Resort në Ministrinë e Mjedisit. Citizens Channel

Prof. Sulejman Sulçe duke prezantuar impaktin në mjedis të projektit Divjaka Resort

Përfaqësuesit e organizatave mjedisore kundërshtuan të gjithë projektin për ndërtimin e këtij resorti. Sipas tyre ai resort vë në rrezik të gjithë habitatin natyror të Parkut Kombëtar Divjakë – Karavasta.

Ky park kombëtar është zona më e rëndësishme në Shqipëri sa i përket biodiversitetit, është zona me numrin më të lartë të shpendëve ujorë dimërues në Shqipëri. Janë rreth 90 lloje shpendësh që folenizojnë dhe dimërojnë në këtë park. Pikërisht për këto vlera të rëndësishme Divjaka është zona e parë Ramsar në Shqipëri e shpallur në vitin 1996 (Konventa Ramsar për Ligatinat e Rëndësisë Ndërkombëtare).

Ekspertët mjedisorë vunë alarmin për ndikimin që do të ketë ky projekt në  popullatën e Pelikanit Kaçurrel, që është specie në mbrojtje, por edhe specieve të tjera të rrezikuara si Breshka e Detit dhe Rosa Kokëbardhë.

Sipas përfaqësuesve të organizatave mjedisore e gjithë kjo pasuri natyrore rrezikohet. Taulant Bino theksoi se me ndërtimin e 370 vilave, 2400 apartamenteve dhe hotelit, ashtu siç parashikon projekti, kjo do të kthehet në një zonë urbane, çka është e ndaluar në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Më konkretisht në këtë ligj ndalohet: – Shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjete dhe mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës. – Ndërtimi i rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës dhe gazit me shtrirje të gjatë.

Ekspertët mjedisorë kritikuan gjithashtu edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, që kanë pranuar të bisedojnë për një projekt të tillë, por këta të fundit u mbrojtën me arsyetimin se nuk është marrë asnjë vendim për ndërtimin e resortit dhe se Ministria për momentin ka vetëm rol facilitues në dialogun ndërmjet kompanisë dhe organizatave mjedisore.

Shumë nga pyetjet dhe shqetësimet e ekspertëve të mjedisit mbetën pa përgjigje sepse mungojnë studimet e plota, për florën dhe faunën detare, mungojnë studimet për regjimin e ujrave detarë, lumorë, nëntokësorë e sipërfaqësorë.

Të gjithë prezantimin e projektit dhe debatin e zhvilluar mund ta dëgjoni në linkun më poshtë.

Autor: Amarildo Topi

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: