Studimi/Banorët e Gjirit të Vlorës ende të rrezikuar nga prania e lartë e mërkurit

Uzina e Sodës

Shëndeti i banorëve të Gjirit të Vlorës por edhe atyre që konusmojnë peshkun nga kjo zonë, vazhdojnë të jenë rrezik nga prania e lartë e mërkurit në ambjent. 

Përveç dëmve në shëndet, ndotja nga mërkuri ka pasoja edhe në ekonomi pasi sipas studimit ajo shkakton 2 milionë deri në 25 milionë lekë humbje në  potencialin e fitimit vetëm në një komunitet shqiptar. Në këtë përfundim dilet pas një një studimi të ndërkombëtar për ndikimin pranisë së mërkurit në ekonomitë e vendeve në zhvillim.

Studimi është publikuar në Gazetën e Manaxhimit Mjedisor. Ky është studimi i parë i vlerësuar shkencërisht për të vlerësuar humbjet ekonomike për shkak të dëmtimit të IQ prej ndotjes nga mërkuri në Shqipëri dhe në 14 vende të tjera.

Sipas këtij studimi nivelet e mërkurit në flokët e individëve të marrë në studim nga zona e Gjirit të Vlorës arrinin 14 pjesë për milion (ppm) në 2.06 ppm. Njëzet e shtatë për qind e pjesëmarrësve kishin nivele më të mëdha se sa standardi 0.58 ppm, që është doza e referencës mbi bazën e të dhënave të sugjeruara ku efektet e dëmshme të mërkurit vihen re dhe në nivele më të ulëta të ekspozimit.

Qendra EDEN kontribuoi në studimin ndërkombëtar me mbledhjen e mostrave të flokëve nga individë që jetojnë pranë Gjirit të Vlorës. Në këtë zonë gjendet një uzinë jo funksionale klor-alkalin dhe PVC (Uzina e Sodës), burim mërkuri i cilësuar në mënyrë të veçantë në Konventën e Minamatës të Mërkurit, e cila detyron qeveritë të ndërmarrin veprime për të zvogëluar dhe eliminuar ndotjen nga mërkuri, për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Uzina ka qenë funksionale në vitet 1967 deri në vitin 1992 duke përdorur teknologji bazuar në mërkur. Mbeturinat e fabrikës me përmbajtje mërkuri shkarkoheshin direkt në gjirin e Vlorës duke ndotur bregdetin. Gjiri i Vlorës është një zonë e rëndësishme peshkimi dhe peshku nga atje shpërndahet në qytete të tjera në të gjithë Shqipërinë. Uzina e cila nuk është funksionale aktualisht është një vend kontaminimi.

Ekspozimi ndaj mërkurit shkakton dëme në sisitemin nervor, në veshka dhe në sistemin kardiovaskular si dhe efektet më të ndjeshme janë gjatë zhvillimit të fetusit dhe fëmijërisë së hershme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mërkuri shkakton dëmtime neurologjike dhe ndikon në të menduarit njohës, kujtesë, vëmendje, gjuhë, në aftësitë motorike dhe vizuale hapësinore; duke ndikuar tek fëmijët të cilët janë të ekspozuar ndaj metil-mërkurit në mitër.

Ekspozimi i njeriut ndaj mërkurit ndodh kryesisht përmes konsumit të peshkut të kontaminuar. Orizi i ndotur dhe ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj avujve të mërkurit janë disa nga rrugët për ekspozim dhe dëmtime.

“Ky studim na jep vetëm një mostër të vogël të masës së dëmit që po ndodh në vende të ngjashme të tilla si në Shqipëri. Kostoja e lartë e ndotjes nga mërkuri duhet të nxisë marrjen e aksioneve dhe vendimeve për të adresuar ndotjen nga burime të ngjashme në të gjithë vendin “, thotë  Jonida Mamaj- Hafizi, Koordinatore Programi pranë Qendrës EDEN. “Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Minamatës për të parandaluar ndikimin në shëndetin e njerëzve si dhe humbjen në potencialin e fitimit në gjirin e Vlorës dhe të komuniteteve të tjera në vend.”

“Ndotja nga mërkuri  vjen me një çmim të madh”, thotë Joe DiGangi, PhD, këshilltar teknik dhe shkencor i IPEN, dhe bashkë-autor i studimit. “Kjo është arsyeja pse Konventa e Minamatës duhet të ratifikohet dhe të zbatohet plotësisht për të parandaluar impaktet tragjike në shëndet dhe humbjet në potencialin e fitimit në mijëra komunitete, si ato të përmendura në këtë studim. Mërkuri është një kërcënim serioz global për shëndetin e njeriut dhe ky studim tregon se ai gjithashtu imponon barrë shtesë në ekonomi. “

 Autor: Amarildo Topi

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: