Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Udhëtim në luginën e magjishme dhe plot histori të Drinit

Udhëtimi me anije mbi Liqenin e Komanit është një nga ato eksperienca që nuk duhen humbur. Pamjet e mrekullueshme, që të shafqen para syve sapo merr anijen në digën e liqenit, nuk mund t’i shohësh në asnjë vend tjetër.

Shpatet e maleve që ngrihen herë thepsiur e herë pak më butë mbi basenin e lumit Drin janë ende një mister i pazbuluar. Mes gjelbërimit të pemëve dhe grisë së shkëmbinjve fshihen shumë legjenda e mbi të gjitha një pjesë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë.

Që në shkollën fillore kur nisim të mësojmë lëndën e historisë, lexojmë për Kulturën e Komanit ose nyjën lidhëse midis ilirëve dhe shqiptarëve të sotëm. Nga gërmimet që janë bërë në këtë zonë që prej vitit 1898 e deri më sot, Varreza e Dalmacës dhe disa kisha kanë nxjerrë në dritë pjesë të trupit të një qyteti mesjetar.

Por të gjitha këto prova historike mbeten të pazbuluara për shqiptarët. Ata që mund t’i shohin nga afër janë vetëm studiuesit, banorët e zonës dhe studentët e arkeologjisë, që në Koman mësojnë arkeologjinë mesjetare. Agjencitë turistike shqiptare sipas bizneseve lokale i bazojnë më së shumti turet e tyre tek udhetimi panoramik me varka dhe kulinaria.

Prandaj në Ditët e Drinit, në datat 6-7 maj, INTBAU Albania organizoi aktivitetin e quajtur Zbulimi i zonave të pashkelura midis Komanit dhe Liqenit të Fierzës në Basenin e Drinit”. Pjesë e aktvitetit ishin arkeologë, studentë të arkitekturës, gazetarë, përfaqësues të atuoriteteve lokale, ekspertë të trashëgimisë kulturore, etj.

Grupi i udhëtimit eksplorues organizuar nga INTBAU Albania. Foto: Amarildo Topi

Udhëtimi me varkë në liqen, vizita në një nga shtëpitë e zonës dhe vizita në vendbanimin e Komanit ishin aktivitetet kryesorë të planifikuar nga skuadra e INTBAU Albania. “Filozofia e INTBAU është të përmirësojmë, zhvillojmë dhe mbrojmë vlerat lokale, prandaj edhe ndërmorëm një aktivitet të tillë”, thotë për Citizens Channel përfaqësuesja e organizatës, Enkela Krosi.

Ashtu si edhe për shumë shqiptarë të tjerë për pjesën më të madhe të grupit ishte hera e parë i ngjitej shpateve të maleve në kërkim të gjurmëve historike. Arkeologu Ulsi Tota bëri një prezantim të detajuar me informacion historik për vendbanimin e Komanit. “Ky është vendbanimi mesjetar më i rëndësishëm në Shqipëri dhe për momentin edhe në Ballkan. Gërmimet e para janë bërë nga arkeologu francez Alexander Degrand dhe objektet që ai ka gjetur sot gjenden në Muzeun e Saint German në Francë”, tregoi ndër të tjera ai.

Pas leksionit të shkurtër grupi u nis për tek Varreza e Dalmacës. Ngjitja nëpër shtigje të ngushta derisa arrin atje, të shfaq para syve pamje mahnitëse. Më e bukur është akoma kur arrin lartësinë 680 metra dhe ke pothuajse gjithë luginën e Drinit të pëllëmbë të dorës.

Grupi duke vizituar rrënojat e një kishe. Foto: Amarildo Topi

Arkitekti dhe eksperti i restaurimeve, Kreshnik Merxhani, thotë për Citizens Channel se Komani ka marrë një rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë. “Ne duhet të kemi një strategji kombëtare dhe vizion çfarë ndodh me trashëgiminë. Ky do të ishte një akt qytetar i jashtëzakonshëm për të trajtuar përmasat e një qytetërimi që nuk i ka njohur kufijtë që kemi ne sot.”

Ngjitja për tek Varrezat e Dalmacës nuk do të ishte bërë e mundur nëse më parë nuk do kishim konsumar drekën tek shtëpia e Markut në fshatin Berishë, 30 minuta lundrim nga diga e Liqenit të Komanit. Shija e perimeve të sezonit, bulmetit bio, troftës së egër, mishit të kecit dhe mjaltit si ëmbëlsirë në fund, nuk kishte të krahasuar.  

Natyra është treguar shumë bujare basenin e lumit Drin ku bën pjesë edhe Liqeni i Komanit. Ekspertja e mjedisit Aurora Piroviq na tregon se aty është shtëpia e 1900 lloje bimësh dhe 3500-4000 lloje të faunës. “Kjo vlerë e madhe e biodiversitetit e bën që të vizitohet nga shumë turistë.”

Pamja nga Varrezat e Dalmacës. Foto: Amarildo Topi

Mirjan Marku, i cili punon në transportin ujor prej vitit 2007 na thotë se numri i turistëve shtohet nga viti në vit, sidomos ata të huaj, por pavarësisht kësaj autoritetet shtetërore nuk janë duke rregulluar rrugën nga Vau i Dejës deri në Koman. “Rruga është shumë e keqe dhe prej vitesh nuk ka vënë dorë njeri. Turistët na kanë thënë se nuk do të kthehen më vetëm prej rrugës së keqe”, shprehet ai.

32 kilometrat nga Vau i Dejës deri në fshatin Koman janë me vërtetë në gjendje të keqe, por fatmirësisht me të mbërritur në Liqenin e Komanit ajo duket vetëm si një ëndërr e keqe.

Aktiviteti u zhvillua zbatohen nën përkujdesjen e Drin Coordinated Action, procesi i themeluar për zbatimin e Memorandumit të Kuptimit për Menaxhimin e Basenit të Drinit (Drin MoU; nënshkruar në Tiranë, 25 nëntor 2011), për të rritur bashkëpunimin ndërkufitar që synon mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të përbashkëta të ujërave të Basenit të Drinit.

Autor: Amarildo Topi

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *