Titujt e fundit

Aeroporti i dytë në Novoselë dhe media që fluturon….  

Nga Lutfi Dervishi

Lajmi më i bujshëm dje ishte hapja e aeroportit të “dytë” në Novoselë. I kumtuar nga ministri Gjiknuri lajmi megjithëse u pasqyrua nga media të rëndësishme nuk mori vëmendjen që meriton.

Megjithëse ka rrjedhur shumë ujë nga koha kur thuhej se një lajm mund të shkruhet duke i dhënë përgjigje pyetjeve: Çfarë­­? Kush? Kur? Ku? Si? Pse? ja vlen t’i marrësh pyetjet me radhë:

Çfarë? – Aeroport në Novoselë?

Kur?…. Një Zot e di, se po ta dinte ministri mund ta thoshte.

Si? … me PPP (Me partneritet publik privat)? Me paratë e buxhetit… me…..?

Ku? … në Novoselë

Pse…?

Në ditët e sotme përgjigja e pytjes PSE është edhe më delikate.

Po para kësaj pyetje ja vlen të shihet problemi “në gjerësi dhe në thellësi”, siç shprehet thjesht për çdo çështje të ndërlikuar një politikan i nderuar.

Këto pyetje nuk morën përgjigje në lajme për arsyen e thjeshtë se lajmi nuk është gatuar nga gazetarët. Televizionet dhe portalet on line kanë marrë tekstin dhe figurën e servirur dhe kanë prodhuar lajmin e famshëm. Dhe pas këtij “lajmi” ke më shumë pyetje dhe ngritje supesh e vetullash.

E para: Ministri në njoftimin për media thotë se do të ndërtohet aeroporti i dytë… Në dijeninë time, të atyre që kanë qenë në sallë, por ndoshta edhe të medias, Shqipëria e ka një aeroport të dytë: aeroporti i Kukësit. Madje në televizione janë dhënë një dyzinë kronikash për këtë aeroport që do të hapet shpejt, që do të punësojë 500 vetë e tjerë. Që do të kemi fluturime me çmim të ulët. Shkurt për hir të aritmetikës mund të thuhej aeroporti tretë. Këtu nuk është çështje për t’i dhënë medalje argjendi Vlorës, meqë vendin e parë, medaljen e arit e ka Tirana si kryeqytet.

Largësia nga Aeroporti Nënë Tereza te aeroporti Kukësit është 134 kilometra. Aeroporti është ndërtuar para rrugës, por nuk është vënë në punë asnjë ditë.

Largësia nga aeroporti Nënë Tereza te aeroporti “dytë” që u premtua dje është 124 kilometra. Nëse do të ishte mbaruar by pass i Fierit që duhet të ishte mbaruar 4 vjet më parë nga një aeroport tek tjetri mbërrin për një orë! Për një orë edhe nëse makinën e ke 100% me naftë Ballshi!

Të kam rixha …ç’ne ky ngut për aeroport kur nuk mbaron dot një copë rrugë (by pass i Fierit) për të cilat i ke edhe paratë?!

Ky premtim elektoral mund të përtypej nëse, të themi, opozita do të ishte në zgjedhje dhe PS do të luftonte fort për çdo votë.

Kur PS ishte në opozitë premtimet i kishte shumë konkrete: tvsh 6% për ushqimet, subvencion për naftën për fermerët, shëndetësi falas, 300 mijë vende pune etj. Nga këto premtime konkrete është plotësuar vetëm 300 mijë vende pune.Minsitri Financave e thotë se kemi krijuar 300 000 vende pune! Nuk ka arsye për të mos e besuar. Mund të ketë problem ndonjë zero në këtë shifër, por gjithsesi në rastin më të keq 5 shifra nga 6 janë në rregull. Në qeveri nga premtimet konkrete është kaluar te premtimet e tipit: “ Po bëjmë shtet”

Por të kthehemi te aeroportet! Aeroport u premtua në Sarandë, aeroport u kërkuar në Korçë. A na duhen apo thjesht i bëjmë se fjala aeroport ka fituar një farë magjie?!

Nëse aeroportet premtohen si mundësi që njerëzit të mos ikin vetëm nga aeroporti Nënë Tereza në Rinas, atëherë mund të shihet mundësia edhe për aeroport në Gjirokastër. Nuk ka pse shpenzojnë gjirokastritët për të ardhur deri në Tiranë.

Problemi nuk është thjesht te aeroportet. Problemi është se kandidatët dhe ministrat premtojnë vetë, dhe po vetë raportojnë lajmin.

Gazetarëve dhe televizoneve u mbetet të ngrohen në diell dhe të bëjnë balancën mes koalicionit qeveritar!

Po ta kenë mendjen dhe të kontrollojnë lajmet e gatshme, ndonjë redaktor para se të transmetonte premtimin e kandidates për “rritje të kostos së jetesës” do të kërkonte të kishte katër duar: një për të mbajtur gojën për të mos i rënë në tokë, një për t’i rënë ballit, dhe dy për të mbyllur sytë.

Ndoshta një ditë, gazetarët do kërkojnë faturën financiare për çdo premtim, ndoshta do të pyesin ekspertët nëse duhet të kemi aeroport apo fushë golfi, ndoshta para se të “raportojnë” premtimet e reja do të pyesin ç’është bërë me premtimet e “vjetra”. Ndoshta një ditë gazetarët do të raportojnë nisur nga interesi i votuesve…Ndoshta vjen një ditë dhe TV ulen me këmbë në tokë dhe shohin njerëzit dhe jo udhëheqësit, shohin problemet dhe jo institucionet, shohin 99% dhe jo 1%.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: