Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

INSTAT, “gëzuar” 1 Majin me 208 mijë të papunë

Ndonëse kryeministri Edi Rama, premtoi në 2013-ën se do të hapte plot 300 mijë vende punë, Shqipëria, vazhdon të vuajë nga papunësia. Sipas INSTAT, vitin që lamë pas, plot 208 mijë persona nuk firmosën asnjëherë në bordero, ndërkohë që të rinjtë përbëjnë edhe grupin më të madh të të papunëve me plot 30%.

Gratë përdoren 2 herë më shumë se sa burrat si punëtore të papaguara të familjes, ndërkohë që ndërmarrjet e huaja në Shqipëri, i paguajnë meshkujt 33.6 % më shumë se gratë.

Edhe nëse mendoni se diploma e shkollës së lartë ka më shumë avantazhe në tregun e punës, në fakt të dhënat e INSTAT tregojnë se punëdhënësit shqiptarë nuk i japin shumë rëndësi nivelit arsimor.

Tregu i Punës

“Punë ka, por nuk ka profesionistë”, është ky sllogani i preferuar i kryeministrit Rama, që kur mori mandatin për të qeverisur Shqipërinë në 2013-ën. Por a ka vërtetë punë për shqiptarët?

Sipas Instat, 208 mijë persona janë të papunë, ndër të cilët 59% burra. Zyrtarisht shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-64 vjeç është 15,2%, ndërkohë që mes të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç papunësia është 30%. Personat e papunë prej një viti a më shumë përbëjnë 66,2% të të papunëve gjithsej.

Në mesin e të punësuarve, sektori bujqësor dhe sektori i shërbimeve kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 40,2 % dhe 40,4 % të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2016, 50,7 % e të punësuarve janë punonjës të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit dhe 17,8 % janë  nëpunës dhe punonjës të shitjeve dhe shërbimeve.

Si pasojë ka një ndryshim domethënës edhe se sa para marrin ata që deklarojnë se janë zyrtarisht të punësuar. Kështu, nga analizat e tregut të punës që ka bërë INSTAT për 2016-ën, rezulton se 41,2 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 34,9 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 23,9 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Gratë kanë gjasë që në shumicën e rasteve të jenë punëtore pa pagesë të famijles. Kështu vlerësimet e INSTAT, kanë treguar se 31,2 % e grave të punësuara dhe 18,2 % e burrave të punësuar janë punëtorë pa pagesë të familjes. Në vitin 2016 përqindja e punësimit informal në sektorin jo-bujqësor është 31,9 %.  

Arsimimi

Arsimimi duket se nuk ka aq shumë rëndësi për punëdhënësit në vendin tonë. Sipas analizave të Instat, ka një diferencë të vogël mes atyre që kanë një diplomë të shkollës së lartë apo vetëm dëftesën e shkollës së mesme. Më konkretisht për vitin 2016, 17.5 % e atyre që kanë mbaruar shkollën e mesme ishin të papunë, kundrejt 16,9 % të atyre me shkollë të lartë.

Të rinjtë

Të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç përbëjnë fashën me numrin më të lartë të papunësisë. Grafikët e INSTAT sugjerojnë të dhëna interesante sa i përket hendekut gjinor të kësaj grupmoshe. Kështu nëse vetëm 28.4 % e grave të kësaj grupmoshe deklarojnë se janë të papunë dhe as po ndjekin ndonjë kurs profesional, tek meshkujt kjo e dhënë është thuajse dyfish më e lartë, me 50.6 %.

Përkundër kësaj të dhënë shohim se një numër i konsiderueshëm grash të kësaj grupmoshe, 36.3 % kanë marrë tashmë përgjegjësitë familjare, tek meshkujt kjo ka ndodhur në vetëm 2.9 % të rasteve.

10.1 % e grave janë të zhgënjyera nga tregu i punës, kundrejt 16.2 % të burrave të kësaj grupmoshe. Angazhimet familjare të grave në fakt duket se i kanë nxjerrë ato “jashtë loje” në tregun e punës.

Duke krahasuar të rinjtë që janë as të punësuar as në shkollë apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, Instat konstaton se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (50,6 % e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 28,4 %).

Qarqet

Qarku i Vlorës dhe Tiranës kanë numrin më të lartë të papunësisë, përkatësisht me 25,1 %  dhe 19.8 %, ndërkohë që shkalla më e ulët vërehet në qarkun e Dibrës me 8,6 %.

Një analizë mbi baza rajonale, tregon që në vitin 2016, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë: Elbasan (64,5 %), Fier (61,5 %) dhe Berat (61,5 %). Ndërsa qarqet me shkallë punësimi më të ulët janë Tirana (50,3 %) dhe Kukësi (50,3 %).  

Pagat

Në vitin 2016, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është 45.845 lekë dhe hendeku gjinor në paga është 6,3 %, por kjo ndryshon në varësi të pronësisë së ndërmarrjeve.

Në sektorin shtetëror hendeku gjinor në paga është më i ulët, me 8.7 % ndërkohë që në ndërmarrjet e huaja private që operojnë në vendin tonë burrat paguhen plot 33% më shumë se sa gratë. Me sa duket deklarata e kryeministrit Rama investitorëve të huaj “Ejani investoni në Shqipëri, se ne nuk kemi sindikata”, i kanë dhënë efektete e veta.

Në vitin 2016, pesë grup-profesionet me pagën mesatare mujore bruto më të lartë janë: Drejtues administrativë dhe komercialë; Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara; specialistë të administrimit dhe biznesit; ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë.

Paga mesatare mujore bruto është më e ulët për grup-profesionet në të cilat niveli i aftësive të kërkuara është i ulët, të tilla si: Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare; Punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë; Ndihmës në përgatitjen e ushqimit; Punonjës të përpunimit të ushqimit, drurit, tekstileve dhe tjera të ngjashme; Punonjës të prodhimit të sendeve të imta; Punonjës të punëve me dorë (artizanët) të shtypshkrimit dhe të tjera të ngjashme.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *