Hasimja: Vota e 25 qershorit? Mendoja se nuk ishim kaq rëndë si popull

Ermal Hasimja Citizens Chanel Zgjedhje 2017

Për politologun e njohur Ermal Hasimja më shumë se sa bojkot, vota e shqiptarëve në zgjedhjet e 25 qershorit është një mesazh se të gjitha forcat politike janë njësoj. Në një intervistë të shkurtër për Citizens Channel, politologu Hasimja, është krejt i ashpër kur thotë se shqiptarët më së shumti votuan për një vend pune, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e nxorrën në shitje votën dhe dallimin mes Rilindjes dhe Republikës së Re e bëri 50 mijë lekëshi. Duke analizuar çfarë presin nga Rama, përse dështoi PD-ja, Ermal Hasimja është i bindur se rezultati surprizues i LSI tregon se “sa rëndë jemi si popull”.

Citizens Channel: Si e lexoni ju votën e 25 qershorit të shqiptarëve?

Ermal Hasimja: Në mesjetë ka patur raste kur një femër përdhunohej, mbetej shtatzanë dhe më pas prej trysnisë së familjes, por edhe mendësisë së kohës, shpallej martesa me përdhunuesin. Kështu e lexoj këtë votë.

A i bojkotuan shqiptarët zgjedhjet?

Jo. Abstenimi është një mesazh se të gjithë janë njësoj, por nuk përbën akt rebelimi politik. Asnjë lider i papëlqyer në botë nuk ka dhënë ndonjëherë dorëheqjen për shkak të abstenimit. Abstenuesi pranon që rezultatin ta vendosin të tjerët. Për më tepër nga pikëpamja statistikore, po të heqësh ata që jetojnë jashtë pjesëmarrja është përsëri e lartë në krahasim me vendet e BE-së. Shqiptarët kanë votuar dhe qartazi në ruajtje të status quosë.

Për çfarë kanë votuar shqiptarët? Sipas jush çfarë presin nga Rama ata që votuan Partinë Socialiste?

Besoj se një pjesë kanë votuar për të ruajtur përfitimet që marrin prej sistemit: një vend pune për familjen, sidomos. Disa të tjerë kanë votuar me bindjen se është zgjidhja më e mirë, sepse nuk u bën përshtypje korrupsioni dhe vjedhja. Një pjesë më e vogël thjesht kanë shitur votën duke arritur në përfundimin se dallimi mes Rilindjes dhe Republikës së Re është ai 50 mijë lekëshi i votës.

Çfarë e penalizoi PD-në?

PD-ja nuk ka ndryshuar asgjë prej 2013. Nuk frymëzon, nuk pasqyron vlera të ndryshme nga PS-ja e LSI-ja. Në kushte të tilla zakonisht përparësinë e ka ai që ka në dorë shpërblimet që jep pushteti. Opozita e një qeverisjeje të korruptuar nuk mund të konkurrojë me të njëjtën mendësi si ajo e atij që ka pushtetin. Kur luan në fushën e tjetrit me të njëjtën strategji dhe ekip, do të humbësh.

Megjithese LSI ka një rritje me mandate, pse konsiderohen të humbura për të këto zgjedhje?

Unë mendoj se LSI-ja është fituese, brenda mundësive të veta. Rezultati i saj është i pabesueshëm. As unë si kritik i sinqertë e i hapur i votuesit shqiptar nuk ma merrte mendja që LSI-ja të merrte këtë numër mandatesh. Mendoja se nuk ishim kaq rëndë si popull.

Intervistoi: E.K / Citizens Channel

Leave a Reply

%d bloggers like this: