Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Inceneratorët/Shkatërrim për mjedisin, rrënim për biznesin e riciklimit

Koncensionet për djegien e mbeturinave janë kthyer në “vezën e artë” të qeverisë shqiptare. Aktualisht kabineti Rama i kanë dhënë “ok-in”, 6 projekteve për ndërtimin e impianteve gjigandë për incenerimin e mbeturinave, që sipas qeverisë përllogaritet të sjellin një investim prej 100 milionë eurosh.  

Por ndërtimi i impianteve për djegien e mbeturinave, është kundërshtuar ashpër nga ekspertët e mjedisit dhe shoqata e ricikluesve. Ambientalistët aludojnë se inceneratorët që po instalohen në Shqipëri, janë një teknologji e vjetëruar (e viteve ‘70-’80) që BE e ka nxjerrë prej vitesh nga përdorimi dhe po e shet për skrap.

Ndërsa për ricikluesit kjo është një nismë që “i gropos” ata pasi në Shqipëri nuk ka kaq shumë mbetje që të mbajë “gjallë” të dy këto aktivitete. Të ndodhur në prag falimentit, edhe pse kanë investuar mbi 150 milionë euro, disa prej ricikluesve kanë nisur të zhvendosen drejt Maqedonisë që ofron një paketë fiskale shumë më favorizuese për këtë lloj aktiviteti se sa vendi ynë.

Por këtyre zërave kundër, kryeministri Rama, ka zgjedhur t’u përgjigjet nga ceremonia i inagurimit të inceneratorit në Elbasan ku është shprehur se “kemi një impiant që nuk e ka askush në rajon” dhe se do “ta ndërtojmë edhe në Fier, edhe në Tiranë”.

Inceneratori i Elbasanit

Vetëm 3 km larg qytetit të Elbasanit, aty ku dikur depozitoheshin mbetjet e metalurgjikut famëkeq, që prej 18 prillit ka ndezur motorrët inceneratori i parë për djegien e mbeturinave në vendin tonë. Impianti, që përfshin edhe landfillin, një investim me vlerë 22 milionë euro, është pritur me skepticizëm nga ambientalistët dhe ekspertët e mjedisit.

Ambientalisti Sazan Guri, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e prerjes së shiritit të inagurimit të inceneratorit të Elbasanit është një ndër kundërshtuesit e fortë të teknologjisë së incenerimit të mbetjeve. Pasi ka parë nga afër impiantin e Elbasanit, ai shprehet se ka edhe më shumë arsye për ta kundërshtuar dhe rendit tre prej tyre se përse është skeptik. “Së pari nuk më bind impianti, që parashikon djegie maksimale deri në 970 gradë celcius. Dioksinat dhe furanet që çlirohen nga procesi i djegies së mbeturinave, nuk mund të shpërbëhen në temperaturë më pak se 2000 gradë celcius. Kjo do të thotë që do të kemi një rritje të ndotjes me rrezikshmëri të lartë të zonës përreth. I kam ndjekur teknologjitë që përdorin vendet e BE, dhe mendoj se këto impiante që janë sjellë tek ne vetëm sa janë lyer bukur, por vetë Europa i ka hequr prej vitesh nga qarkullimi pasi prodhojnë shumë ndotje. Së dyti unë nuk mund të pranoj idenë që në një vend kaq të vogël si ne të ndërtohen 6 inceneratorë. Jam dakord që të ndërtohet vetëm një, por jo 6. Elbasani mund të jetë një djegës termik kombëtar ku të shkojnë mbetjet e rrrezikshme, mbetjet spitalore, sepse kaq mbeturina prodhojmë ne dhe nuk mund të mbahen 6 inceneratorë me kapacitet të plotë dhe 60 firma riciklimi. Së treti unë jam inxhinier në profesion dhe deri më tani nuk kam dëgjuar të ndërtohet një landfill në zhavorr siç ka ndodhur në Elbasan. Është një gabim fatal inxhinierik të ndërtosh në terren zallor, shumë shpejt koha do e tregojë se ky është një investim i gabuar dhe në vendin e gabuar”, shpjegon për Citizens Channel ambientalisti Guri.

Për Sazan Gurin, Shqipëria nuk ka nevojë për djegie të mbeturinave, por për riciklim. “Qeveria shqiptare ka deklaruar se ka turizmin prioritet, por nëse ndërton kaq shumë inceneratorë për djegie mbeturinash në fakt e ke shkatërruar turzimin – na thotë Guri. – Duhet të jetë e qartë nëse strategjia e menaxhimit të mbetjeve do shkojë drejt ricklimit apo drejt djegies? Nëse shkojmë drejt djegies atëherë duhet të kihet parasysh se hiri që del nga djegia tashmë është mbetje e rrezikshme, por unë nuk kam parë që të jetë ndërtuar një landfill për mbetje të rrezikshme, por po ndërtohen landfille për mbetje të zakonshme”, na thotë ai.

Sa i përket filtrave mbrojtës Guri shprehet se ky është një marifet i vjetër që të gjithë e dinë se si përfundon. “Në vendet e BE-së, inceneratorët e kanë të publikuar në kohë reale on-line çdo emetim që bëjnë dhe nivelin e emetimeve. Vetëm nëse funksionon kështu, pra që unë mund të futem on-line në çdo kohë dhe ta monitorj vetë se çfarë po ndodh, atëherë unë jam i bindur që aty gjërat do të ecin mbarë, por nëse këta na thonë që mund të shkoni vetë dhe të shikoni filtrat, kjo është një lojë që luhet prej vitesh në vendin tonë dhe e dimë të gjithë se çfarë niveli ndotjeje prodhojnë”, shprehet Guri, i cili nuk ka mëdyshje që e  njëjta teknologji do të sillet edhe në Fier.

“Unë e kam parë edhe projektin e Fierit, dhe asgjë nuk ndryshon nga ky i Elbasanit. Kështu që unë do të vazhdoj të jem në vijën e parë të protestave kundër këtyre impianteve të djegies së mbeturinave. Do të na e rrisin shumë më shumë nivelin e ndotjes të rrezikshme.”

Bardhyl Baltëza, kryetar i shoqatës së ricikluesve në Shqipëri e parasheh si shumë të turbullt vendimin për ngritjen e inceneratorëve të mbeturinave në vendin tonë. “Më e keqja është se thuajse të gjithë inceneratorët janë parashikuar me kapacitete shumë të mëdha. Duke filluar nga Elbasani, që ka të parashikuar kapacitet përpunimi ditor më të madh se sa sasia e mbetjeve që prodhon ky qark. Ata na kanë thënë që do të djegin mbetjet e vjetra. Unë iu them se ato janë bërë baltë tashmë, dhe balta nuk mund të digjet… Dhe çfarë do të ndodhë paskëtaj? Janë shqiptarët që do ta paguajnë koston, pasi koncensionarit i është garantuar që për 7 vite me radhë do të djegë këtë sasi ditore”, thotë Baltëza. 

Bardhyl Baltëza

Sipas tij, incenerim do të thotë ‘vdekje” për industrinë e riciklimit. “Ne kemi nënshkruar MSA-në, sipas së cilës deri në vitin 2018 duhet të riciklojmë 25% të mbetjeve, pasi aktualisht riciklohet vetëm 17% e totalit të mbetjeve që prodhojmë në vend. Nëse nuk përmbushim këto kushte ka penalitete. Ricikluesit në vendin tonë kanë marrë fund dhe shumë prej tyre tashmë kanë nisur shpërnguljen drejt Maqedonisë, e cila ka politika fiskale shumë favorizuese për këtë biznes”, shprehet Baltëza.

Baltëza shprehet se shoqata e ricikluesve i ka dërguar sugjerimet ekspertëve të qeverisë, por askush nuk i ka marrë në konsideratë duke rrezikuar daljen në rrugë të madhe të 3 mijë personave që janë të punësuar në industrinë e riciklimit.

Për Artan Manushaqen, ekspert juridik për çështjet e mjedisit, pas kësaj nisme që qeveria shqiptare përpiqet ta shesë bukur fshihet një aferë e madhe korruptive. “Asgjë nuk është transparente. As VNM-të (Vendimet e Ndikimit në Mjedis), as konsultat me publikun. Keni parasysh rastin e Fierit. Në filllim u tha se do ndërtohej në Mbrostar, por u tërhoqën pas protestave të banorëve, pastaj u tha se do të ndërtohej në Mborje dhe tani në Vërri… Po si ka mundësi që pavarësisht se u ndryshua vendndodhja se ku do të ndërtohej inceneratori, projekti në letër vazhdon të jetë i njëjti? A nuk duhej bërë një studim fizibiliteti nga e para se ndryshoi vendi? A nuk duhej një VNM nga e para? Asgjë. Këto janë në shkelje të hapur të të çdo të drejte ligjore. Një incinerator kur vihet në punë nuk fiket më, ai do lëndë të parë 24 orë. Ja vitin e parë u pastrua i gjithë vendi, pastaj me çfarë do të punojnë gjithë këto inceneratorë? Do marrin plehrat e botës që t’i djegin këtu, ndaj edhe e miratuan ligjin për importin e mbetjeve”, na thotë Manushaqe, i cili është edhe pjesëtar i Aleancës Kundër Importit të Plehrave.

Por përkundër këtyre qëndrimeve kritike të ambientalistëve dhe palëve të interesit qeveria vazhdon të këmbëngulë në dobinë e këtyre inceneratorëve. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, e ka konsideruar madje inceneratorin e Elbasanit “një vepër inxhinierike unike në llojin e vet në Shqipëri, me teknologji supreme”.

“Impianti është në gjendje të prodhojë 2.85 Megavat energji elektrike në orë, si dhe rreth 11 megavat avuj në orë, të cilat në të ardhmen, do të përdoren për serrat hidroponike, që do të ngrihen këtu pranë. Absolutisht, sot jemi përballë, një kryevepre të teknologjisë që tejkalon çdo standard mjedisor kombëtar dhe ndërkombëtar”, është shprehur Koka në ceremoninë e inaugurimit. Ndërsa kryeministri Rama është shprehur se tashmë merr fund ndotja e qytetit të Elbasanit dhe se një incinerator të tillë do “ta ndërtojmë edhe në Fier, edhe në Tiranë”.

Koncensionet e plehrave

Djegia e mbeturinave të Elbasanit i është besuar “Albtek Energy shpk”, e cila ka nënshkruar një kontratë koncensionare për 7 vjet me qeverinë shqiptare. Impianti përbëhet nga inceneratori dhe landfilli, i cili do të mbledhë dhe djegë mbeturinat. Vlera e investimit është 22 milionë euro, nga të cilat qeveria shqiptare kontribuon me një pjesë të madhe të fondeve me plot 12 milion euro, kurse 9.5 milion euro nga Albtek Energy shpk. Ai do të përpunojë 120-140 tonë mbetje të ngurta urbane.

Në impiantin e Fierit pritet që të përpunohen 180-200 ton mbeturina urbane në ditë ose rreth 70.000 ton në vit, kapacitet që sipas Ministrisë së Mjedisit është përllogaritur në bazë të gjenerimit të mbetjeve të Qarkut Fier. Nga djegia e tyre pritet të sigurohet prodhim energjie elektrike me fuqi 3.85 Mw.
Kohëzgjatja e këtij konçesioni, që i është besuar shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” do të jetë 6 vjet.

Duke përdorur skemën e partneritetit publik-privat (PPP) qeveria shqiptare qeveria shqiptare ka nisur procedurat për ndërtimin e një inceneratori në landfillin e Sharrës edhe në Tiranë. Por ndryshe nga Elbasani dhe Fieri, koncensioni për plehrat e Tiranës do të jepet për 30 vjet dhe kap shifrën e 140 milionë eurove.

Po ashtu inceneratorët e tjerë janë parashikuar që të ndërtohjen në Durrës, Maliq dhe Delvinë.  

Autor: Citizens Channel 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *