Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kaos në transportin publik në Durrës

 

Të tejmbushur përtej çdo limiti, me vonesa që shkojnë deri në 40 minuta në stacion, me higjenë përtej kushteve e standardeve, udhëtimi në urbanët e Durrësit është një makth i vërtetë. Me kapacitet vetëm 25 sedilje, bashkia e Durrësit u ka dhënë leje operatorëve që mund të fusin edhe 75-100 pasagjerë në këmbë.

Në qytetin e dytë më të madh në vend, me afërsisht 280 mijë banorë, me një kampus universitar dhe rreth 750 mijë turistë në vit dhe në prag të sezonit turistik, linjat e autobusëve në qytetin e Durrësit nuk plotësojnë as kushtet më minimale.

“Si studentët ashtu edhe punëmarrësit, ankohen se është e pamundur të mbërrijnë në kohë në destinacion. Kjo, jo për shkak të trafikut në rrugë, por si rrjedhojë e numrit të pamjaftueshëm të autobusëve si dhe mosrespektimit të orareve të përcaktuara”, – shpjegon Ersida Teliti, drejtore e qendrës “Konsumatori shqiptar”, por edhe pedagoge e të drejtës kontraktore pranë fakultetit të Drejtësisë në UT.  

Të pretendosh për vende të rezervuara për nënat e reja, gratë shtatzëna apo persona të tjerë me nevoja të veçanta, duket luks. Këto gjetje u publikuan nga Qendra “Konsumatori Shqiptar”, pas një monitorimi të kryer me mbështetjen e LëvizAlbania, gjatë muajve dhjetor 2016-shkurt 2017.

Higjena

Higjena është tej kushteve dhe standarteve. Që në orët e para të mëngjesit, mjetet e shërbimit publik, janë të ndotura, duke nisur nga sediljet e deri tek dyshemeja e mbushur me mbeturina. Kondicionerët nuk funksionojnë, ndërsa sipas qytetarëve faturinot sillen në mënyrë jo korrekte dhe etike në shumë raste.

Oraret

Ndonëse sipas orareve të përcaktuara, autobusët duhet të nisen çdo 8-12 minuta, në fakt qëndrimi i tyre në stacion arrin edhe 40 minuta. Brenda mjeteve, nuk ka asnjë tabelë informuese mbi stacionet e itinerarit që përshkon mjeti, apo informacion nga faturinot për vendndodhjen.

Linja “Durrës – Currila – Durrës”

Kjo linjë ofrohet nga sipas raportit rezulton të jetë më problematikja. Sipas kontratës duhet të ketë 3 urbanë, në të vërtetë vetëm 2 prej tyre janë funksionalë. Vonesat në mbërritjen nëpër stacionet fillojnë nga 4-40 minuta. Shkak nuk është trafiku, por vonesa e autobusëve në nisje, i cili dhe pse në stacion, niset me vonesë.

Sipas kontratës numri i vendeve të ulura është 20-25 vende dhe 75-100 në këmbë, por edhe ky limit tejkalohet. Si pasojë e nisjes së punimeve të Velierës, në janar 2017, kjo linjë ndryshoi jo vetëm stacionet, por edhe urbanët që janë më të vegjël, me kapacitet nën 19 vende. Vendosja e këtyre mjeteve më të vogla nuk është shoqëruar me rritjen e numrit të tyre.

Linja “Durrës – Universiteti A.Moisiu- Durrës”

Problematika, e cila kërkon zgjidhje emergjente, është fakti se paravërsisht se sipas kontratës duhet të kishte 4 autobusë, funksionojnë vetëm 2- 3 automjete me një frekuencë deri në 30 minuta, ndërkohë që pas orës 13:00 frekuenca e këtyre autobusëve është çdo 1 orë.  

Si pasojë, për shkak të tejmbushjes, në shumë raste shoferët nuk ndalojnë nëpër stacione. Një tjetër problem i kësaj linje, është mosfuksionimi i saj në ditët e festive zyrtare apo gjatë periudhës së pushimeve, ku Universiteti nuk ka mësim. Sipas kontratës urbanët duhet të kenë  21-25 vende të ulura dhe 75-100 në këmbë.

Linja “Durrës- Plepa- Durrës”

Linja Durrës – Plepa – Durrës, sipas kontratës që ka nëshkruar me bashkinë e Durrësit duhet të kishte 10 autobusë, por realisht ka vetëm 7. Po sipas kontratës parashikohet që urbanët të kenë 21-25 vende të ulura dhe 75-100 në këmbë, limit ky që kapërcëhet në oraret e pikut.

Nuk janë të dallueshme vendet për Personat me Nevoja të Veçanta, për të moshuarit dhe gratë shtatëzëna; ndërkohë që ka infrastrukturë të përshtatshme për Personat me Aftësi të Kufizuara. 

Ankesat

Ankesat më të shpeshta janë ata që kanë të bëjnë me higjenën, mbipopullimin dhe gjendjen e dehur apo të pirë të shoferit e faturinos. “Momentalisht po i mbledhim ankesat dhe në takimin që do të zhvillojmë me përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore dhe të operatorëve do t’i diskutojmë”, – na shpjegon Teliti..

Bashkia

Tre linjat e monitoruara, “Durrës – Plepa, “Durrës – Currila”, si dhe “Durrës – Universiteti A.Moisiu, mbulohen nga operatorë të licensuar nga bashkia, e cila ka kontrata standarde me operatorët e shërbimeve dhe ndryshojnë vetëm emrat e linjave, numri i urbanvë dhe frekuenca e orareve.

Bashkia u kontaktua dy herë nga qendra “Konsumatori Shqiptar” dhe të dy herët pohoi se nuk ka asnjë relacion, për përmbushjen e detyrimeve kontraktore nga dy operatorët. “Është hera e parë që monitorohet ky shërbim në qytetin e Durrësit. Bashkia deri më tani nuk i ka kontrolluar asnjëherë dhe as ka marrë asnjëherë asnjë masë”,- na shpjegon Ersida Teliti.

Pritshmëria

Në vazhdimësi, Progres – Raportet për Shqipërinë, nga Komisioni Evropian, kanë evidentuar se transporti publik mbetet një çështje që nuk ka njohur progres. Me reformën administrativo-territoriale, pritej që shërbimi i transportit publik të përmirësohej dhe të arrinte standartet e kërkuara, por në Durrës mbetet ende joefiçent, shumë i ngadaltë dhe me mungesë të theksuar të higjenës.

Autor: Citizens Channel

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *