Goci: Ky sistem, në këto zgjedhje, ka humbur qytetarin e mesëm

Ervin Goci , Aksioni civil si pushtet i deleguar - Citizens Channel

Zgjedhjet parlamentare të para pak ditëve shënuan rreth 200 mijë vota më pak në shkallë vendi, krahasuar me zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

Pas procesit të votimit dhe atij të numërimit, Partia Demokratike mban numrin më të vogël të mandateve të marra ndonjëherë gjatë këtyre 27 viteve: 43 deputetë që do të ulen në Parlament. 

Analiza të këtyre ditëvë kanë arritur kryesisht në përfundimin se këto vota kanë rrjedhur nga e djathta, e cila që pas dorëheqjes së liderit historik Berisha është futur në një drejtim të ri. Lideri aktual Basha duket se ka nxitur shumë pakënaqësi në radhët e Partisë Demokratike, por veçanërisht tek votuesit besnikë të saj. 
 
Por ka pasur edhe opinione se votuesit e munguar të zgjedhjeve të 25 qershorit mund të jenë edhe nga Partia Socialiste që mban pushtetin që nga 2013-a. 

Për Ervin Gocin, pedagog i Shkencave të Komunikimit, gjithashtu një zë i fortë i shoqërisë civile në kauzat më të mëdha të saj, këto votime kanë qenë një bojkot. Në një prononcim dhënë për Citizens Channel, Goci ndalet tek elektorati gri.

“Bojkoti përvijohet në dy dimensione: Bojkot nga një elektorat i angazhuar ndaj partive për arsye konjukturale falë ndjesive dhe preferencave ndaj fraksioneve të caktuara, dhe së dyti nga bojkoti që vjen nga një elektorat gri, jo thjesht në kuptimin që ndryshojnë kahjen politike, por në kuptimin që ata angazhohen në zgjedhjet politike nëse ka ngjarje politike në kuptimin e ofrimit të një alternative të re politike në moral dhe program. Kjo sipas meje është shumë e qartë që nuk ndodhi.” 

Sipas tij ky sistem në këto zgjedhje ka humbur qytetarin e mesëm. “Bojkoti ka dimensionin e një distancimi nga i gjithë sistemi politik, që në pamje të parë të krijon idenë se ka demokraci për shkak se ka alternativa, po ndërkohë një pjesë e elektoratit, kryesisht qytetari i mesëm, ka kuptuar se nuk është gjëkundi në këtë sistem. Ky elektorat ka kuptuar se cilindo që të votojë, nuk bën ndryshim, sepse ky sistem prodhon një lloj politike – dikush abuzon më shumë, dikush më pak, thelbi mbetet. Mendimi im, është se sistemi e ka humbur përfundimisht këtë elektorat. Kjo në kuptimin e normativës politike mund të interpretohet si depresion politik, domethënë braktisja e politikës, por nga ana tjetër mund t`u shërbejë aktorëve politikë, atyre që dinë të dëgjojnë dhe kuptojnë, që të reformojnë sjelljen e tyre politike. Kush e do këtë elektorat, duhet të luftojë për ta ndryshuar thelbësisht sistemin.” 

“Këto zgjedhje, me këtë pjesëmarrje, japin këtë mesazh: rezultati ishte thjesht pasojë e pjesëmarrjes. Nuk ka asnjë ngjarje politike në këto zgjedhje, përveç bojkotit, që gjithsesi nuk është një ngjarje e normalitetit politik të një shoqërie demokratike, ku funksionojnë të gjitha mekanizmat e rregullimit të pushtetit”, përfundon Goci.

Leave a Reply

%d bloggers like this: