Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti/Arsyet se pse inceneratori i Vërrisë është kërcënim për jetën e banorëve përreth

Ndërtimi i inceneratorit të djegies së mbeturinave në fshatin Vërri në Fier, do të ketë efekte të forta në mjedis dhe jetën e banorëve. Një grup ekspertësh, që kanë hartuar raportin joteknik të ndikimit në mjedis të këtij impianti kanë arritur në përfundimin se “operimi i inceneratorit shoqërohet me shkarkimin në ajër dhe ujëra të disa ndotësve të tillë si NOx, SO2, gazet acidë, metalet e rëndë, dioksina dhe furane”, të cilat mund të kthehen në një bombë të vërtetë mjedisore për banorët në këtë zonë.

Raporti teknik

Raporti joteknik i ndikimit në mjedis përllogarit që “dëmet” më të mëdha do të jenë gjatë fazës së operimit dhe ndërtimit të kësaj vepre, ndërkohë që hartuesit e këtij raporti kujdesen të thonë se “nuk ka akoma studime që të konfirmojnë lidhjen e ndotjes së ajrit me problemet në shëndetin e popullatës”.

Ata në fakt i referohen studimeve të ndryshme për rritjen e sëmundshmërisë në rrugët e frymëmarrjës dhe kancereve të ndryshëm në zona të njohura për ndotjen e ajrit, “por gjithsesi, asnjë prej këtyre studimeve nuk provon që incidenca në rritje e këtyre sëmundjeve lidhet direkt me faktorë të veçantë të ndotjes, pavarësisht se efektet negative të disa prej tyre në shëndetin e njeriut janë të njohura dhe me raste edhe të matura”, përpiqen të fshihen pas një loje fjalësh të tipit “e lagu-s’e lagu” ekspertët që kanë përgatitur raportin joteknik të ndikimit në mjedis. 

Por a kanë të drejtë banorët që shqetësohen për ndërtimin e inceneratorit?

Në fakt kjo zonë konsiderohet një ndër “hot spotet” më të nxehta në vend. Semani dhe Gjanica janë të tejndotur me hidrokarbure, ndërkohë Azotiku ka kontribuar në ndotjen e ajrit, i cili është i tejndotur me: lëndë të ngurtë pezull, pluhur, ozon dhe dioksid squfuri. Kësaj situate prej vitesh alarmante, do t’i shtohet edhe ndërtimi i impiantit dhe inceneratorit të djegies së 200 tonë mbeturinave në ditë, duke rrezikuar kështu që të shtojë edhe më shumë nivelin e ndotjes në këtë zonë. Duke parandjerë këtë katastrofë mjedisore, banorët e Vërrisë po protestojnë që prej muajsh kundër këtij ndërtimi, dhe krah tyre janë rrjeshtuar edhe ekspertët mjedisorë.  

Pasojat negative

Gjatë fazës operacionale ndodh çlirim i gazeve të landfillit, ka emetim gazesh nga sistemi i trajtimit të lëngjeve kullues dhe lekateve dhe, emetim gazesh nga makineritë që do të punojnë për kompaktësimin e mbetjeve dhe mbulimin e tyre, ndërkohë që “frika” më e madhe është mbajtja nën kontroll e gazit metan, i cili përbën rrezik për shpërthim nëse tejkalohet norma.

Duke iu referuar këtij raporti cilësia e jëtës së banorëve, cilësia e ajrit, ujërave nëntokësorë dhe tokave bujqësore duke prekur të gjithë zinxhirin ushqimor do të pësojë cënime serioze gjatë fazës operacionale të këtij impianti. “Incenerimi i mbetjeve, shoqërohet me emetime të konsiderueshme gazesh, të cilat nëse nuk kontrollohen dhe reduktohen në masën e lejuar nga legjislacioni dhe standartet, mund të përbëjnë rrezik serioz për ajrin. Ajri mund të ndikohet nga emetimi i gazit metan në rast keqfunksionimi të sistemit kapës të tij në landfill. Ajri mund të ndikohet gjithashtu në masë të konsiderueshme nga zhurmat, aromat e mbetjeve dhe vibrimet në impiant”, thuhet në raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.

Sipas ekspertëve, shkarkimet në ajër përfaqësojnë një nga çështjet mjedisore më të rëndësishme në procesin e djegies së mbetjeve urbane për shkak të volumit të madh të gazeve që çlirohen nga ky proces, në përbërje të të cilëve gjenden substanca ndotëse.

Sipas përllogaritjeve nga djegia e 1 ton mbetjesh të ngurta gjenerohen 4500-6000 Nm3/t (në 11% O2) gaze që çlirohen në mjedis nëpërmjet oxhakut. Bazuar në teknologjinë, kushtet e operimit dhe përbërjen e mbetjeve, në këtë volum gazi gjenden ndotës të tillë si: lënda e grimcuar; acide dhe gaze të tjerë ( HCl, HF, HBr, HI, SO2, NOx, …);  metale të rëndë( Hg, Cd, Tl, As, Pb, Zn, Ni, Sb, Se, Sn,….) si dhe komponime të karbonit (CO, VOC, PCDD/PCDF, PCB, PAH).

Pjesë nga raporti joteknik i ndikimit në mjedis të inceneratorit

Më tej sqarohet se mjaft të rrezikuar nga ndotja janë edhe ujrat. “Teknologjia e djegies së mbetjeve urbane por edhe depozitimi fundor në landfill shoqërohet me gjenerim ujërash të ndotur. Trajtimi jo në mënyrën e duhur të këtyre ujërave përpara shkarkimit në ujërat sipërfaqësorë të zonës mund të përbëjë një kërcënim serioz për këtë të fundit”, shpjegojnë ekspertët, ndërsa sqarojnë se do të ndryshojë edhe habitati i lumit Seman dhe disa popullata peshqish “si pasojë e shkarkimit të ujërave të ndotur të patrajtuar të impiantit”.

Jashtë kësaj ndotjeje nuk mbetet as toka bujqësore e cila “mund të ndikohet nga shkarkimet në ajër dhe aksidentet në menaxhimin e lëngjeve kullues të landfillit. Ndotja mund të transferohet në kulturat bujqësore dhe zinxhirin ushqimor”.

Ekspertët që kanë hartuar raportin joteknik të ndikimit në mjedis të këtij inceneratori janë të qartë kur thonë se “operimi i impiantit do të cënojë cilesinë e jetës në zonë. Mos përmbushja e normave të shkarkimit në ajër dhe në ujëra mund të shkaktojë probleme serioze për shëndetin e banorëve përreth impiantit”.

Një tjetër etapë e rëndësishme janë mbetjet që do të ngelin pas djegies së mbeturinave dhe që konsiderohen mbetje të rrezikshme. Sipas këtij raporti, përllogaritet që nëse inceneratori funksionon me kapacitet maksimal 200 ton/ditë për 335 ditë/vit (67,000 ton/vit/mbetje) do të gjenerohen rreth 13.400 m3 mbetje në formën e hirit, skorjeve dhe tortës së pastrimit të gazeve.

Hiri është pjesa më e imët e grimcave të padjegura. Për shkak të përmbajtjes së lartë në të të kripërave dhe metaleve të rëndë, hiri nuk mund të përdoret ose ripërdoret në ndërtim rrugësh dhe procese të tjerë industrialë. Për pasojë, e vetmja mënyrë e trajtimit të tij është depozitimi në landfille të posaçëm, kusht ky që nuk është i përfshirë në projektin për landfillin e Fierit.

Projekti i ndërtimit të këtij impianti do të zgjasë për dy vite me radhë, dhe këto ndotës do të jenë “buka e përditshme” e banorëve të kësaj zone, duke marrë në konsideratë rastin më të mirë që pas ndërtimit gjithçka do të ecë “vaj”.

Por pavarësisht këtyre ndotësve të lartë, pas ndërtimit, eksperët kanë parashikuar monitorime 6- mujore sa i përket të gazeve të emetuara. Po aq, dy herë në vit do të monitorohen edhe ujrat nëntokësorë e sipërfaqësorë. Po ashtu edhe parametrat e emetimit të biomasës së gazit dhe diksionave do të monitorohen 1 deri në 2 herë në vit.

Banorët e kësaj zone të cilët vazhdojnë të protestojnë që prej muajsh kundër ndërtimit të këtij inceneratori në fakt i kanë dërguar edhe një letër të hapur në fund të javës që lamë pas kryeministrit Rama. Sipas kësaj letre ata shprehen se “Inceneratori do të ndërtohet vetëm nëse kalojnë mbi trupat e tyre”, por nga ana tjetër qeveria  Rama është e vendosur të ndërtojë 6 inceneratorë për djegien e mbeturinave në vendin tonë. Madje qëveria Rama po i “shet” koncensionet PPP-të e incenartorëve të mbetjeve si e vetmja zgjidhje për të pastruar Shqipërinë.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *