Olsiva, mjekja që zgjedh të qendrojë pranë pacientëve shqiptarë e jo atyre gjermanë

Olsiva Peci gjatë një operacioni. QSUT. Spitali Amerikan. Citizens Channel

Që kur ishte vajzë e vogël dhe shkonte në shkollën modeste të Fullqetit, një fshat i vogël në Burrel, ishte e bindur se do të bëhej mjeke edhe nëse do t’i duhej të ecte mespërmes një pylli me gjemba. Sot, 12 vite pasi “braktisi” gjimnazin e Klosit, për të vijuar studimet në Tiranë, Olsiva Peçin e takon çdo ditë në ambientet e spitalit Onkologjik në QSUT. Ëndërra e saj më në fund është bërë realitet. Që prej disa muajsh ka nisur specializimin si mjeke onkologe.  

Larg modelit tipik të mjekut nursëz e hijerëndë, doktoreshë Oli, ashtu siç e thërrasin të gjithë tek Onkologjiku, nuk mërzitet asnjëherë nga pacientët që e pyesin 100 herë për të njëjtën gjë apo “i zënë” rrugën sa herë del në korridor. Ajo përpiqet që t’ua shpjegojë sërish e sërish nga fillimi. “Nuk kanë faj, – na thotë Oli, – kanë hall të madh dhe kanë nevojë për konfirmime në çdo lloj forme”, – na shpjegon ajo, pa e larguar për asnjë moment buzëqeshjen nga fytyra imcake.

Megjithatë të jesh mjek i ri në këtë Shqipërinë tonë të vogël, e cila në fakt po braktiset çdo ditë nga bluzat e bardha, duket se është një sfidë e madhe. “Askush nuk ta mëson këtë profesion, – na tregon Oli. – As librat që studiojmë në fakultet. që janë shumë larg asaj që ndodh në praktikë, as mjekët kur ne bëjmë praktikën kur jemi studentë, as shefat e shërbimeve, madje as këtu ku po bëj specializimin. Duhet ta “vjedhësh”, në të kundërt je i humbur. Çdo gjë mësohet në mënyrë autodidakte, sepse këtu jo vetëm që nuk të mëson askush, po askush nuk të tregon as rrugën nga duhet të shkelësh. Çdo gjë duhet ta mësosh vetë dhe kjo është vështirësia më e madhe për ne mjekët e rinj”, – na shpjegon Oli. 

Olsiva Peci në oborrin e Onkologjikut. Citizens Channel

Olsiva Peçi duke folur për Citizens Channel

“Në 2011-ën, mbarova shkollën e lartë dhe për fat të keq atë vit doli një udhëzim që ne duhet të bënim 9-muaj praktikë (ndërkohë që më pas u ul në 3 muaj), pa asnjë pagesë, që të mund të futeshim në provime shteti dhe të fitonim të drejtën për të filluar punë si mjek. Pasi përfundova praktikën nisi saga e kërkimit të një vendi pune. Ku nuk kam kërkuar për punë, por ishte e pamundur. Në klinika private i donin me eksperiencë, po shikoja mundësinë të kthehesha si mjeke në Burrel, por as atje nuk ishte e lehtë, kërkova edhe në depo farmaceutike. Më në fund pas një viti përpjekjesh fillova pune si mjeke koordinatore e imazherisë në spitalin Hygeia. Nuk ishte ajo që unë prisja pas gjithë atyre viteve shkollim dhe netë të gjata mbi libra, por më në fund vesha bluzën e bardhë. Thuajse një vit më pas kalova tek spitali Amerikan si mjeke e përgjithshme dhe pas një viti pune një ndër mjekët më të njohur kirurg turk, Dr.Burak Koza që punonte në këtë spital më përzgjodhi si asistenten e tij. Kam punuar më shumë se një vit me të dhe aty kam mësuar profesionin e vërtetë të mjekut. Sigurisht që çdo eksperiencë më ka mësuar diçka me vlerë, por profesionin e vërtetë të mjekut e kam mësuar pikërisht duke asistuar Dr.Burakun. Me të kam mësuar se si qepet një plagë, ai më ka mësuar se sa kurajo duhet për t’u futur në sallë të operacionit, kam mësuar të mos neglizhoj asnjë shenjë që na jep trupi i pacientit dhe të vlerësoj çdo detaj. Gjëra elementare që nuk na i ka mësuar askush nga ata që e kanë për detyrë dhe që përgatisin mjekët e rinj dhe asnjë nga ata qindra librat që na kanë dhënë gjatë gjithë fakultetit”, – na shpjegon Oli.

Është rrëzuar dy herë në konkurset e specializimeve, por kjo nuk e ka demoralizuar. “Herën e parë, megjithëse në disa degë fituan kandidatë që kishin marrë sa gjysma e pikëve të mi, unë nuk u klasifikova fituese, pasi degët që kisha zgjedhur unë ishin shumë të kërkuara dhe gara ishte shumë e fortë. Herën e dytë e ‘kisha fajin vetë”. Duke qenë se sapo kisha filluar punë isha shumë e ngarkuar dhe nuk arrita të lexoja aq sa duhej. E treta e vërteta siç i thonë dhe tani ja ku jam: do të bëhem onkologe”, – shpjegon doktoresha e ardhshme. 

Megjithë pasionin dhe këmbënguljen, për Olin, vajzën “nga fshati” nuk ka qenë aspak e lehtë për të arritur deri këtu.

“Në 2004-ën motra ime që jetonte në Tiranë vendosi të më merrte me vete dhe ta përfundoja gjimnazin këtu. Menduam se kjo do të ishte gjëja më e mirë për mua. Megjithëse, vija me një deftesë me mesatare mjaft të lartë nga gjimnazi i Klosit, mësuesit në Tiranë ishin shumë skeptikë. Unë vija nga një shkollë që nuk e njihte askush… Mezi më pranuan në gjimnazin “Partizani”, por e përfundova maturën me rezultate më të larta se ato që kisha në Klos. Kjo ishte sfida e parë e fituar”, – na thotë ajo.

Mjekja specializante Olsiva Peçi. Citizens Channel

Mjekja specializante Olsiva Peçi. Foto: Private

Jo pa emocion tregon edhe momentin kur pa emrin në listën e fituesve të Mjekësisë. “Në fakt fillova ta kërkoja emrin tim nga fundi, ishin rreth 300 kandidatë që do të pranoheshin dhë ndërsa ngjitesha në listë fillova të zhgënjehesha që nuk e gjeja emrin në listën e fituesve. Ishte vërtetë surprizë kur e gjeta emrin diku tek numri 30-të…pas kësaj filluan netët e gjata pa gjumë, përpjekjet për të gjetur një tekst të duhur, për të plotësuar vetë njohuritë e dhëna në auditore. Por më në fund ia dola”, – na thotë Oli.

Specializimi për t’u bërë mjeke onkologe, do të zgjasë plot 4 vite dhe 4 vite ajo do të punojë dhe specializohet në QSUT pa pagesë, por kjo nuk e ka demoralizuar aspak Olsivën. “Sigurisht që është një sakrificë e madhe, por unë kam qenë me këmbë në tokë që kur e kam nisur këtë shkollë. E dija se çfarë më priste dhe kam qenë gjithnjë e përgatitur. Familja sigurisht që nuk më mbështet më financiarisht, por unë kam mundur të mbaj punën si mjeke roje me një rrogë bazë pranë spitalit Amerikan. Pra ditën jam këtu, dhe disa ditë në muaj, netëve punoj mjeke roje. Nuk ndiej aspak lodhje sepse unë e dua këtë punë, e dua këtë profesion”, – na thotë Oli.

E teksa të gjithë mendojnë se si të ikin jashtë Olsiva nuk e ka menduar kurrë këtë mundësi. “Gjithçka dua e kam këtu. Familjen, njerëz të mirë që më rrethojnë, punoj në profesionin që kam ëndërruar. Sigurisht e di, që po të isha në Gjermani ta zemë, do të kisha shumë më shumë të ardhura apo mundësi në profesion, por unë mendoj se do të lodhem pak më shumë por do t’ia dal edhe këtu. Dhe së bashku me njerëzit që dua!”, përfundon ajo.

 Autor: Citizens Channel

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: