Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ekspertët: Fëmijët bullistë po shfrytëzojnë ‘Balenën blu’ për të ngacmuar fëmijët e tjerë

Media vendase është dominuar ditët e fundit nga lajmet se “Balena blu” ka mbërritur edhe tek fëmijët shqiptarë.  Raportimi për 12-vjeçaren e Gjirokastrës apo katër fëmijët që u zbuluan gjatë një kungimi në Shkodër, kanë alarmuar më së shumti prindërit dhe adoleshentët e tjerë. Dhe në kulmin e kaosit të ngritur nga këto lajme, ka dhe nga ata profesionistë që besojnë krejt të kundërtën.

Një zë i fortë është edhe Mirgit Vataj, drejtor i ALO 116 – Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë. Në një intervistë për Citizens Channel, ai e komenton situatën në një tjetër këndvështrim.

Mirgit Vataj. Foto: Private

“Ajo që më ka bërë përshtypje dhe që për mua është kthyer në problem është fakti që nuk është trajtuar në mënyrë objektive natyra e lojës së ‘Balenës blu’ në Shqipëri. Nuk kemi raste të konfirmuara të fëmijëve të cilët janë kontaktuar nga të huaj, por raste të fëmijëve që janë kontaktuar nga bashkëmoshatarët e tyre. Çështja e bullizmit në shkollat shqiptare është një problem evident dhe ushtruesit e bullizmit e kanë përdorur lojën e Balenës blu për të dhunuar bashkëmoshatarët e tyre. Mbulimi mediatik i këtyre ditëve i lojës së Balenës blu më shumë është fokusuar tek hapat dhe rregullat e lojës duke i pasqyruar të gjitha ato, sesa ka trajtuar natyrën e këtij fenomeni në Shqipëri. Duke qenë se fëmijët dhe adoleshentët janë informuar gjerësisht për shkak të vëmendjes së madhe që ka pasur këto ditë kjo çështje, i kanë brendësuar të gjitha rregullat dhe kanë filluar t’i aplikojnë rregullat e kësaj loje ndaj viktimave të tyre me qëllim abuzmin e tyre. Kjo është natyra që ka marrë kjo lojë në realitetin e fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri.”

Në të njëjtën linjë qëndron edhe Artan Dashi, specialist në Sektorin e Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Policisë Qarku Tiranë. Edhe pse këto ditë ndjeshmëria e publikut rreth çështjes ka qenë e lartë, eksperti Dashi sqaron disa detaje për Citizens Channel. “Ajo çka unë mund t’ju them me siguri, është fakti se në Tiranë nuk ka as edhe një rast të vetëm të referuar pranë strukturave policore. Ndërkohë që në lidhje me rastet e denoncuara në Gjirokastër, Shkodër, Durrës, Fushë-Krujë po hetohet ende dhe për këtë nuk kam unë kompetencën për t’u përgjigjur. Më duhet ta pranoj se në lidhje me Balenën blu po spekulohet shumë përgjatë kohëve të fundit në vend”, thekson Artan Dashi.

Psikologe Orsjola Miha thotë për Citizens Channel se duhet treguar kujdes i madh prindëror në të gjithë këtë situatë. “Prindërit duhet të kërkojnë për shenja që lidhen me vështirësinë për të rënë dhe qendruar në gjumë, çrregullim të regjimit ushqimor, mungesë vemendjeje, tërheqje apo largim nga aktivitete që më parë i pëlqente, largim nga shoqëria apo ndryshim i shpeshtë i saj, etj. Shumë fëmijë sot kalojnë orë të tëra online në rrjete sociale apo lojëra elektronike të cilat, kur përdoren pa kufizime dëmtojnë rëndë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës. Jo rrallë edhe jetën.”

Balena blu është vetëm një prej lojërave të rrezikshme që cënon sigurinë e fëmijëve në internet. “Në eksperiencën tonë si shërbim ALO 116 fëmijët kalojnë shume kohë duke luajtur lojëra virtuale dhe ka një probabilitet të lartë që fëmijët të bien viktima të përdorimit të internetit në mënyre të pasigurt. Jane një sërë lojërash që të lejojnë që të komunikosh online me persona të panjohur dhe asnjëherë nuk dihet kush fshihet pas një kompjuteri. Personat të cilët kane qëllime të këqija ndaj fëmijëve janë manipulatorë shumë të aftë dhe në këtë mënyre fëmijët janë të rrezikuar jo vetëm nga ‘Balena blu’ por nga një sërë rreziqesh të tjera kur fëmijët përdorin internetin në mënyre të pasigurt”, informon drejtori Vataj.

Orsjola Miha. Foto: Private

Psikologia Miha thotë për Citizens Channel se prindërit nuk duhet të lejojnë fëmijët në moshë të vogël të përdorin internetin. “Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm që të mos e shohin internetin si mjet argëtimi por si mjet pune. Duke vënë re vështirësitë dhe problemet që të rinjtë shfaqin sot, përdorimi duhet të fillojë pas moshës 11-12 vjeç, me jo më shumë se 1-2 orë në ditë, i mbikqyrur dhe në orar jo të vonë.”

Këshilla për prindërit

“Në të gjithë këtë situatë kaotike unë do t’ju rekomandoja: ka shumë opsione dhe programe që të ofrohen për të monitoruar aktivitetin në internet të fëmijëve dhe faqet që aksesojnë fëmijët nëpërmjet kompjuterave dhe smartphoneve. Gjithashtu duhet të flasin me fëmijët dhe t’i udhëzojnë që në asnjë moment të mos hyjnë në komunikim me persona të panjohur, të ndajnë të dhënat personale me persona të panjohur si edhe në asnjë moment të mos pranojnë të bëjnë pjesë të listës së miqve të tyre në rrjetet sociale persona të panjohur. Kjo e minimizon rrezikun e abuzimit të femijeve ne internet. Ftoj të raportojnë çdo shqetësim pranë numrit 116 111-Linja e Këshillimit për Fëmijë, të shkarkojnë në celularin e tyre aplikacionin telefonik iSigurt dhe të raportojnë çdo çështje që ka të bëjë me sigurinë në internet të fëmijëve në platformën www.isigurt.al”, apelon Vataj.

“Prindërit duhet të ndërtojnë një marrëdhenie të qendrueshme besimi me femijën. Është shpesh e vështirë të mos alarmohen ndaj sjelljeve dhe kuriozitetit të fëmijës dhe në gjendje alarmi, padashje mbyllin rrugët e komunikimit efektiv me fëmijën. Prindërit duhet të ruajnë qetësinë dhe të gjejnë kohën t’i përgjigjen fëmijes, t’i shpjegojnë me durim arsyet e lejimit apo të moslejimit sipas rastit”, këshillon Miha.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *