Nga Amarildo Topi

Ditë e shtunë. Mot që të ftonte të shijoje natyrën. Nevojë për oksigjen. Nevojë për të ikur nga zhurmat e Tiranës. Kushtet perfekte për një udhëtim me biçikletë deri në Pezë. Dhe këtë gjë bëra së bashku me një grup miqsh.

Mes trafikut, blozës së marmitave dhe gropave në rrugë, ia dolëm të mbërrinim shëndoshë e mirë në destinacion.

Pa shkuar tek fusha, në qendër të fshatit, në të dyja anët e rrugës, ishin parkuar shtatë ose tetë autobusë. Për një moment mendova se ishin veteranë të luftës, të cilët mblidhen herë pas herë në Pezë. Por jo…

Sa më shumë i afroheshim fushës, aq më e fortë bëhej muzika që buçiste nga disa bokse të fuqishëm dhe brohorimat.

Me dy të dhëna të pedaleve mbërritëm tek fusha e Pezës. Para nesh u shfaqën qindra të rinj. Disa ishin mbledhur para një skene të improvizuar, disa hanin, disa pinin pije freskuese ose birrë e disa të tjerë luanin në natyrë.

Zëri që buçiste ishte ai i aktorit të Portokallisë, Besart Kallaku, i cili këndonte këngën e Skifterave

Menduam se ishte ndonjë shfaqje artistike me nxësësit e një prej gjimnazeve të Tiranës. Në atë moment turma e të rinjve shtoi brohorimat dhe një zë tjetër në mikrofon ftoi të fliste Ilir Metën.

Kishim përfunduar në një aktivitet politik të LSI-së.

Duke parë zhurmën, rrëmujën edhe faktin se nuk do të na pushonin veshët as në Pezë nga politika, menduam të ktheheshim menjëherë në Tiranë, por lodhja e të përshkuarit 20 kilometra bëri të sajën dhe vendosëm të qëndronim.

Donim apo s’donim, bashkë me maturantët e disa prej gjimnazeve të Tiranës, dëgjuam edhe ne fjalimin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, e më pas sërish batutat e Besart Kallakut dhe ahengun e këngëve popullore shqiptare.

Përveç rrahjes së gjoksit duke thënë se LSI është forca që qëndron më pranë të rinjve, kërkesës për mbështetje në zgjedhjet e qershorit, batutave të “skifterit” dhe tallavasë, të rinjve nuk iu servir asgjë tjetër.

Asnjë fjalë konkrete për arsimin. Asnjë fjalë konkrete për punësimin. Asnjë fjalë për ikjen në masë të të rinjve shqiptarë. Për fatin tonë të mirë, fjalimet nuk ishin të gjata dhe ahengu u mbyll më shpejt nga ç’menduam dhe mundëm ta shijonim pak qetësi në Pezë.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjithashtu këtë fundjavë është shfaqur duke folur përpara të rinjve votues për herë të parë në Fier e Shkodër. Ashtu si edhe në rastin e mësipërm gjimnazistët, nën organizimin e shtabeve elektorale, janë ngarkuar në autobusë e janë çuar atje ku do partia. Vetëm për sfond!

Kush do ta marrë copën e tortës?

Po përse gjithë kjo vëmendje tek maturantët ose ata që do të votojnë për herë të parë? Përgjigjja është e thjeshtë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme këtë vit votojnë për herë të parë 200 mijë shqiptarë. E përkthyer në gjuhën e preferuar të partive, do të thotë rreth 20 deputetë.

Prandaj jo vetëm LSI dhe PS, por edhe Partia Demokratike, LIBRA, etj., janë duke përqendruar energjitë e tyre në këtë grupmoshë, sepse mund të manipulohen me lehtë dhe çka është më e rëndësishme për ta, mund t’u dhurojnë disa deputetë.

Shtabet elektorale, të ngritura prej kohësh edhe pse nuk ka filluar zyrtarisht fushata, janë kthyer në agjenci turistike që organizojnë udhëtime me të rinjtë ose agjenci eventesh që organizojnë çdo ditë festa në lokalet e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. Janë në garë me njëra-tjetrën kush e kush të bëjë për vete këta votues.

Përveç alkoolit falas, festave, fotografive profesionale dhe selfieve me ‘liderat historikë’, të rinjtë nuk marrin gjë tjetër në këmbim.  Ata sërish mbeten në vend numëro sa i përket dijeve, e ndoshta më keq, sepse kohën e shpenzuar në këto aktivitete fasadë mund ta kalonin duke mësuar apo lexuar.

Nëse vërtet partitë janë të interesuara për këta të rinj duhet të organizojnë aktivitete, ku ata me të vërtetë mund të mësojnë diçka, të dëgjojnë histori suksesi, të dëgjojnë të flitet për ide e politika të vërteta të majta, të qendrës apo të djathta. Të jenë në gjendje për të gjykuar se cilën forcë politike duan të mbështesin.

Fatkeqësisht etaloni matës i të rinjve për momentin është se cila parti organizoi udhëtimin më të bukur apo festën më të bukur.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu