Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mosha e tretë/ Si është jeta pas daljes në pension?

Për disa njerëz, duket se vitet që ikin nuk janë kurrë një kambanë alarmi. Përkundazi, ata e vijojnë jetën me të njëjtin intensitet si në rini, edhe kur janë në prag pensioni ose kanë kaluar në këtë etapë të jetës. 

Prof.Dr. Kristaq Bërxholi, pedagog i Mjekësisë Veterinare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, është 69 vjeç. Teorikisht duhet të dilte në pension një vit më parë, por për kontributet e tij të vyera në botën akademike ka të drejtën që të japë mësim deri në moshën 71 vjeç. 

Edhe pse me një karrierë 44-vjeçare mbi supe, ai as nuk e çon nëpër mend pensionin. “Me thënë të drejtën as nuk e mendoj fare. E kam jetën kaq aktive dhe kaq të zënë, saqë nuk mendoj se çfarë do të bëj kur të dal në pension. E di që në bazë të eksperiencës që kam, do duhet ende ekspertiza ime”, – thotë ai për Citizens Channel.

Por auditoret e universitetit nuk janë i vetmi impenjim i profesor Bërxholit. Edhe në fundjave, të shtunë dhe të diel, ai jep ekspertizën e tij teknike në një laborator privat në kryeqytet.

Karriera e gjatë dhe e suksesshme si ekspert dhe drejtues në Institutin e Kërkimeve Veterinare (sot Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare), diagnostikimi për herë të parë i një sërë sëmundjesh tek kafshët, siç janë tick born encefaliti, ethet hemoragjike të Krime Kongos etj, dhe botimi i më shumë se 50 studimesh shkencore nuk e kanë lodhur aspak.

Kristaq Bërxholi në laborator. Foto: Private

Sot, ai numëron mbi 10 botime librash dhe tekstesh mësimore, ka në duar paralelisht 3-4 studime shkencore dhe me qindra referate të mbajtura në konferenca kombëtare dhe botërore. 

Por shpeshherë, kur bota akademike i lë pakëz hapësira dhe kohë të lirë, ai i përkushtohet një tjetër pasioni: “Hapu dhè të futem” është rubrika në Facebook me anë të së cilës, shpreh revoltën dhe fenomenet që i nuk i honeps dot. “Temat që ngjallin reagime janë nga më të ndryshmet: që nga fusha ime, siguria ushqimore, politika e gjithçka tjetër që nuk funksionon siç duhet”, -tregon profesori. 

“E kam hapur këtë rubrikë për herë të parë afro 10 vite më parë, kur doli dhe Facebook në treg. U çudita kur mësova për emërimin e një drejtori në një institucion të rëndësishëm, i cili s’kishte as shkollimin e duhur për atë post. Dhe shprehja e parë që më erdhi në mend ishte pikërisht kjo “Hapu dhè të futem!”. Që nga ai moment shkruaj thuajse çdo ditë”, tregon Kristaq Bërxholi.

Reagimet e kësaj rubrike kanë forma nga më të ndryshme. AKU-ja shpeshherë mëson nga kritikat e tij dhe përmirësohet, të tjerë ankohen për masën e kritikës. “Bëra dikur një reagim. Më duhet ta pranoj që ishte goxha kritik. Në telefon mora rreth 100 mesazhe përgëzuese, ndërsa në Facebook thuajse aspak like ose komente. Sepse në ditët e sotme, like-t ose komentet në një status të tillë, të kushtojnë edhe vendin e punës”, -thotë me qesëndi ai. 

Për ta bërë sa më interesante rubrikën, ai ka sajuar edhe dy personazhe joreale, në gojën e të cilëve vë fjalët e tij. Zoti Fotaq dhe Sandër Mafishja janë ata që i japin zë marazit të dukurive sociale të këtij vendi. Nëpërmjet sarkazmës, argumentave dhe fotografive goditëse, “Hapu dhè të futem” denoncon çdo marrëzi të këtij vendi. 

Zhaneta, mësuesja që nuk mund të ndalet së përcjelli dije

Në shkollën “Jakov Xoxa” në Fier, Zhaneta Çuni kaloi vitet më të bukura profesionale të jetës së saj. Për më shumë se katër dekada, arsimoi dhjetëra breza fëmijësh. 

Prej një viti e gjysmë, ajo nuk është më pjesë e stafit të parashkollorit. E ka mbushur daljen e moshës në pension, edhe pse mendon se do të ishte ende e dobishme në arsim.

“Kur isha në prag të daljes në pension, disa shkolla private ishin interesuar për të më marrë në punë, për të ofruar aty një pjesë të eksperiencës time. Por kur dola mora shumë informacion, dhe mësova që puna në privat ka shumë ngarkesë. Orare të zgjatura dhe orë mësimi të ngjeshura, lodhje dhe ngarkesë. Por unë nuk doja këtë gjë. Vendosa të bëj kurse individuale me nxënës që i mësoj në shtëpi. Më mirë më pak para, dhe jam më e qetë”, -tregon zonja Çuni për Citizens Channel. 

Zhaneta Çuni me familjen. Foto: Private

Edhe pse tashmë jeta i ka ndryshuar thuajse katërcipërisht, për mësuesen me 40 vite eksperiencë, kjo fazë mund të kapërcehet, nëse gjen mënyrat e duhura. 

“Nuk kalova ndonjë traumë. Edhe pse shkëputësh nga stafi, kolegët, nxënësit. Kam shumë fat që bashkëshortin e kam edhe shok. Nuk më lë të bie në monotoni. Kur mërzitemi, i hipim makinës dhe udhëtojmë. Ngremë volumin e këngëve italiane që dëgjojmë, në kupë të qiellit, dhe këndojmë me zë të lartë si adoleshentë”, – rrëfen sinqerisht ish-mësuesja.

Tashmë kohën e lirë, përveç asaj që i kushton bashkëshortit, pasi fëmijët, nipërit dhe mbesat i ka në Tiranë dhe Gjirokastër, e ndan mes leximit dhe detyrave si zonjë shtëpie. 
“Jam shumë e përkushtuar. Dua që familjarët e mi t’i ushqej mirë dhe në mënyrë të shëndetshme. Një pjesë të ditës e kaloj duke pastruar e larë shtëpinë, dhe në kërkim të produkteve të shëndetshme të uhqyerjes, sepse në fakt Fieri të jep shumë mundësi për të gjetur ushqime të shëndetshme”, tregon ajo.

Librat janë një pasion i madh i zonjës Çuni. Familja ka bibliotekën dhe vulën e saj personale, të vënë në çdo titull libri. E në fakt, aty gjen tituj të shumtë librash. “Më pëlqen shumë letërsia ruse. Sidomos Sholokhov dhe Tolstoi. Ndërsa nga letërsia shqiptare më pëlqen shumë Brunilda Zllami. Kam thuajse çdo libër të sajin: Çmimi i përjetësisë, Lindur femër, Lakmia etj. Në çdo ditëlindje, im shoq më blen nga një roman të saj. E pëlqej sepse trajton tema sociale.” 

Zhaneta Çuni është përpjekur që kapërcimin e kësaj etape në jetën e saj, ta kalojë pa shumë dhimbje. Ajo mban kontaktet me koleget, ftohet në “Jakov Xoxa” sa herë që ka aktivitete, dhe ajo shkon gjithmonë me shumë dëshirë. 

Pavarësisht ndryshimit të freskët profesional në jetën e saj, ajo ka një mesazh për gratë e tjera që kanë dalë rishtazi ose do të dalin së shpejti në pension. “Çdo njeri e gjen motivin për të mos kaluar në regres.” 

Dalja në pension mund të jetë edhe problem

Rasti i profesorit të veterinarisë Bërxholit dhe arsimtares së dedikuar Çuni, janë vetëm dy prej mijëra rasteve të pensionistëve në Shqipëri. 

Kjo fazë, jo gjithmonë pritet mirë nga ata që e përjetojnë. Sipas psikologes Lorela Garuli, shumë njerëz mezi presin të dalin në pension, pas shumë vitesh pune e lodhjeje të vazhdueshme. “Është finalizimi i një rrugëtimi të gjatë, ndalesa përfundimtare, e cila përfaqëson një pushim dhe çlodhje. Mund të perceptohet si liri, mungesë përgjegjësish, oraresh dhe detyrimesh”. 

Por ka edhe një tjetër anë të medaljes. “Jo të gjithë arrijnë t’i gëzohen kaq shumë kohës së lirë dhe relaksit që ofron dalja në pension. Për shumë njerëz puna është në qendër të jetës së tyre. Është veprimtaria kryesore me anë të së cilës ata ndjehen të vlerësuar, identifikohen me punën dhe i janë përkushtuar një jetë. Puna dhe profesioni në shumicën e rasteve përcakton dhe statusin social të çdokujt, kështuqë me daljen në pension e gjithë rutina e përditshme bashkë me marrëdhëniet sociale, pësojnë ndryshime cilësore. Nën këtë optikë, dalja në pension për njerëzit që janë shumë të dhënë pas punës, perceptohet dhe përjetohet si humbje dhe shoqërohet me ulje vetëvlerësimi, ndjenja se tani janë të padobishëm, trishtim dhe ulje të cilësisë së jetës. Të gjitha këto, e bëjnë daljen në pension shumë të vështirë dhe e kthejnë në sfidë pranimin e këtij pozicioni të ri”, – shpjegon për Citizens Channel psikologe Garuli. 

Psikologia Lorela Garuli. Foto: Private

Por, cilat janë mënyrat që mund të ndihmojnë që dalja në pension të jetë sa më pak tranzitore dhe të përqafohet lehtësisht?

“Dalja në pension, mund të konsiderohet si një periudhë e cila i jep mundësinë individit t’i dedikohet gjërave që më shumë dëshiron dhe pasioneve të tij. Nuk është kurrë vonë për të ndjekur pasionet, të cilat individi si rrjedhojë e punës dhe e kohës plot angazhime, nuk ka mundur dot asnjëherë t’i shijojë plotësisht. Koha pas daljes në pension pra, është një periudhë e përkushtimit ndaj vetes në njëfarë mënyre; duke dalë më shpesh shëtitje, duke kaluar më shumë kohë me njerëzit e afërt, nipat, mbesat dhe miqtë, duke lexuar apo u marrë me kopshtari nëse kjo i pëlqen. Shumë njerëz e kanë të lidhur ngushtësisht vetëvlerësimin dhe vetëefikasitetin e tyre me punën dhe të qënit i dobishëm, prandaj ndjekja e veprimtarive vullnetare apo pasioneve, është një mënyrë shumë e mirë për t’u ndjerë të dobishëm, qoftë duke ndihmuar e kontribuuar apo edhe duke kryer aktivitete që japin dhe produktivitet. Në të njëjtën kohë, dalja në pension është dhe një lloj riekuilibrimi i marrëdhënieve personale të afërta, sepse individi tani ka më shumë kohë të qëndrojë me familjen”, – përfundon Garuli. 

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *