Akademiku Prof.Dr. Artan Fuga analizon posaçërisht për Citizens Channel situatën politike në vend, zgjedhjet e pak ditëve më parë, situatën në të cilën po kalon Partia Demokratike, mbulimin mediatik të këtyre zgjedhjeve dhe gjendjen e medias në përgjithësi. 

Citizens Channel: Zgjedhjet e fundit parlamentare 2017 patën një rënie të ndjeshme të numrit të votuesve, rreth 200 mijë votues më pak se zgjedhjet e fundit. Ishte ndëshkim për opoziten e hutuar, siç e keni quajtur, apo një zhgënjim nga qeverisja Rama? 

Artan Fuga: Mbi të gjitha është një mangësi dhe paqartësi statistikore. Nuk mund ta dish nëse ata që mungojnë nga zgjedhjet e mëparshme nuk kanë ardhur në votime sepse nuk besojnë tek to dhe te partitë politike, ishin të zënë me punët e tyre dhe nuk denjuan të vijnë në votime, janë të ikur më shumë në emigracion, apo edhe ndoshta kanë ndërruar jetë fare dhe nuk mund të votojnë.

Përse e them këtë? Sepse të gjitha janë të mundshme. Nga anketimet që kemi bërë brenda disa agjencive të specializuara, na rezulton se besueshmëria e popullatës tek deputetët dhe qeveria është më pak se 50 përqind e një vlere “kam besim të plotë”. Po ashtu, edhe rrotacioni politik nuk duket se u ka sjellë ndonjë gjë pozitive të dukshme njerëzve.

Mirëpo ka pasur edhe emigracion në rritje, i cili deri tani është i pamatshëm nga organet kompetente. Atyre nuk u lejohet të mos e dinë shkallën e emigracionit sepse ka gjurmë të valës të atyre në ikje në portat kufitare të vendit.

Pra, unë mendoj se infrastruktura e zgjedhjeve në Shqipëri është një “rrumpallë” e vërtetë, një kaos demografik, një amatorizëm statistikor, një rrëmujë që unë mendoj se është e qëllimshme.

KQZ duhej të pajiste zgjedhësit me karta zgjedhësi duke i dorëzuar shtëpi më shtëpi. Regjistrimi në listat e votimit duhet çekuar qysh në fund të vitit parardhës të datës së zgjedhjeve. Po ashtu, mund të merrej si masë që ata që kishin dalë nga kufiri për një periudhë më shumë se një vit dhe nuk ishin kthyer më duhej të konsideroheshin jovotues.

Kjo bëhet për të fshehur mospjesëmarrjen në votime. E mendoni se çfarë legjitimiteti ka një qeverisje që statistikisht nuk ka më shumë se 30 përqind të votuesve? Kjo është demokracia e pakicës. Eshtë një shumicë formale, sepse shumica e popullsisë është e papërfaqësuar atje.

A është bojkoti i votës zgjidhja e duhur?

Jo, sigurisht, por elektorati kur sheh se tre partitë politike kryesore janë edhe në opozitë me njëra-tjetrën, por edhe të treja përfaqësohen në një mënyrë ose në një tjetër në qeveri, çfarë pret të bëjë ai fshatari, bariu, shoferi, i papuni, pensionisti, gjimnazisti? Do të bojkotojë sepse mendon se të gjitha partitë në qeverisje janë. Cfarë do të bëjë njeriu i thjeshtë kur sheh se para fushatës opozita bën pakt me qeverinë? Edhe sikur qëllimet e paktit të jenë të mira, çasti i zgjedhur për ta bërë është i pagjetur për të justifikuar një garë elektorale. Ajo ishte një dhuratë që opozita i bëri qeverisë. Nuk e di përse.

Si e analizoni situatën në të cilën po kalon Partia Demokratike, “ngrirjen” e kreut të saj Basha dhe garën që është hapur për kryetarin e ri? Mendoni se opozita do ta rigjejë rrugën e saj?

Unë nuk mund të them se çfarë do të ndodhë pas pesë ose tetë vitesh. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë me opozitën. Nuk hedh dot fall! Por, di që reagimi i drejtuesve të opozitës është i tillë që të mbush me trishtim. Unë nuk jam anëtar i Partisë Demokratike, herë kam votuar për të e herë për të majtën, sipas rastit, por si qytetar interesohem që vendi të ketë opozitë. Pa opozitën vetë shteti është i mangët. Pra, një shtet normal, ka opozitë të fortë dhe që përkrahet nga opinioni publik, nga intelektualët. Në vendet skandinave më pëlqen fakti që vetë shteti subvencionon kryesisht vetëm mediat kritike ndaj qeverisë. Shteti dhe qeveria janë dy gjëra të ndryshme, qeveria dhe administrata janë dy gjëra të ndryshme, partitë politike dhe grupet e deputetëve që dalin prej tyre janë dy gjëra të ndryshme.  Pra? Ajo që më duket paradoksalisht e frikshme tek opozita është se nuk ka tashmë asnjë platformë politike. Po bëhen zgjedhjet për kryetarin e partisë ndërkohë që partia nuk di se çfarë propozon si platformë politike kandidatët për kryetar. Kjo mangësi, ky boshllëk, po e them, janë të frikshëm.

Cili është mendimi juaj per partitë e vogla si LIBRA, SFIDA që mbetën jashtë Parlamentit? 

Ishte herët për to të nxirrnin deputetë. Pak mundësira, pak përkrahje, aspak përfaqësim në numërimin e votës, etj. Nuk ishte ora e tyre. Janë vitet në vazhdim që do të tregojnë nëse ato do të zbehen, çka rreziku ekziston, apo do të forcohen, çka më duket e përpjetë e madhe.

I keni cilësuar absurde transmetimet live të numërimit të votave. Si e komentoni mbulimin mediatik të kësaj fushate?

Media që raportojnë nga studiot. Biseda në studio. Raportime nga korridoret e sallave të numërimit të votave. Beteja mediatike mes deklarimeve të politikanëve. Media si ndërmjetës betejash mes politikanësh. Ajo që mungoi ishte si gjithmonë investigimi, zëri i qytetarit, analiza e pavarur e gazetarit që përgatit informacionin. Si nuk pati një raportim për ndonjë që shiti a bleu votën! Mbi të gjitha, media duke raportuar deklarata inatçore ngre pa dashje tensionin në mënyrë artificiale dhe mund të bëhej shkak për prishjen e procesit zgjedhor këtu ose aty. Megjithatë më mirë me media sesa pa media.

Si profesor në Departamentin e Gazetarisë, si e shihni të ardhmen e studentëve tuaj? Po të të rinjve në përgjithësi, një përqindje e madhe e të cilëve duan të jetojnë jashtë vendit? 

Sipas statistikave të mia, ne formojmë së paku 10 përqind të studentëve që janë ekselentë, me dije, me formim profesional, me gjuhë të huaja, që punojnë ndoshta qysh në bankat e shkollës, ose edhe jo, pra aq sa iu duhen mediave. Pra, dobësitë e mediave vijnë jo nga gazetarët e rinj, por nga fakti që ata nuk janë të lirë aq sa duhet. Mbi ta rëndojnë presione të ndryshme. Problemi i mediave shqiptare është se profesionet e reja të industrisë së informacionit ende nuk po gjejnë vend në strukturat e burimeve njerëzore. Po ashtu, sipërmarrja shqiptare ende nuk po kupton se pa marketingun në ëeb që ne formojmë specialistë, nuk mund të çajë tregjet e sotme. Me një treg mediash të thërmuar, kompanitë mediatike nuk punësojnë. Po ashtu edhe mediat lokale janë pothuajse të brishta dhe me mangësi profesionale. Edhe ato nuk punësojnë. Agjencitë publike e kanë fare të pazhvilluar marrëdhënien me publikun ku mund të punësoheshin studentët që diplomohen te ne. Pra është një bllokim i tregut të punës sepse Shqipëria nuk po kalon funksionalisht në modelin e shoqërisë të ëeb-it që do të rinovonte modelet e profesioneve për brezat e rinj, sidomos për ata të diplomuar te ne.

Kjo duhet hapur, çarë. Duhet kuptuar se kultura, arti, shkenca, media, dija, sot bëjnë pjesë në industrinë e krijimit që në botë kontribuon në GDP-në e çdo kombi të maturuar dhe të emancipuar. Pa u integruar dija me prodhimin nëpërmjet një ligji dhe platforme të madhe kombëtare, rinia do të mbetet pa punë ose do t’i propozohen vende pune për telefonistë, këpucëfshirës, lopçarë, rregullues oxhaqesh, zanate të ndershme, por që sot janë paksa arkaike.

Shkolla vuan bllokimin e tregut nga politika dritëshkurtra, shkolla vetë është e burokratizuar, e ideologjizuar, jashtë orientimit pragmatik për të formuar njerëz me dije që nuk riprodhojnë krizën, por që i dalin zot zhvillimit të vendit të tyre.

Autor: El.El / Citizens Channel

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu