Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Letërsia për fëmijë/ Në treg botime me përmbajtje shqetësuese inçestuale

Skandalet me librat e fëmijëve nuk kanë të sosur. “Lëkura nga një mijë kafshë” është një përrallë me përmbajtje të pastër inçestuale.

Një mbretërëshe, në prag të vdekjes e detyron mbretin t’i premtojë se ai do të martohet vetëm me dikë që është po aq e bukur sa ajo. Mbreti e zgjidh duke dashur të martohet me vajzën e tij, pas së cilës dashurohet marrëzisht. Vajza kur mëson vendimin e të atit, arratiset dhë përfundon shërbëtore në mbretërinë fqinje…

“Lëkura nga një mijë kafshë” është një përrallë nga vëllëzërit Grim, të cilin shtëpia botuese “Pegi” e ka përfshirë në vellimin I të përmbledhjes “Princër dhe Princesha”.

Citizens Channel hulumtoi rreth kësaj përralle të shkruar në 1812-ën dhe varianti në shqip është shumë afër origjinalit*, me disa ndryshime. Më i rëndësishmi prej tyre është reagimi i këshilltarëve kur mbreti u bën me dije se do të martohet me vajzën e tij.

Në variantin origjinal këshilltarët shokohen kur dëgjojnë propozimin e mbretit. “Është e ndaluar që një baba të martohet me vajzën. Asgjë tjetër përveçse së keqes nuk do të burojë nga një mëkat i tillë dhe mbretëria do të shkatërrohet”, – e paralajmërojnë ata mbretin në variantin origjinal. Ndërsa në variantin shqip ky paralajmërim, që në fakt është edhe morali i të gjithë përrallës, është thuajse i padukshëm…

Por çfarë po ndodh me librat dhe përkthimet për fëmijë?  

Saverina Pasho, e cila merret me përkthimin e letërsisë për fëmijë gjen disa fajtorë që kjo përrallë gjendet në libraritë tona. “Duhet të ketë patjetër një përzgjedhje selektive, jo vetëm për fëmijët, por për çdo kategori lexuesish. Unë nuk jam me teorinë që meqë tregu është i lirë secili mund të gjejë atë që do. Jo! Sepse aftësia përzgjedhëse e prindit apo lexuesit të pakualifikuar nuk është ajo e duhura dhe pastaj gjendet në mes të një fluksi gjërash të pavlera. Të jenë të pavlera është një gjë, por të jenë të dëmshme siç është edhe ky rast është më e rëndë. Ndaj unë mendoj që shtëpia botuese duhet të ketë autoritetin e përzgjedhjes, duhet të ketë një komitet leximi, i cili paraprin edhe politikat editoriale. Por as përkthyesi nuk është fare pa përgjegjësi në këtë pikë, pasi edhe ai ka një etikë. Etika e tij profesionale e bën që të përkthejë shumë mirë dhe shumë besnikërisht tekstin origjinal, por ka edhe një etikë morale, e cila, nëse i ka shpëtuar shtëpisë botuese, t’i thotë që unë refuzoj ta përkthej këtë nëse kjo është e destinuar për një moshë minorene. Megjithatë nuk është përgjegjësi e përkthyesit. Përkthyesi është thjesht personi që i jepet porosia”, – na shpjegon ajo.

Përkthyesja Pasho, teksa rendit një mori problemesh më të cilat haset sot përkthimi, sugjeron se ky problem zgjidhet vetëm me bashkëpunim të të gjithë institucioneve. “Duhet që Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, shtëpitë botuese, autorët e teksteve, përkthyesit, por edhe vetë bordet e prindërve të bashkëpunojnë që të krijohet një produkt sa më i mirë”, – përfundon ajo.

Për Lili Sulaj shefe e departamentit të Letërsisë pranë Universitetit të Tiranës përralla të tilla nuk duhen përfshirë në botimet për fëmijë, pasi mund të deformojnë psikologjinë e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që përmes një përralle të përcjellësh edhe një moral dhe ky moral duhet të jetë brenda një realiteti social, kulturor apo shoqëror të vendit. Nëse ne, që në moshën 5 apo 6 vjeçare i mësojmë një raport incestual midis prindit dhe fëmijës, çfarë do të ndërtojmë? Si do ta projektojë të ardhmen e tij fëmija? Mendoj se shtëpitë botuese duhet të bëjnë me shumë kujdes përzgjedhjen e pjesëve letrare dhe madje me një strategji të formimit të personalitetit të fëmijës. Pra jo thjesht një përrallë e bukur, por edhe një përrallë që i qëndron shumë mirë fëmijëve dhe i përgatit ata për të ardhmen”, – shpjegon për Citizens Channel Lili Sulaj.

Sipas saj problemi është disa rrafshësh. “Sigurisht që tregu është i lirë, por një shtëpi botuese serioze nuk mund të botojë përralla me elementë incestualë, me lojra që frymëzojnë dhe inspirojnë negativen (ta zëmë si t’ia hedhësh shokut, si të jesh i djallëzuar) elementë këto që edhe nëse t’i mëson jeta duhet t’i përdorësh për tu mbrojtur. Një shtëpi botuese nuk mund ta lërë fatin e saj në rrjedhje të lirë…Jo! Një shtëpi botuese serioze ndërton strategjitë e veta, pasi në fund janë prindërit ata që gjenden në një pozicion të vështirë dhe nuk di si t’ia shpjegojë fëmijës një raport të tillë siç e jep përralla në fjalë”, – përfundon shefja e departamentit të Letrësisë në UT.

Përshkrimi i librit në faqen e shtëpisë botuese. Citizens Channel
Përshkrimi i librit në faqen e shtëpisë botuese Pegi.

Denata Toçe, psikologe këshillimi, e konsideron absurde që fëmijët të njihen me problematika të tilla nëpërmjet përrallës. “Unë jam dakord që prindërit dhe fëmijët duhet të flasim për të gjitha llojet e marrdhënieve, por nuk më duket se përralla është forma e duhur. Përralla ka të tjera funksione, dhe jo ta fusë në këto dilema fëmijën”, – shpjegon Toçe për Citizens Channel.

Përktheysi Agim Baçi, mendon se e vetmja mënyrë për të shmangur këto gabime është rritja e filtrave. “Së pari një tekst jo vetëm duhet të ketë fabulën por edhe t’i nxisë fëmijët të mendojë shëndetshëm. Së dyti librat jashtëshkollorë që sugjerohen nga mësuesit duhet të kalojnë edhe në filtrin e psikologut, siç janë përvojat më të mira botërore dhe e treta unë mendoj që përveç përrallave më të mira botërore fëmijët duhen orientuar edhe nga përrrallat e motshme shqiptare. Së fundi, duke qenë se jo të gjithë prindërit kanë mundësi të shohin një tekst apo edhe nëse e shohin nuk e kanë aftësinë analitike të mirë, është detyrë e ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, që së bashku me psikologët e sociologët që studiojnë shëndetin mendor të fëmijëve, të sugjerojnë dhe të orientojnë leximin. Përvoja e deritanishme ka treguar se në fakt libri tek ne ka qenë i orientuar më shumë nga tregu se sa nga cilësia. Ne kemi nevojë urgjente të kuptojmë se fëmijët kanë nevojë për një orientim të shëndetshëm nga ana mendore, nga ana e traditës sepse duhet njëkohësisht t’i edukojmë edhe si qytetarë të këtij vendi, por edhe si qytetarë të botës”, – përfundon Agim Baçi.

Autor: Citizens Channel

*Linku ku gjendet përralla origjinale “The Princess in Disguise” http://pinkmonkey.com/dl/library1/story123.pdf

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *