Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti: Arsimi, që nga 2015 zero lekë për laboratorët e shkollave

Esmeralda Cuka që prej dy vitesh është gjimnaziste në një prej shkollave më me emër në Tiranë, atij “Sami Frashëri” dhe po aq vite ka që nuk ka parë një provëz me sy dhe jo më ta prekë.  Kjo pasi laboratorët e dikurshëm të biologjisë, kimisë apo fizikës janë harruar krejtësisht.

“Nuk bëhet fjalë që të bëjmë eksperimente. Një orë mësimi, është një klishe dhe varet shumë nga imagjinata e mësuesit kur na e shpjegon. Ne nuk është se shohim ndonjë gjë konkrete, apo bëjmë vetë ndonjë eksperiment. Në praktikë jemi zero të gjithë, mësojmë si robot vetëm në teori dhe të duke mësuar në mënyrë mekanike, asgjë nuk na zgjat më shumë se 24 orë dhe kështu krijojmë boshllëqe të mëdha në njohutitë që marrim”, – tregon për Citizens Channel, gjimnazistja e vitit të dytë të “Sami Frashërit”, e cila shton se gjithçka lidhet me një ekperiment e ka mësuar në 9-vjeçaren tek “Jeronim De Rada”.

Esmeralda Cuka. Foto: Private

Megjithëse vetëm një gjimnaziste në vitin e dytë, Esmeralda është ka dyshime nëse edhe mësuesit dinë t’i përdorin laboratoret. “Ky nuk është një problem që fillon me brezin tonë, por ka breza të tërë që janë bërë edhe mësues pa bërë asnjë orë laboratorë”, – na thotë Esmeralda Cuka, e cila është e bindur se nëse eksperimentet nuk do të ishin të “detyruar” t’i mësonin përmendësh, atëherë fizika apo kimia do të ishin shumë më interesante.

Ana Tula, maturante në gjimnazin “Çajupi” në Tiranë, dëshiron të nisë studimet e larta për Mjekësi. Ndonëse me rezultate shumë të mira, ajo ka një frikë: gjatë tre viteve të gjimnazit nuk ka zhvilluar asnjë orë laboratori në kimi apo biologji, dy lëndët bazë që i duhen për të ndjekur ëndërrën e mjekësisë. “Eksperimentet i shkruanim në një fletore, por vetë nuk kemi bërë asnjëherë. Në disa raste mësuesja sillte në klasë disa mjete bazë laboratorike, por ne nxënësit nuk i përdornim. Vetëm në rast kur mësuesja kërkonte ndonjë nxënës vullnetar që ta ndihmonte, atëherë kishim mundësi të preknim një mjet laboratorik”, – na shpjegon Ana, e cila tashmë pret me ankth përgjigjet e maturës shtetërore. Vështirësitë që krijohen nga mungesa e laboratorëve nëpër shkolla, pranohen edhe nga mësuesit.

Sipas një hulumtimi të Citizens Channel, situata duket e ngjashme në të gjithë gjimnazet e Tiranës: ka disa relike që kanë mbetur nga laboratorët e dikurshëm, sa për t’ua treguar nxënësve, por që nuk janë funksionalë. Ndërsa nëper rrethe as që bëhet fjalë për laboratorë fizike, kimie apo biologjie.

Ndonëse sipas teksteve shkollore, laboratorët janë një kusht për të zhvilluar orën e mësimit, prej vitesh kërkesa për laboratorë është kthyer në luks.

Ina Kasimati, mësuese e  Biologjisë pnë gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në Tiranë thotë se e ka shumë të vështirë t’ua  shpjegojë lëndën nxënësve të saj. Pjesa më e madhe e orëve të mësimit duhet  të zhvillohen në laboratorë, të cilët mungojnë. Si pasojë, nxënësit në vend që të mësojnë konkretisht se si formohet një tretësirë, në fakt e marrin me shënime në fletore.

“Ka nxënës që nuk kanë parë apo prekur asnjëherë një epruvetë me dorë, sepse laboratorët mungojnë plotësisht. Nuk është se nuk ka furnizime, pasi si grup mjetesh vijnë herë pas here, por ata mbahen të mbyllura në magazinë për dy arsye: e para nuk ka ambiente për të krijuar një sallë të veçantë laboratori dhe së dyti furnizimet vijnë në mënyrë të pjesshme dhe nuk mjaftojnë për të krijuar një laborator të mirëfilltë për të zhvilluar në të orët e mësimit”, – na shpjegon Ina, e cila jep mësim në këtë shkollë që prej vitit 1997-ë.

Ina Kasimati. Foto: Private

“Kur kam ardhur fillimisht në këtë shkollë laboratorët kanë ekzistuar deri në vitin 2000. Në atë kohë u bë një rikonstruksion i shkollës, dhe për shkak të fluksit të madh të nxënësve laboratori u mbyll dhe u kthye në klasë. dhe që atëherë ne jemi pa laboratorë”, – sqaron për Citizens Channel, Ina Kasimati.

Megjithëse në dokumentet strategjikë dhe në programet e kurrikulës së re Ministria e Arsimit e ka renditur si kusht për një mësimdhënie cilësore, pajisjen me laboratorë, në fakt mënyra se si i shpërndan fondet ministria e Arsimit dhe se si i përgjigjet qeveria kërkesave të saj tregojnë krejt të kundërtën.

Në vitin 2015, plot 91% e buxhetit të arsimit bazë shkoi për pagat e mësuesve, ndërsa më 2017 ata zënë 87.95% të shpenzimeve. Si pasojë paratë që mbeten për investime janë tejet modeste. Kështu për vitin 2017 shpenzimet kapitale të trupëzuara zënë vetëm 6.69% të buxhetit të arsimit bazë, ndërsa më 2019-ën rriten në masën e 9.22%. Paratë që mbeten shkojnë për “rritjen e cilësisë së mësimdhënies, trajnimin e mësuesve, pajisjen e shkollave me laborator shkencorë e IT, krijimi i bibliotekave dixhitale për kurrikulën e re” zënë një peshë shumë të vogël në strukturën e shpenzimeve të programit sipas produkteve.

Ndonëse MAS synon të sigurojë cilësi në standarde që krahasohen me vendet e BE-së, shpenzimet për laboratorë kimie, fizike, biologjie janë shumë të ulta dhe ka vite në të cilat nuk është shpenzuar dhe nuk planifikohet të shpenzojë fonde asnjë lek për këtë produkt. Ministria e Arsimit nuk ka shpenzuar fonde për laboratorë kimie, fizike, biologjie në vitin 2015 dhe gjithashtu ka planifikuar të mos shpenzojë për këtë produkt në vitin 2019. Ndërsa në periudhën 2016-2018 MAS planifikon të shpenzojë 0.19% të fondeve të programit laboratorë kimie, fizike, biologjie të pajisur dhe funksionalë.

“Për të përmbushur objektivat “Sigurimi i cilësisë i bazuar në standarde që krahasohen me vendet e BE-së” dhe “Përgatitja dhe zhvillimi profesional bashkëkohor i mësuesve dhe i drejtuesve” nevojitet që financimi për laboratoret shkencore, bibliotekat dhe kualifikimin e vazhduar të mësuesve të rriten. Niveli aktual i financimit për këto produkte është  jashtëzakonisht  i ulët”, – shpjegojnë ekspertët që kanë analizuar shpërndarjen e investimeve për vitet 2016-2019.

Si pasojë ata që dalin nga shkolla e mesme dhe shkojnë drejt universiteteve shkojnë me një mal magësish. Universitetet, që janë edhe porta hyrëse, janë të detyruar të presin studentë që nuk kanë parë asnjëherë ndonjë mjet laboratorik dhe as nuk kanë konceptet bazë. Të paktën kështu pohojnë përgjegjësit e tre departamenteve të kimisë, fizikës dhe biologjisë, pranë fakultetit të shkencave të Natyrës.

Për prof.dr Mirela Lika, shefe e departamentit të biologjisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ka studentë që nuk kanë prekur asnjëherë me dorë një pajisje laboratori.  “Studentët e vitit të pare (përfshi këtu edhe studentët e Mjekëisë) paraqesin shumë vështirësi përsa i përket anës praktike në laborator. Mangësitë janë shumë të mëdha, shumica e studentëve nuk kanë prekur dhe nuk dinë të punojnë në laborator, duke filluar që nga pajisjet më të thjeshta. Në shkollat publike nuk janë zhvilluar laboratore, dhe nëse kanë patur një mikroskop, thjesht është parë si pajisje, por nuk ka qenë funksionale”, – iu përgjigj Lika, interesimit të Citizens Channel për këtë çështje. Më tej ajo sqaron se vitet e fundit “është vënë re që studentët që vijnë nga shkollat e mesme jo publike, kanë njohuri për laboratorin dhe njohin disa teknika laboratorike”.

E njëjta situatë aspak optimiste është edhe me studentët që zgjedhin të studiojnë për Kimi. “Mangësitë janë aq të mëdha tek studentët e vitit të parë, aq sa ne na ndodh që të kemi studentë kimie që nuk kanë parë apo prekur kurrë me dorë një epruvetë. Nuk njohin enët dhe mjetet e punës në laborator; si pasojë nuk kanë fare shprehi praktike”, – na shpjegon shefja e departamentit të kimisë, prof. Kozeta Vaso. Të njëjtën situatë konstaton edhe stafi akademik i departamentit të Fizikës, në FSHN.

“Ka plot studentë të vitit të parë që nuk kanë parë jo laboratorë fizike, por dhe pajisje laboratorike të veçanta. Përgjithësisht ata kanë vështirësi të orientohen në laborator, kanë vështirësi në konceptimin e eksperimentit;  në realizimin e matjeve;  në përpunimin e të dhënave si dhe në interpretimin e rezultateve”, – na shpjegojnë pedagogët e departamentit të Fizikës. Pikërisht për të gjitha këto vështirësi që hasin me studentët e vitit të parë, përfaqësuesit e tre departamenteve në FSHN mendojnë se “është e domosdoshme, që çdo gjimnaz apo shkollë 9-vjeçare, të jetë i pajisur me këto laboratore, sepse puna praktike i bën studentët më të zhdërvjellshëm, më të pavarur dhe bëjnë që disa aspekte teorike të konceptohen më mirë”.

E ndërgjegjshme për hendekun e njohurive që ka krijuar nga mungesa e orëve laboratorike Ana ka “frikë” se kjo pjesë mund ta ndëshkojë në shkollë të lartë. “Këtë vit do të konkurroj për mjekësi dhe nëse do të kishim bërë orët laboratorike mendoj se njohuritë e mia do të ishin më të sigurta”, – pohon ajo.

Arsim i keqfinancuar

Më konkretisht, nëse analizojmë programin buxhetor afatmesëm 2017-2019 në fushën e Arsimit Parauniversitar vihet re se totali i shpenzimeve të buxhetit për arsimin në % të PBB ka tendencë rënie për të gjithë periudhën 2016-2019. Kështu  buxheti i MAS në vitin 2015 ishte shumë modest, vetëm 2.73% e PPB, por që me sa duket për qeverinë shqiptare janë shumë, ndaj në vitet pasardhëse qeveria parashikoi edhe më pak para për arsimin. buxheti modest tregon se ende kemi rrugë për të bërë në këtë drejtim.

Konkretisht, më 2016 totali i shpenzimeve publike për arsimin ishte rreth 2.54% e PBB-së dhe për vitin 2017 parashikohet 2.33% e PBB. Këto nivele janë shumë poshtë mesatares rajonale prej 4% dhe vendeve të zhvilluara të OCED dhe BE që destinojnë mbi 8% të shpenzimeve buxhetore për arsimin.

Fondet për arsmin. Burimi: Ministria e Financave

Fondet e pakta që i janë dhënë arsimit, kanë detyruar Bankën Botërore që t’i kërkojë qeverisë shqiptare që t’i rrisë ato. Pas vitit 2016, BB i sugjeron Shqipërisë se buxheti për arsimin duhet të ngrihet gradualisht nga rreth 3% të PBB-së në 4.0% të PBB-së, afër mesatares rajonale në 4.6% të PBB-së. Por deri atëherë duket se arsimi shqiptar do të vazhdojë të sigurojë vetëm pagat e mësuesve dhe shumë pak investime.

Nëse i referohemi nevojave për fonde të kërkuara nga MAS, në bazë të strategjisë së Arsimit parauniversitar, vihet re se tavanet e miratuara nga qeveria janë më të ulta se kërkesat e MAS për të gjithë periudhën 2016-2019. “Më 2016 ky hendek është 6.01%. Hendeku më i madh është në vitet 2017 dhe 2018 me respektivisht 12.44 dhe 10.61%. Në vitin 2019 hendeku ulet sipas planifikimit në 8.37%. Diferenca midis nevojave dhe fondeve të alokuara bëhet pengesë kryesisht për mos realizimin e një pjese të aktiviteve dhe targeteve të përcaktuara në planin e veprimit të strategjisë të arsimit parauniverstar”, konkludojnë ekspertët që kanë përgatitur raportin.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *