Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fuqia e pafuqishme e rinisë shqiptare

Nga Dritan Sakuta

Ngado të hedhësh vështrimin apo të marrësh pjesë në ndonjë konference është po i njëjti slogan, “Zgjohu Rini”. Cila rini të zgjohet? Ajo që një brez më i madh e paragjykon duke e quajtur të papjekur dhe të paafte për të menduar? Ajo rini që dhe kur shpreh mendimin e vetë do të gjykohet nga çdo “i rritur” i cili mendon se është ekspert në çdo gjë? Apo të zgjohet rinia e cila pas çdo gjëje që bën cilësohet si huligane dhe e pagdhendur me doktrinat dhe burokracitë që ata “jo-rinia” është regjur?

Kulmi i këtyre thirrje arrin nga forumet rinore partiake të cilat fatmirësisht e dinë sesi shkruhet ai slogan por nëse një i ri jep mendimin e vet, ai rrezikon t’i përmbyset puna që mund të ketë bërë në atë forum. Më pas kemi brezin më të vjetër i cili është aq qesharak në këto thirrjet e veta sa janë të vetmit që nuk e kuptojnë mesa duket. Bëjnë thirrje për një zgjim i cili nëse ndodh supresohet menjëherë po nga ata vetë. Arsyeja? Rinia nuk është e mirë në burokraci. Rinia ka energji dhe vullnet që çdo brez tjetër do e kishte zili. Ka një forcë të brendshme për të bërë ndryshime.

Ama kjo rini është e rrezikshme. Këto forca nëse lihen të lira mund të sjellin ndryshime të cilat nuk do t’i leverdisnin askujt në këtë vend, duke filluar që nga presidenti i ri e deri tek ai furrxhiu poshtë shtëpisë që ndryshon çmimet sipas humorit të tij. Kjo rini është e rrezikshme sepse burokracia është ajo që paguan sot për sot.

Shumë mirë bëjnë që dalin dhe japin leksione delegatët e Bashkimit Evropian të rinjve shqiptarë. Por që të dalësh dhe të mbushesh një të ri me ideale, fillimisht duhet t’i kesh krijuar ambientin ku ai mund të vërë në përdorim këto ideale. Duhet të kesh krijuar infrastrukturën ku ai i ri të mos ndihet keq se ka aq shumë dëshira për të ndryshuar botën. Pjesa e trishtë e kësaj është se mbështetësit më të mëdhenj të lëvizjeve populiste në Evropë, duket se janë të rinjtë.

Të rinjtë të cilët janë mbushur plot e për plot duke u përballur me burokracitë. Të rinjtë që hasin veç pengesa në të gjitha fushat që kërkojnë të përparojnë duke filluar nga punësimi e deri tek politika. Ndaj e “dashur” Evropë, ato çka predikon në vendet aspiruese për tu bërë anëtare, të kesh mirësinë t’i kesh të zhvilluara brenda teje pikësëpari.

Në vitet 1990, rinia shqiptare bëri një revolucion të vogël që rrezoi një sistem të kalbur. Në vitin 2015 rinia qëlloi me vezë një kryeministër dhe në 2016 i hodhi në kokë një ministre salcë të kuqe. Këto u dënuan si akte barbare dhe shumë të rrezikshme. Pse? Sepse në to nuk kishte një mal me letra burokratike por kishte energji dhe pasion për të bërë një ndryshim. Një ndryshim i cili është i domosdoshëm për ketë vend pasi që të sjellësh një individ apo grup të reagojë në atë formë, “pilafi duhet të mos mbaje më ujë” thotë populli. Ja ku e keni një rini e cila vepron për të cilën duhet thënë se pak rendësi ka se kujt bindjeje i përkasin. Dënojeni siç keni bërë në çdo frymë ndryshimi që ka ardhur po nga kjo rini.

Mjaft kërkuat nga rinia të reagojë. Bëjini këto kërkesa kur t’i keni lënë hapësirën dhe të keni ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për të. Kërkojini të rrezojë dhe të ngrejë sisteme kur ajo të ketë një zë të vërtetë në arenë e jo duke i bërë presione për vende pune.

Kërkojini të sjellë ndryshime shoqërore, kur ju të pranoni atë çka kjo rini ka për të thënë. Lëreni të lulëzoj në diversitetin e vet dhe në mendimet për të cilat ajo do të jetë vetë përgjegjëse në të ardhmen. E më e rëndësishmja, mjaft e heshtet me çdo lloj mjeti këtë rini.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *