Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Intervista/ Themeluesja e faqes Lolita: Në Shqipëri ka vetëm liri gënjeshtrash dhe shpifjesh

Para disa ditësh ishte dita ndërkombëtare e lirisë së shprehjes. Në një realitet si ky i yni, kjo është thuajse e pamundur, e megjithatë disa media guxojnë që të thonë me zë të lartë ato që mendojnë.

Por a është media e vetmja formë për t’u shprehur? A është e domosdoshme që të kesh një media për t’u shprehur?

Disa zëra dhe forma të reja tregojnë se nuk është vetëm të shkruash në një media, mënyra me e lirshme për t’u shprehur dhe për tu mos censuruar nga këto të fundit.

Shumica e shqiptarëve janë përdorues të rrjeteve sociale e sidomos Facebook-ut. Facebook-u sot për sot paraqet dhe formën më të shpejtë të të informuarit jo vetëm për atë çfarë ndodh në Shqipëri por dhe jashtë saj.

Një faqe në këtë rrjet ka ngjallur polemika e shqetësime të shumta të cilat arrijnë deri në qeverinë shqiptarë. Lolita, e cila nuk është një media por është e lirshme aq sa një media duhet të ishte, ka arritur të bëjë për vete shumë shqiptarë të cilët duken shpesh se kanë një ndjenjë urrejtje-dashuri për të.

Shumë guxojnë të thonë dhe se ajo tashmë po bën atë që duhet të bënte e ashtuquajtura Opozitë. Grupi i cili përbëhet nga disa të rinj, të cilët askush nuk ka mundur t’i zbulojë, për një periudhë disavjeçare ka arritur që të kthehet në qendrën e vëmendjes për të rinjtë shqiptarë të cilët të ngopur nga “media” e përditshme, e marrin dhe si një burim informacioni më të saktë se ato që ju serviren çdo ditë. Por çfarë është në të vërtet Lolita dhe pse mendon se forma e vetme e lirisë është anonimiteti?

E kontaktuar nga Citizens Channel, krijuesja e faqes ju përgjigjet disa pyetjeve dhe kurioziteteve.

Përse ende “Lolita”?

Sepse vazhdojmë të jemi mjeshtëria e shpifur e Shqipërisë së Rilindur dhe jo vetëm. Nuk mund të kemi emër tjetër përderisa përballë nesh kemi Humbert që sa na duan aq na poshtërojnë.

A mendon se ka liri shprehje në Shqipëri?

Në Shqipëri ka vetëm liri gënjeshtrash dhe shpifjesh, kjo është e vetmja liri, pjesa tjetër është në dukje liri mediash por në thelb kafaz mediatik. Ja shihni gazetat tona të dashura të cilat janë të mbushura ose me shkrime të porositura, me investigime gjysmake dhe jo serioze apo edhe me gazetarë që marrin informacione nga politikanë pa u kujdesur në vërtetësinë e lajmit. Media është shndërruar në qokën e pronarit ndaj “yjeve” të rinj në politikën tonë apo në organin zgjatues të qeverisë dhe kryeministrit elegant dhe piktor.

Çfarë mendon se do të ndodhte me të rinjtë që të ndjekin, nëse “hetimet” për ju japin rezultat?

Mos kini frikë, ky emër nuk është pasojë e frikës më shumë se sa pasojë e guximit që gjithsecili prej nesh duhet të ketë. Të rinjtë nuk duhet të kenë frikë dhe duhet të kërkojnë të vërtetën edhe nëse dalin kundër një pushteti të korruptuar, përndryshe do të përfundojnë si Arditi. Nuk më interesojnë pasuesit dhe të bërit “like” në faqen time, do të dëshiroja më pak “like” dhe më shumë veprim nga të rinjtë dhe gjithsecili prej nesh.

Sa për hetuesit e mi, më vjen të qesh, luaj me to! Nuk i kam frikë sepse janë ato që kanë frikë nga unë, harrojnë që kjo formë diktature që duan të instalojnë u del shpesh jashtë kontrollit, vetë “burimet” e tyre dëshmojnë për prapësitë e hetuesve. Ato mund të kenë “armët” por ne kemi numrat.

A ka Lolita një plan për vazhdimësi?

Padyshim që ka! Nuk tutemi dhe do të vazhdojmë betejën tonë për të luftuar për një shoqëri pa rilindës si Spiropali, pa Çilizma, pa Ramizma e kështu me radhë.

Nëse Lolita do të ishte një forcë revolucioni konkret, cilën fushë do të prekte?

Revolucioni është një fjalë e madhe. Ne nuk mendojmë se jemi Lenini!

Çfarë mesazhi ke për të rinjtë shqiptarë dhe për ata që drejtojnë në këtë vend?

Lexoni për të shkuarën tonë, mësoni prej saj dhe mos lexoni me syzet e rilindjes postimet e politikanëve apo cilitdo tjetër në Facebook.

Intervistoi: Dritan Sakuta

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *