Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shqipëria pa laboratorë me standarte dhe gjurmueshmëri të produkteve

Shqipërisë i duhen vite, që të arrije standartet e sigurisë ushqimore të kërkuara nga Bashkimi Europian. Ndonëse vëmendjen kryesore e marrin kapitujt, që lidhen me reformën në drejtësi apo luftën kundër krimit e korrupsionit, mungesa e sigurisë ushqimore duket se do të jetë, ndër sfidat kryesore në procesin e integrimit të Shqipërisë.

Mungesa e laboratorëve të akredituar si dhe mosfunksionimi i sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve, mbajnë peng zhvillimin në këtë sektor.

Në të gjithë vendin operojnë rreth 350 000 ferma, ndërsa numri i veterinerëve, që i mbulojnë me shërbim, ka arritur në nivelin më të ulët historik, vetëm 157, pa llogaritur që edhe mosha mesatare e një specialisti veterinar është në prag pensioni. Konkretisht një veterineri i duhet të mbulojë me shërbim mbi 2200 ferma me një shtrirje të madhe gjeografike nga veriu në jug të vendit.

Edi Ferro, Drejtor i Shërbimeve Veterinare, pranë Ministrisë se Bujqësisë, thotë se është fat që prodhimi blegtoral është ende i paindustrializuar, por i fokusuar në kullotë. Madje Ferro jep garaci se mishi i të imtave dhe gjedhit të prodhuar në vend, është i një cilësie të lartë. Por pavarësisht optimizmit zyrtar, vendi ynë prej 27 vjetësh e ka të bllokuar eksportin e mishit si dhe produkteve të tjera me origjinë shtazore, në Bashkimin Europian.

Edi Ferro, Drejtor i Shërbimeve Veterinare pranë Ministrisë se Bujqësisë

Pas shumë përpjekjesh, u bë i mundur eksporti i lëkurëve të kafshëve dhe vezëve të klasit B, ndërsa së fundmi vetëm Ukraina ka çelur dritën jeshile për të importuar mish dhe bulmet nga Shqipëria. Bllokimi i eksportit, që përllogaritet se sjell një humbje prej afro 100 milion euro në vit për fermerët, ka vetëm një arsye, mungesën e sigurisë.

Në shtator një ekip auditimi nga Brukseli, do të kryejë një monitorim të të gjithë sistemit të shpërndarjes dhe atij të laboratorëve. Ferro beson se brenda dy viteve të ardhshme, Shqipëria do të mund të eksportojë mish dhe bulmet me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Europian. “Nga 1.5 miliard euro kapital blegtoral, kemi kapacitete që të arrijmë në 12 miliard euro”, – thotë ai për Citizens Channel.  

“Nga toka në tryezë”, sistemi i gjurmueshmërisë

Kapitulli 12, që mbulon sigurinë ushqimore, ka në thelb vendosjen e sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve, thënë ndryshe, ushqim i sigurtë nga ferma në tryezë. Si koncept, gjurmueshmëria përcaktohet në direktivën 2002/178/EC të Këshillit të Parlamentit Evropian. Aty jepen specifikimet dhe detyrimet ligjore që ka çdo biznes, i cili prodhon produkte ushqimore apo sjell lëndë të parë në vendet e Unionit. Sistemi i gjurmueshmërisë së ushqimit regjistron informacionin e nevojshëm, duke përfshirë të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, ruatjes dhe shitjes së një produkti.

Ersida Teliti, drejtore e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, thotë për Citizens Channel se vendosja e sistemit të gjurmueshmërisë do të ishte një garanci e madhe për konsumatorët.

“Një sistem i ngritur sipas standarteve, ndihmon konsumatorin të blejë ushqime të sigurta dhe që u dihet prejardhja. Sistemi i gjurmueshmërisë bën të mundur, menaxhimin e rreziqeve, garantimin e origjinalitetit të produktit dhe sigurimin e informacionit të besueshëm për klientët në lidhje me produktin që po konsumojnë.”

Unifikimi i shërbimit veterinar

Përgjegjësia për sektorin blegtoral në vend, ndahet mes Ministrisë së Bujqësisë dhe drejtorive rajonale pranë njësive vendore. Projektligji për shërbimin veterinar, synon centralizimin e këtij shërbimi pranë Ministrisë së Bujqësisë, duke ua hequr kompetencat njësive vendore. Edhe specialistë të sektorit shprehen se me sistemin veterinar të copëzuar, është e pamundur të arrihet regjistrimi dhe gjurmueshmëria në blegtori.

Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar sugjeron se për realizimin në masën 100% të matrikullimit të bagëtive, është e nevojshme të aplikohen skemat e subvencioneve ndaj fermerëve.

Drafti për shërbimin veterinar, parashikon gjithashtu edhe forcim të rregullave të importit të medikameteve të kafshëve. Ndryshe nga barnat për njerëzit, për kafshët nuk do të lejohet importi i medikamenteve, nëse nuk janë të çertifikuara në vendet e Bashkimit Europian.

“Deri tani pjesa me e madhe e barnave për kafshët, është importuar nga vende si Kina apo Paraguaji, duke vënë në pikëpyetje cilësinë e produkteve veterinare, mbi të gjitha përqindjen e mbetjeve të medikamenteve në mish, e njohur si karenca. Politikat fiskale te qeverive në 20 vite, kanë qënë në favor të importuesve e falsifikatorëve dhe jo të prodhimit vendas. Këtë e tregon fakti se TVSH-ja e medikamenteve veterinare është 0, ndërsa paradoksalisht e punës veterinare është 20%”, – thotë për Citizens Channel, Edi Ferro.

Fermë lopësh

Standarti i laboratorëve shqiptarë

 Prodhimi bujqësor e blegtoral, agropërpunimi, sistemet e përpunimit e shpërndarjes së produkteve ushqimore sipas ekspertëve megjithë përpjekjet e bëra, janë ende larg standarteve të Bashkimit Europian.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, institucioni përgjegjës për mbikqyrjen e sigurisë ushqimore në vend, nuk ka laboratorë të akredituar sipas standarteve europiane. Nga institucionet publike, vetëm laboratori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) ka arritur një standart të përgjithshëm “ISO 17028”, por për shkak të mungesës së metodave analitike, arrin të kryejë një numër të reduktuar analizash.

Eksperti për çështjet e sigurisë ushqimore, Ilir Pilku, rikthen në vemëndje faktin se institucionet përgjegjëse nuk mund të kryenin analizën mbi vjetërsinë e mishit të importuar nga Brazili, apo nëse ishte brenda parametrave të lejuar për konsum.

Pilku thotë për Citizens Channel se laboratori duhet të çertifikohet për të gjitha metodat analitike, “por ky është një proçes që përveçse kërkon kohë, ka një kosto të konsiderueshme, pasi për çdo metodë të akredituar duhet paguar një tarifë nga 5-10 mijë euro në vit”.

Sipas ekspertit vendit tonë i duhen të paktën 30-40 metoda, ndërkohë që aktualisht laboratori nuk disponon më shumë se tetë të tilla.  

Blerja e produkteve pa kimikate dhe antibiotikë, dilema e përditshme

Pedagogu i Bioteknologjisë pranë Universitetit Bujqësor, Kristaq Sini sugjeron të blejmë prodhime të stinës, madje nga mesi i sezonit të pjekjes. Por as ky truk përzgjedhjeje nuk ofron garancinë për të cilën kemi nevojë.

Prof.Dr. Sini, e vë theksin tek kryerja e një reformë të thellë të sigurisë ushqimore, pas asaj në drejtësi. Këtë të fundit, e sheh si pikënisje edhe të zgjidhjes së problemeve që lidhen me ushqimin, duke vënë para drejtësisë falsifikatorët por edhe zyrtarët përgjegjës, që neglizhojnë apo qëllimisht nuk kryejnë si duhet detyrën.

“Ne importojmë rreth 750 mijë ton ushqime. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të jetë kthyer ndonjë sasi mishi apo produktesh të tjera, të importuara në vendin tonë. Merret gjithmonë e mirëqënë fletë analiza që i shoqëron. Por nga analizat e kryera në laboratorin e Universitetit Bujqësor, ka rezultuar se në disa produkte mungojnë madje edhe mikro organizmat. Kjo ndodh vetëm kur në produkte shtohet sasi e madhe kimikatesh, me pasoja mjaft serioze për shëndetin”, – thotë ai për Citizens Channel.  

Teksa jetojmë në një vend pa laboratorë me standarte europiane dhe pa një sistem gjurmueshmërie të produkteve ushqimore, duket se edhe për shumë kohë, gjetja e prodhimeve pa pesticide dhe antibiotikë mbi normat e lejuara, do të jetë thjesht fat, ose e pamundur.

Autor: D.H / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *