Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

ISHP – QSUT-së: Dezinfektoni bllokun post operator, pacientët po marrin baktere të rrezikshme

Një pjesë e konsiderueshme e të sëmurëve që operohen në spitale publike marrin infeksione spitalore. Si pasojë qëndrojnë më shumë ditë në spital dhe antibiotikët nuk u japin efekt. Ekspertët e ISHP-së rekomandojnë stafin që të dezinfektojnë duart, plagët t’i mjekojnë me doreza njëpërdorimshme dhe më pas të flaken dhe të rrallohen hyrje-daljet në dhomën e të sëmurit.

Studimi

Një studim i kryer nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik në repartin e kirurgjisë nr.1 në QSUT për periudhën janar – mars 2016, ka zbuluar se ndonëse sallat e operacionit ishin të pastra, në bllokun post operator plagët e pacientëve janë infektuar me E.Coli dhe Stafilokok.

Si pasojë edhe kura me antibiotikë që ata i janë nënshtruar nuk ka dhënë efekte, pasi infeksionet e marra janë rezistentë ndaj kurës së përdorur.

Ekzaminimet janë marrë në momentet që është bërë dezinfektimi, operacionet nuk kanë filluar dhe ambientet e sallës së operacionit janë gati për të filluar ndërhyrjet e ndryshme që janë të planifikuara. Mostrat u morën në sipërfaqe, orendi në solucione, personel, larja e duarve të instrumentares, në qarkun e tubave të aspirimit dhe të oksigjenit, solucion fiziologjik në shishen e aparatit të oksigjenit, maskat njëpërdorimshe, ambuja e pacientit dhe shtrati i të sëmurit, cistinë sterile dhe kompleti i mjekimit.

“Në klinikën nr.1 u morën 4 plagë postoperatore, u bë mbjellja në laboratorin e Infeksioneve spitalore dhe rezultuan të kontaminuara me E. Coli dhe Staphylococus Aureus”, – kanë argumentuar dy specialistet e ISHP-së, Zahide Sulejmani dhe Eugena Erindi që kanë bërë monitorimin e situatës.

Por nëse nga monitorimet që u janë bërë tre sallave të operacionit, ato kanë rezultuar konform të gjitha standardeve. I kontaminuar ka rezultuar ajri pranë shtratit operator, ajri pranë dritares si dhe ajri pranë derës.

“Është konstatuar gjatë vlerësimit ambiental mosrespektimi i rregullave standarde, i hyrjes në ambientet e sallës operatore. Gjithashtu në dhomën e zgjimit, dhomën parapërgatitore të pacientit për tu futur në operacion, në dritare u mor mostër dhe rezultoi me E. Coli, pasi injeksionet përgatiteshin në shiringa dhe i linin në dritare, gjë që është jashtë protokolleve klinike. Në bllokun e sallave operatore nuk ka sistem aspirimi. Nuk kanë sistem filtrimi të ajrit, brenda në bllokun operator. Llampat germicide viheshin në punë para fillimit të operacioneve. Sterilizimet e materialeve bëheshin në një dhomë me autoklav automatik të pajisur me indikatorë biologjik”, – thuhet në raportin e ISHP-së.

Duke marrë në konsideratë mangësitë e gjetura, eksperët sugjerojnë edhe marrjen e disa masave standarde parandaluese. “Hyrja strikte në ambientet e sallës operatore; larja e duarve pas çdo manipulimi mjekësor, të bëhen manipulimet dhe mjekime të plagës me doreza dhe pas çdo manipulimi të hidhen ato doreza, të lahen duart, dhe të dezinfektohen. Të evitohet hyrja e shumë vizitorëve në pavijon”, – janë disa nga rekomandimet që ekspertët e ISHP-së bëjnë për stafin para se të futet në sallën e operacionit.

Abstrakti i raportit të ISHP-së

Infeksionet spitalore

Infeksionet spitalore janë një ndër shqetësimet më të mëdha edhe në vendet e evropës së zhvilluar. Por nëse në Shqipëri përllogaritet që 20-22% e pacientëve, marrin infeksione spitalore gjatë kohës që ata shtrohen në spital për t’u kuruar, në vendet evropiane dhe në SHBA kjo shifër raportohet të jetë 12%.

Nga infeksionet spitalore më të rrezikuar janë ata që u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, çka mund të jetë fatale për jetën e pacientit. Por efekti më i shpeshtë që ata japin është kohëzgjatja e ditëqëndrimit në spital dhe një shërim më i ngadaltë. Në 20-80% të rasteve ata shfaqen kryesisht pas ditës së 21 të ndërhyrjes kirurgjikale, kohë gjatë së cilës pacienti mund edhe të ketë lenë spitalin.

Infeksionet spitalore konsiderohen të rrezikshme për shkak se zhvillohen në një ambient spitalor dhe është e vështirë të gjendet kura për t’i luftuar, pasi viruset kanë fituar rezistencë ndaj antibiotikëve.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *