Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ertina Dyrma, 26-vjeçarja që braktisi Londrën për Elbasanin

Nëse për pjesën më të madhe të të rinjve shqiptarë Tirana është “toka e premtuar”,  ky nuk është rasti i Ertina Dyrmas, 26- vjeçarja nga Elbasani, që ka braktisur Londrën për të jetuar në qytetin e saj të lindjes.

E diplomuar për zhvillimin e tregjeve të reja, në universitetin e Greenwich në Angli, Ertina është nga ato të reja sfiduese që nuk dorëzohet asnjëherë dhe nuk e pranon dështimin.

Larg modelit të të rinjve shqiptarë që popullojnë në çdo orar të ditë-natës lokalet, me veshjet më të fundit të modës dhe të kujdesur në maksimum për veten, Ertina “dashuron” atletet dhe është gjithmonë e zënë me takime pune ose duke punuar për një projekt të ri.

E pas çdo takimi del edhe më energjike. Jo sepse merr përgjigje pozitive, por sepse ajo mendon se asnjë përpjekje, asnjë punë që ke bërë nuk mund të shkojë dëm. Për të, nëse je rrëzuar në gjysmë të rrugës, është e sigurtë se kur të nisesh herën tjetër do të jesh një hap më larg. “E di cili është problemi me ne shqiptarët? Ne presim! Sepse ne mendojmë se do të shtypemi, mendojmë se nuk do të na hapet një derë, mendojmë se asnjë nuk na merr parasysh, asnjë nuk do të na ndihmojë… Dhe në momentin që ti shtypesh apo rrëzohesh ne themi: “E mo lërë fare”. Por ky është një mentalitet krejt i gabuar. Po ju them një gjë: nëse unë kam aplikuar në 1 mijë vende pune në Angli dhe në fund fare fitova 1 apo 3, në këtë rrugë unë jam rrëzuar me qindra herë, por kjo nuk do të thotë se unë nuk kam vlerë. Ky është problemi me shqiptarët: në sfidën e parë demoralizohen, e ndiejnë veten të pavlerë, të pafuqishëm, dhe fillojnë të kërkojnë mikun”, na rrëfen Ertina.

Vetëm një vit pasi ajo është kthyer në Elbasan, nuk ka një minutë kohë të lirë. Ndonëse ka dështuar për të gjetur një punë në administratë, kjo nuk e ka bërë të dorëzohet. Aktualisht po ndihmon vullnetarisht tre organizata jofitimprurëse (njëra është për të rinjtë, njëra për fëmijet romë dhe egjyptianë dhe tjetra për fëmijët me aftësinë e kufizuar nga 2- 17 vjeç), ndërkohë që është e angazhuar edhe me projekte të ndryshme në agrikulturë e turizëm, fushë në të cilin zhvillon edhe bizneset private të familjes.

Ertina Dyrma. Foto: Private

“Dëshira ime e madhe ka qenë të vazhdoja studimet  për kontabilitet, por zgjodha turizmin dhe më pas mbarova masterin për zhvillimin e tregjeve të reja,  pasi mendova që do të ishte një fushë ku mund të kontribuoja më shumë. Sot mendoj se ishte zgjedhja e duhur”, thotë ajo për Citizens Channel.

Ertina na tregon se vendimi për t’u kthyer në Shqipëri nuk ka qenë edhe aspak i lehtë. “Pas një viti eksperiencë pune në Londër isha në një dilemë të madhe, të vazhoja të qëndroja apo të kthehesha në Shqipëri. Kur ika në Angli nuk u largova për të qëndruar atje, por të merrja një eksperiencë ndryshe dhe të bëja një “ndryshim” në Shqipëri me anë të të rinjve, por kur erdhi momenti për t’u kthyer nuk ishte edhe aq vendim i lehtë. Megjithatë tashmë jam kthyer që prej një viti, kam shumë plane, ide, ideale, nuk di a do të mund t’i realizoj dhe sa do të realizoj, por jam e bindur se nëse ke pasion mund t’ia arrish qëllimit.”

Ajo na tregon se ka trokitur në shumë dyer për një vend pune, por asnjëra prej tyre nuk i është hapur, ndaj ka zgjedhur t’i përkushtohet biznesit privat të familjes.

“Pengesa e parë është Dap-i i famshëm. Mua më kanë skualifikuar se nuk kisha librezë pune. Është absurde, sepse nuk mund të skualifikosh një kandidat në bazë të disa letrave që hapen pasi nis punën dhe jo në bazë të aftësive që ka. E dyta është miku dhe e treta është paraja. Këto janë tre gjërat që të përplasen në fytyrë kur kërkon një punë në Shqipëri. Unë ia kam dalë sepse kam mbështetjen e biznesit privat”, rrëfen ajo.

Strikte dhe e vendosur, ajo na tregon se has disa probleme me të rinjtë me të cilët punon. “Nuk e kuptojnë se nëse merr përsipër një përgjegjësi, ke kaluar disa faza intervistash, personat që ke përballë presin që ti të realizosh punën që ke marrë përsipër, në të kundërt mos pengo punën. Shoh që tek të rinjtë shqiptarë mungon kjo pjesë. Por unë më mirë përdor një mik për një projekt të ri, që mund të bëjë një ndryshim të madh tek të rinjtë apo në imazhin e Shqipërisë, se sa ta përdor për të gjetur një vend pune”, na thotë ajo.

Për Ertinën është absurde “pasioni” i të rinjve shqiptarë që të anëtarësohen në parti për të fituar nëj vend pune. “E has shpesh që të rinjtë duhet të bëhen me një parti për të fituar atë që kërkojnë, dhe kjo është një fatkeqësi. Jam “ok” për të rinjtë që e kanë pasion politikën, por refuzoj të jem pjesë e politikës për të gjetur një vend pune.”

Pavarësisht optimizimit që e karakterizon, Ertina thotë se do të na duhen edhe shumë vite për të dalë nga ky realitet gri. “Derisa të gjithë të jenë të lirë, të bëjnë dhe të sillen si të duan, pa menduar se si do të mendojë partia apo çfarë do të thotë komshiu, vetëm atëherë ia kemi dalë. Por për këtë do të na duhen në mos 20 vite, 30 vite do të zgjasë patjetër.”

“Nato Youth Samit” është një nga sfidat e momentit të Ertinës, projekt i cili po zhvillohet mes një grupi të rinjsh shqiptarë dhe ndërkombëtarë nën mbikqyrjen e dy OJF-ve që operojnë nën kujdesin e NATO-s njëra dhe tjetra në Shqipëri. Për herë të parë ata synojnë të sjellin në Tiranë Samitin e Natos për të Rinjtë me rreth 100 delegatë nga 28 vendet anëtare të Natos, ekspertë, të ftuar speciale dhe njohës të mirë të çështjeve të sigurisë. “Kemi një interes të gjerë dhe kjo nënkupton më shumë ndërkombëtarët se sa qeveria shqiptare, por mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Samiti do të mbahet në muajin shtator, dhe i është i pari organizim i këtyre përmasave pasi deri tani ka qenë vetëm në nivel kombëtar. Me anë të këtij samiti profesional ekspertësh ne duam të sjellim një imazh ndryshe të rinisë shqiptare”, rrëfen ajo.

Por pavarësisht shkopinjve nën rrota, humbjen e shpresës për një pjesë të madhe, teserës së partisë që të duhet “si një biletë” për të ardhmen tënde, Ertina nuk e ka vështirë të shohë përtej këtij realiteti gri dhe të shpresojë se gjërat do të ndryshojnë.

“Me anë këtyre projekteve ku po bashkëpunoj unë kam arritur të njoh një rini që ia vlen të punohet, një rini që do të punojë dhe punon. Dhe kjo të jep shpresën që në të ardhmen do të ndodhë një ndryshim i madh. Dhe nuk do të jetë më e njëjta frymë komuniste që na ndjek e na përndjek gjithë këto vite. Për mua e vetmja shpresë është rinia, pasi vetëm ajo e ka forcën për të bërë një ndryshim radikal. Dhe e them me siguri se ky vend ka shpresë”, përfundon për Citizens Channel Ertina Dyrma.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *