Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aleksandra Panganika – Dashuri me gjuhën e shenjave

Të takosh të rinj shqiptarë që të frymëzojnë, po bëhet gjithmonë e më e rrallë. Shumë pak prej tyre janë me ide të qarta për të ardhmen. Dhe më të rrallë akoma janë ata që mendojnë më shumë për të tjerët sesa për veten. Prandaj takimi me ta është fatlum, i veçantë dhe që ndodh një herë në kushedi sa kohë. I tillë është dhe takimi me Aleksandra Panganikën, vajza që dhuron dashuri me gjuhën e shenjave. Jo sepse ajo nuk dëgjon ose flet. Përkundrazi, ajo është një 20-vjeçare e shëndetshme e plot jetë. Me një zemër të madhe dhe plot energji pozitive. 

Aleksandra ka ardhur të studiojë në Tiranë tre vite më parë, kur braktisi familjen dhe jetën e saj prej adoleshenteje në qytetin e Elbasanit dhe u vendos në metropol. Studimet për anglisht, në specialitetin përkthim dhe interpretim, do ta vinin përballë një jete të re, me shumë dinamikë dhe plot ditë të bukura. Në kryeqytet, ajo përmbushi pasione të vjetra dhe vijëzoi ëndrra të reja, që më shumë se asaj vetë, do t’u vijnë në ndihmë të tjerëve. Më konkretisht, do tu hapë dyert mijëra personave që nuk flasin dhe dëgjojnë. 

Gjithçka nisi në fëmijërinë e saj. “Në klasën e nëntë ndiqja gjithmonë “Listen to your heart”, film episodik me gjuhën e shenjave. Fillimisht mësova gjuhën angleze të shenjave. Sepse nuk është e vërtetë që ka një gjuhë shenjash. Çdo shtet ka gjuhën e tij të shenjave”, tregon gjithë interes Aleksandra. Më pas në internet nisi të mësonte dhe perfeksiononte më tepër këtë gjuhë, duke dëgjuar këngë dhe duke i interpretuar me shenja, edhe pse nisja ishte shumë e vështirë.

Dashuria e madhe u rrit dita-ditës, derisa erdhi në fakultet dhe u njoh me shoqatën ANADA (Albanian National Association of the Deaf). “U lidha nëpërmjet rrjeteve sociale me anëtarët e këtij komuniteti. Edhe pse isha e entuziazmuar, u habita që ata nuk e kuptonin gjuhën time të shenjave. Më ka bërë përshtypje dhe për herë të parë kuptova që bashkë me gjuhën vjen edhe kultura. Ajo gjuhë sjell kulturë më vete. Për shembull kur takohen në kafene, ulen gjithmonë në formë rrethi, në mënyrë që ta kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Janë shumë të dashur, mbase edhe nga mungesa e komunikimit. Gjithashtu janë shumë të gatshëm të të mësojnë gjuhën e tyre. Herët e para që flisja gjuhën e shenjave në anglisht, isha me shtatë vajza të komunitetit. S’po më kuptonin, normalisht. Për herë të parë u ndjeva e diskriminuar dhe aty e kam mësuar se sa e vështirë është të mos të të kuptojnë. Aty e në vazhdim nisën të më korrigjonin dhe të mësonin gjuhën shqipe të shenjave”, na rrëfen Aleksandra.

Aleksandra me vajza të komunitetit. Foto: Private

Ajo është aktualisht vullnetare në shoqatën ANADA, tek Instituti i Njerëzve që nuk Dëgjojnë dhe së fundmi pjesë e organizatës “LiburnEtik”, e cila ndër të tjera merret edhe me grupet e margjinalizuara. Ëndrra e saj më e re, lidhet pikërisht me këta njerëz. 

“Ndonjëherë më thonë që s’jam me këmbët në tokë. Unë dua të hap një katedër për gjuhën e shenjave në fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe dua që zyrtarizohet. Në Shqipëri janë vetëm 6 njerëz që përkthejnë gjuhën e shenjave. Ndërkohë që sipas një studimi nga INSTAT të bërë para tre vitesh, rezultojmë të jenë 39.000 persona me dëmtime të shkallëve të ndryshme të dëgjimit në të gjithë Shqipërinë”, tregon 20-vjeçarja. 

“Kam shumë shokë e shoqe që nuk dëgjojnë dhe i kam prezantuar me shoqërinë time të ngushtë. Këta njerëz kanë po të njëjtat dëshira e ëndrra, dhe duhet të trajtohen më mirë nga shoqëria”, apelon Aleksandra.

Ajo thekson se gjatë fëmijërisë në Elbasan ka bërë dhe tre vite në piano dhe kjo ndjeshmëri për muzikën e ka ndihmuar shumë për këtë lidhje të fortë me këtë komunitet. “Organizata ku unë bëj pjesë, LiburnEtik, ka një projekt për të lidhur muzikën me personat që nuk dëgjojnë. Kam shumë dëshirë që të mundësoj krijimin e një kënge me gjuhën e shenjave dhe ta ngremë si kauzë”, shprehet me sytë që i shkëlqejnë nga shpresa dhe optimizmi. 

Gjuhët e huaja

Pasioni për gjuhët e huaja e ka zanafillën në fëmijërinë e saj, kohë kur fliste me kukullat anglisht, pa ditur në realitet anglisht. “E vetmja fjalë që dija ishte never, e më pas pjesa tjetër ishin fjalë të shpikura që tingëllonin në anglisht por që nuk ekzistonin”, kujton duke buzëqeshur. Por ajo nuk u ndal me kaq. Teksa vitet kalonin, ajo nisi të mësonte anglishten, italishten të cilën e kishte lëndë me zgjedhje, në fakultet preferoi të kishte gjermanishten si gjuhë të dytë dhe prej një viti, ajo i është futur edhe mësimit të gjuhës kineze. 

Autor: El/El

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *