Citizens Channel. Handmade Denajda

Të krijosh duke përmbushur dëshirat e të tjerëve, nuk është aspak e lehtë. Por kur në mes hyn pasioni, atëherë kjo marrëdhënie bëhet sa sfiduese, aq edhe e bukur. Dhe vetëm nëpërmjet pasionit, Denajda Çangu ja ka dalë mbanë.

20-vjeçarja, studente në Universitetin Epoka në degën financë-bankë, ka sot faqen e saj në Instagram, aty ku ka krijuar “biznesin” e saj të vogël të dhuratave të personalizuara. “Gjithçka nisi kohë më parë, kur kisha shkuar tek një shoqja ime, studente arkitekture. Atë natë ajo po krijonte një kartolinë dhuratë handmade (të realizuar me dorë). U fiksova aq shumë sa nuk fjeta gjithë natën. Aty ishte shtysa e vërtetë. Edhe unë mund të bëja diçka të tillë”, tregon ajo për Citizens Channel.

Gjithsesi talentin për artin dhe krijimet Denajda e ka të lidhur me fëmijërinë. “Që e vogël pikturoja, i mbaja në dosje, i ruaja dhe doja të dilja gjithmonë e para në vizatime.”

Në tetor të 2016-ës ajo hapi për herë të pare llogarinë në Instagram, nën emrin “Handmade Tirana”, e cila më pas u bllokua për shkak të kërkesave. Më vonë faqja kaloi nën emrin “Handmade_Denajda”, llogari e cila sot ka rreth 1400 ndjekës.

Handmade Denajda Instagram. Citizens Channel
Llogaria në Instagram Handmade_Denajda

“Plot një javë pasi hapa llogarinë e parë, mora porosinë e parë. Ishte një shportë shumë e thjeshtë, me një shishe shampanjë dhe një çokollatë. Nuk fitova shumë, por u ndjeva shumë mirë sepse e pëlqyen”, tregon plot entuziazëm 20-vjeçarja.

Sipas saj, ajo ndjeu aromën e suksesit që kur mori ndjekësin e parë. Më pas porositë nisën të shtohen dita-ditës. “Kam shënuar në bllok çdo porosi të marrë deri tani. Në total kam realizuar 60 dhurata të personalizuara. Porositësit më të shumtë në numër janë të rinjtë. Shumica e tyre janë vajza”, tregon Denajda për Citizens Channel.

Idetë fillestare i ka marrë nga interneti, por dekorimet dhe kombinimin e ngjyrave e ka bërë gjithmonë vetë. Kur bisedon me të, e kupton që ajo s’ngjason me moshataret e brezit të saj, të cilat e përdorin Instagramin për postuar selfie dhe shpenzojnë paratë që marrin nga prindërit.

“Nuk preferoj që në këtë moshë të marr ende para nga prindërit. Mbaj shënim në një bllok sa harxhoj dhe sa fitoj. Madje po kursej që të bëj një master jashtë vendit. Pastaj dua të kthehem sërish këtu, ku kam familjen dhe njerëzit më të dashur”, rrëfen me fytyrën e mbushur plot krenari për veten dhe idetë e qarta që ka për të ardhmen.

Denajda gjatë punës për realizimin e një porosie. Citizens Channel
Denajda Cangu në tavolinën modeste të punës duke realizuar një porosi. Foto: Private

Përveç krijimit, ajo nuk ndalet me kaq. Preferon që disa porosi t’i çojë vetë në destinacion, për të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë dozën e lumturisë që merr personi nga dhurata. “Porositë i shpërndaj me postë nëpër Shqipëri, ndërsa në Tiranë në shumë raste i dorëzoj vetë. S’ka ndjesi më të bukur se ajo e falenderimit”, rrëfen ajo plot sinqeritet.

A ka pasur raste kur Denajda s’ja ka “qëlluar” në realizimin e një dhurate ashtu siç e kanë porositur? “Mbase ka pasur ndonjë rast, por kjo s’më ka dekurajuar. Përkundrazi, më ka nxitur të bëj krijime akoma më te bukura. Dhe nëse kalojnë dy ditë pa marrë një porosi të re, bëhem keq”, buzëqesh ajo.

“Handmade_Denajda” ka udhëtuar deri tani në Shkodër, Tepelenë, Vlorë, e deri në Malësi të Madhe. Si episodin më të veçantë të punës se saj mban mend dorëzimin e një torte të personalizuar me çokollata. “Kur po e çoja tek vajza që do ta merrte dhuratë, rrugës dëgjoja vajza që me xhelozi thonin: “Dua dhe unë”! Dhe unë që ju thashë me të qeshur: Po hë pra goca, zgjidhni Handmade by Denajda!”

Autor: El/El

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu