Sipërmarrësit kundër ligjit për bizneset sociale: Po na falimenton

Një vit më parë, kur hapi dyqanin e luleve “Flower by Down Syndrome Albania”, një sipërmarrje modeste me qëllim social, Emanuela Pepkola Zaimi ishte shumë entuziaste.

Asokohe po diskutohej projektligji për mbështetjen e ndërmarrjeve sociale në vendin tonë. E njohur më së shumti për betejën që bën për fëmijët me sindromën Down, Emanuela shpresonte që dyqani i luleve mund të kthehej në një mundësi të artë punësimi për 37 fëmijët me sindromën Down që marrin shërbime terapeutike pa pagesë pranë DSA (Down Syndrome Albania) dhe që nuk ua ofron shteti.

Por sot, një vit më pas Emanuelës nuk i ka mbetur shumë nga entuziazmi i fillimit dhe aktualisht dyqanin po “e mban me thonj”, duke investuar një pjesë të kursimeve të saj personale.

“Dyqani i luleve (ndodhet te Ura e Tabakëve) fillimisht u çel me fondin e projektit të kryeministrit ‘Edhe une kam një ëndërr 2015’, ku projekti im u shpall fitues. Projekti kishte të parashikuar një buxhet prej 32 mijë euro, por mora vetëm 7 mijë euro. Unë kam investuar në këtë dyqan të gjitha kursimet e mia familjare, pagën time e madje edhe overdraftin. Por gjërat nuk duken optimiste pasi nuk ka politika që të na mbështesin. Madje unë sot jam në pikën që po mendoj nëse do ta mbaj hapur apo do ta mbyll dhe nëse e mbyll si do të kompensoj paratë që shpenzova nga buxheti i familjes për ketë dyqan”, – na shpjegon pa rezerva Emanuela.

Ligji i shumëpritur për ndërmarrjet sociale, në vend që t’i favorizonte është kthyer në një pengesë serioze për të gjithë ata, që ashtu si Emanuela, duan të hapin një sipërmarrje sociale.

Flower by Down Syndrome Albania. Citizens Channel

Dyqani i luleve Flower by Down Syndrome Albania

“Ligji në të vërtetë është një absurd i madh. Dyqanin e luleve ‘Flowers by Down Syndrome Albania’ unë e kam regjistruar si person fizik, pasi sipas ligjit 65/2016 që është ligji për ndërmarrjet sociale, nuk mund të regjistrohet si biznes social. Kjo sepse ky ligj nuk ma lejon një gjë të tillë, duke qenë se ky lloj aktiviteti, pra biznesi i luleve, nuk është parashikuar si fushë veprimi e ligjit për biznesin social. Madje në bazë të ligjit, nëse unë deklaroj se jam biznes social mund të marr gjobë deri në 40 mijë lekë të reja, gjë që edhe ka ndodhur”, – na thotë ajo.

Emanuela sqaron se ky ligj nuk është aspak motivues për ata që duan të hapin një biznes social. “Unë nuk gjej asnjë arsye për të hapur një biznes social pasi nuk ka asnjë lloj mbështetje. Ta zëmë ligji mund të parashikonte që nëse marr pjesë në një tender publik, biznesi social të futej me disa pikë bonus, pasi p.sh dyqani im i luleve ka një qëllim tjetër primar, nga një dyqan tjetër lulesh që ka qëllime të pastra biznesi; të favorizoheshim në pagesën e energjisë elektrike. Duhet të ketë skema lehtësuese”, – na shpjegon Emanuela.

Sipas saj një tjetër problem është fakti se ligji parashikon që vetëm një OJF mund të hapë një biznes social. “Ligji duhet të parashikojë të gjitha format e ndërmarrjes sociale. Mund të jetë edhe forma e ndërmarrjes sociale nga një OJF, mund të jetë edhe vetë biznes social dhe sipërmarrës social, siç jam në këtë rast unë, si dhe duhet të ruajë parimin e konkurrencës, në kuptimin që edhe ligji nuk ka pse të jetë detyrues që duhet të kesh patjetër një OJF për të hapur një biznes social, pasi kjo prish balancat për dikë tjetër që e ka aspketin social, por nuk operon si OJF. Pra duhet të ligj që jep hapsira për të gjitha llojet e sipërmarrjeve”, –shpjegon Emanuela.

Drejtuesja e Down Syndorme Albania thotë për Citizens Channel se deri tani janë zhvilluar disa takime ku është kërkuar shfuqizimi i këtij ligji. “Ky ligj duhet shfuqizuar, pasi ka dështuar pa dalë ende aktet nënligjore. Duhet një tjetër ligj i ri, i mirëmenduar dhe që të marrë në konsideratë sugjerimet tona. Sigurisht që duhen gjetur mekanizmat që pastaj ky ligj të mos kthehet në një mekanizëm abuzimi, nga veprimtaritë që janë biznese të pastra dhe jo biznese sociale”, – shpjegon ajo.

Arkitektja Pezana Rexha, është ndër të parat që ka hapur një biznes social. “Pana” e themeluar në vitin 2013 merret kryesisht me riciklimin e materialit te drurit duke krijuar mobilje apo detaje të tjera për arredimin e ambienteve të ndryshme. Ashtu si edhe Emanuela me dyqanin e luleve, edhe Pezana, me ligjin e ri të ndërmarrjeve sociale ka plot andralla.

Lokal i arreduar nga Pezana. Foto: Design by Pana Citizens Channel

Lokal i arreduar nga Pezana. Foto: Design by Pana

“Duket më shumë si një ligj i OJF-ve, pasi sipas ligjit, vetëm ato mund të ofrojnë ndërmmarje sociale. Së pari ne kërkojmë që të mos kufizohet vetëm në të drejtën e OJF-ve në sipërmarrjet sociale. Së dyti ligji përcakton se që ditën e parë që hapet një biznes social duhet të deklarojnë tre veta të punësuar, por kjo është absurde për një biznes social që në shumicën e rasteve janë shumë modeste dhe tre persona të punësuar që ditën e parë janë shumë. Së treti ligji ka një nonsens pasi parashikon që në rast dështimi asetet i merr shteti ose ia jep një ndërmarrje tjetër që është po ashtu një absurd i madh. Pra e thënë me pak fjalë funksionon si një kooperativë shtetërore dhe jo sociale. Së katërti, nuk kemi autonomi pasi është ministria e Mirëqënies Sociale, nën varësinë e së cilës është edhe zbatimi i këtij ligji, që përcakton tipologjinë e biznesit që do të zhvillosh. Absurdi tjetër është se ligji parashikon që të monitorohesh, por jo të jesh etnitet. Së pesti ligji parashikon që mund të marr pjesë në prokurimet publike, por nga ana tjetër ligji i ndalon OJF-të të marrin pjesë në prokurime publike. Dhe së fundi unë një pjesë të punëve të mia i bëj edhe jashtë Shqipërisë dhe mund të siguroj grante nga jashtë. Por ky ligj, mirë që nuk parashikon skema lehtësuese, por nuk më lejon të fus grantet e huaja në Shqipëri pasi mi taton për fitim që në burim, ndërkohë që unë kam mision social dhe një pjesë e stafit tim bëjnë pjesë nga shtresat e margjnalizuara”, – thotë për Citizens Channel Pezana Rexha.

Sipas saj në këtë mënyrë ky ligj nuk mund të funksionojë, prandaj “ne kërkojmë që të ndërhyhet dhe të rregullohet, në të kundërt nuk do të ketë asnjë biznes social të regjistruar në Shqipëri, sikundër ka ndodhur deri më tani që asnjë biznes nuk është regjistruar si i tillë, pasi ka më shumë penalizime se sa përfitime”.

Ligji

Ligji për ndërmarrjet sociale ka hyrë në fuqi në fund të dhjetorit 2016, por ai nuk është bërë plotësisht efektiv për shkak të mugesës së akteve nënligjore. Nga 31 nene, me anë të të cilave ky ligj përpiqet të fusë brenda kornizave biznesin social, ata që ushtojnë këtë lloj veprimtarie në vendin tonë, kanë kundërshti të forta për 17 nene dhe kërkojnë që ata të përmirësohen, si kusht që ai të funksionojë.

“Unë besoj se ky ligj ka nevojë për një ekspertizë të mirëfilltë  nga vende që e aplikojnë këtë lloj ligji duke e adaptuar me terrenin ku do të operojnë. Ajo çfarë ligji sugjeron është që shërbimet te fondacioni Down Syndrome Albania t’i kthejmë me pagesë dhe ja u bëmë ndërmarrje sociale, por ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë”, – na thotë Emanuela, e cila sqaron se në fakt ndonëse në të gjitha takimet që kanë zhvilluar kanë ftuar edhe ekspertë të Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Mirëqenies sociale, asnjëri nga këto institucione nuk i është përgjigjur.

“Ne jemi të vendosur që propozimet tona t’ua çojmë mbi tavolinë dhe do të këmbëngulim që të reflektohen në ligj, në të kundërt me këtë ligj asnjë biznes nuk mund të mbijetojë si biznes social”, – përfundon ajo.

Autor: Citizens Channel

1 Trackback / Pingback

  1. Pse sipëmarrësit janë kundër ligjit për bizneset sociale? » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes

Leave a Reply

%d bloggers like this: