Titujt e fundit

A na e njeh ky vend të drejtën për të jetuar?

 Nga Arlinda Gjypi*

E drejta për jetën? Po, secili prej nesh, sipas Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (e ratifikuar), neni 2, ka të drejtën për të jetuar. E drejta për shëndetin është gjithashtu e drejtë për jetën.

Secili prej nesh është përballur një herë në jetë me një sëmundje ose ka pasur një të afërm të sëmurë dhe i cili është detyruar të shtrohet në spital. Ajo çka ndodh në shumë raste, është fakti që pacientët janë të detyruar të blejnë vetë pajisjet apo ilaçet. Por edhe nëse i blejnë, frika më e madhe nuk është dhënia e parave. Frika më e madhe është cilësia e ilaçeve që blejnë.

Në vendet e Evropës sot flitet për inovacionin në shëndetësi dhe arritjen sa më shpejt tek pacienti të këtyre inovacioneve. Ndërkohë në vendin tonë sot diskutojmë se sa miq kemi jashtë shtetit për të na blerë ilaçet që na duhen për të shëruar të afërmit tanë, sepse ilaçet që futen në Shqipëri dhe të cilat i përdorim, nuk kanë garanci se do të jenë të efektshme.

Dëshmitë e njerëzve që tregojnë ndryshimin kur kanë përdorur mjekime të marra nga jashtë, janë të shumta, për të mos thënë që secili nga ne e ka një dëshmitar brenda familjes.

Jeta është një e drejtë e gjithkujt. Shëndeti është pjesë thelbësore e kësaj të drejte për jetën. Ndaj, teksa flasim për të, është mirë që secili nga ne të mos flasë me militantizëm.

Sot dihet që shteti ynë blen vetëm ilaçet më të lira, pa marrë parasysh cilësinë (alternativa më e lirë e rimbursueshme).

Sot, mjekët nuk të sugjerojnë t’i përdorësh këto ilaçe të lira, duke të të dhënë alternativa të tjera, në mënyrë që të “mos u mbetesh në dorë” dhe të thuash se mjeku nuk më dha ilaçet e duhura.

Të gjithë mjekët sot shprehen: “E ke këtë ilaç në Shqipëri, por nëse e blen në vendet evropiane, cilësia është ndryshe.”

Të gjitha sa më lart flasin për atë që sot në vendin tonë nuk ekziston: respekti i të drejtës për jetën. Vërtet, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut është ratifikuar vite më parë. Dhe zbatimi i saj është i detyrueshëm me ligj. E megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodh.

Ende sot pak prej nesh (intelektualë ose jo, njerëz me 1, 2 apo 7 shkolla të larta) e kanë idenë që ekziston një kartë e të drejtave të pacientëve, e cila na jep shumë të drejta, të drejta që shkelen çdo ditë.

Në fakt, pak prej nesh ngritën zërin teksa u përfol vdekja e një 16-vjeçareje nga hipertermia malinje dhe na rikujtuan se në sallat tona operatore (të paktën ato shtetërore) ende mungon ilaçi i nevojshëm për ta luftuar këtë problem dhe, të cilin, pavarësisht kërkesës, Ministria e Shëndetësisë ende nuk e ka futur. Dhe në 4 vjet për këtë shkak deklarohet se kanë ndodhur 6 vdekje.

Atëherë, cila është e drejta për jetën? Çfarë mund të thotë shteti ynë për këto vdekje? Çfarë mund të thotë për respektimin e të drejtës për shëndet dhe sukseseve në shëndetësi?

Zgjedhjet janë në prag. Premtimet janë të shumta. Ndoshta ka ardhur koha që gjithsecili prej nesh të mos flasë thjesht me bindje militante. Të mos justifikojë thjesht për përfitime personale. Të mos bërtasë pa vrarë pak mendjen.

Le të shohë gjithsecili prej nesh pak më larg. Le të shohim pak programet për shëndetin. Cili prej tyre na e jep të drejtën për të jetuar?! E nëse askush nuk e bën, le të vendosim të ndërmarrim hapa të tjerë. Në fund të fundit, asgjë nuk është më e shtrenjtë se jeta.

*Kryeredaktore e gazetës Shëndet+

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: