Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjanica, dikur mund të freskoheshe në ujrat e pastra, sot lumi më i ndotur në Shqipëri

“Gjanica ka qenë pastërtia e Fierit.” Kështu e nis rrëfimin për lumin që e ndan qytetin mes për mes plaku i urtë 82 vjeçar Llazar Petani. I menduar ai kthehet pas në kohë, në ca kohë të largëta për t’i kthyer përgjigje pyetjes: “Si e mbani mend ju Gjanicën?”. Ai tregon për Citizens Channel se e kujton lumin që përshkonte tej e tej qytetin të ishte i drejtë. Më pas ai mori trajtën e një harku.

Habitesh kur dëgjon nga goja e këtij të moshuari se banorët e zonës përreth Gjanicës pinin ujë nga uji i këtij lumi. “Gjyshja më ka treguar se në vitet ’20 të shekullit të kaluar njerëzit pinin ujë nga një burim që rridhte nga ky lum në një vend që quhej “Lëmi i Vajës” ose “Lëmi i kockës.”

Habitesh sepse nuk duhet që të jesh inxhinier ambienti që ta kuptosh që Gjanica është e ndotur dhe është ndotur ca si shumë. Tani as që mund të mendohet që të pihet uji i këtij lumi aq të ndotur. Pyetjes se sa i ndotur është lumi i Gjanicës, nuk di t’i përgjigjet askush në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit të Qarkut Fier.

Zyra e lejeve mjedisore dhe e VNM – ve (Vlerësimit të Ndikimit të Mjedisit) në këtë drejtori ka tre specialistë monitorues të VNM – ve, që të tre me profesion inxhinerë. Inxhinierja e mjedisit në këtë drejtori, Eriselda Beluli, thotë me të drejtë se nuk kanë me se t’i bëjnë analizat pasi nuk kanë aparatura. Kolegu i saj i zyrës, Dhimitraq Bitri të thotë se këto të fundit janë shumë të kushtueshme. Detyra e tyre është vetëm vëzhgimi i ngjyrës së ujit të këtij lumi dhe raportimi për ndonjë ndryshim të mundshëm të saj.

Aty të thonë se analizat për përcaktimin e nivelit të ndotjes bëhen nga Agjensia Kombëtare e Mjedisit në Tiranë. Këto analiza bëhen vetëm një herë në vit. Merren kampione në disa ura në hyrje dhe në dalje të Fierit. Mësohet se ndotësit më të mëdhenj të lumit Gjanica janë Uzina e Përpunimit të Naftës në Ballsh dhe Ofiçina e Patosit të cilat derdhin në lumë mbetjet e hidrokarbureve.

Edhe monitoruesja tjetër Valbona Gremi të thotë pothuajse të njëtat gjëra. Ajo saktëson se ata merren me monitorimin e parametrave fizik dhe kimik të ujit të Gjanicës, ndërsa përsa i përket ndotjes bakterologjike duhet pyetur tek DSHP – ja Fier. Valbona thotë se nuk ka të dhëna për ndotjen e viteve 2016 dhe 2017 këto të dhëna duhen marrë në Agjensinë Kombëtare të Mjedisit. Ndërsa e pyetur për vlerën e këtyre aparaturave ajo shtoi se nuk kishte asnjë shifër të saktë, edhe për këtë sërish, ajo sygjeron se duhet kërkuar informacion në Tiranë.

Kur në Gjanicë mund të laheshe dhe të kapje peshk…

Le të kthehemi edhe një herë tek thinjoshi ynë i cili pranoi të thotë diçka për Gjanicën dhe jo vetëm. Rrëfimi bëhet edhe më i këndshëm kur ai nis e flet për origjinën e familjes së tij. Ai tregon se stër-stërgjyshërit e tij janë të ardhur në Fier në fund të shekullit të XVIII –të, në vitin gati të harruar 1794. Ata kanë ikur nga fshati i tyre Motrolloz i Tepelenës vetëm e vetëm se Ali Pasha donte t’i konvertonte nga ortodoks në mysliman.

Ai të thotë diçka edhe për qendrën e Fierit. Ajo as që nuk mund të imagjinohet të ketë qenë në një prej vendeve që njohim ne sot. Qendra e Fierit në fillim të shekullit të kaluar e mbase edhe në shekullin e XIX –të ka qenë një han, a një bujtinë me emrin Hani i Bishanakës. Aty ndodhte gjithçka e rëndësishme për Fierin e asaj kohe.

Xha Llazi ashtu si edhe i pëlqen t’i thërrasin, kujton se kur ishin fëmijë por edhe në rininë e hershme dhe atë të vonë, ata laheshin dhe bënin plazh në Gjanicë. Dhe jo vetëm aty. Ai flet edhe për kënetën, e cila shtrihej në një reze prej një kilometër prej pothuajse vetëm disa metra nga shtëpitë e pakta në numër që ishin ndërtuar në kohë të ndryshme thuajse buzë Gjanicës.  Këneta, e cila u tha nga regjimi i Enver Hoxhës në vitin 1959, ishte burim i rëndësishëm biodiversiteti. Në të gjendeshin shumë lloje peshqish por në të binte në sy ngjala, aq sa edhe një vend që supozohej të ishte diku afër a kushedi ndoshta edhe në Mbrostar thirrej me emrin Vija e Ngjalës.

Në kujtimet e tij për lumin, Gjanica ishte një lum as shumë i thellë dhe as shumë i cekët.  Për të Gjanica ishte një lumë i qetë dhe jo i rrëmbyeshëm. Ai kujtohet të thotë se për herë të parë lumi ka dalë nga shtrati në vitin 1948, kur ai ishtë 12 vjeç. Ujërat e tij përmbytën të gjithë zonën për shkak të shirave të furishëm, dhe u shkaktuan mjaft dëme. Në këtë kohë u përmbytën dy lagje të Fierit, Sheqi dhe Lagja 1 Maji.

Për zonën ai të thotë se nuk ka qenë shumë e populluar, në të ndodheshin gjithë – gjithë 30 apo 40 shtëpi. Edhe Sheqi, emër i vendosur për një nga lagjet periferike të qytetit, nuk ka ekzistuar. Kjo zone ka qenë e zaptuar nga këneta.

Ai dëshmon edhe për heterogjenitetin e popullsisë së Fierit. Siç e thamë, edhe vetë stër- stërgjyshërit e tij qenë të ardhur po këta nuk qenë të vetmit. Shumica e banorëve të hershëm (sipas tij bëhej fjalë që nga shekulli i XV) ishin ardhacakë. Thuhet se ata kanë ardhur më së shumti nga Voskopoja, por gjithësesi arsyet e këtij minigrimi nuk dihen. Ndërsa dihet nga të gjithë se për shkak të genocidit serb nga fundi i gjysmës së parë të shekullit të kaluar buzë Gjanicës u vendosën edhe shumë familje kosovare.

Fati i Gjanicës duket se u vulos në vitet e fundit të shekullit të kaluar. Nën pretekstin e nxitjes së investimeve private dhe rritjes së punësimit ish qeveritë e kohës e mbyllën njërin sy dhe lejuan një bum ndërtimesh sidomos në njërën anë të Gjanicës, në anën e cila shihte nga rruga kryesore e qytetit. Ajo u zaptua me kalimin e kohës duke ndërtuar dyqane, shtëpi, pallate e madje edhe hotele luksoze.

Është për të ardhur keq që me kalimin e kohës u tjetërsuan kënde lojrash për fëmijë, terrene sportive që përdoreshin për të zhvilluar orët e fiskulturës nga disa shkolla të qytetit, madje edhe një fushë e tërë me plepa e cila ndodhej pranë vendit që sot njihet me emrin Sharra. Kjo lirishtë, qe një pronë shtetërore që njihej si shkollë e lirë ushtarake dhe në regjimin e kaluar përdorej për stërvitje ushtarake ose siç njihej nga etërit tanë si zbori i famshëm.

Këtë intervistë sa të shkurtër aq edhe të gjatë ai e mbyll me atë se si do të donte ai të ishte Gjanica. Plaku ka imagjinatë dhe kjo duket më së miri nga ato që ai thotë në fund të kësaj bisede. “Unë do të doja që Gjanica të mbulohej nga shteti dhe njerëzit të ecnin në të.”

A thua ka ende shpresë për Gjanicën? Edhe pse të gjitha qeveritë kanë folur për rehabilitimin e saj, në vite nuk është bërë asgjë. Së fundmi mësohet se bashkia e Fierit në bashkëpunim me një studio italiane ka hartuar një projekt për rehabilitimin e këtij lumi. Projekti parashikon prishjen e të gjitha ndërtimeve të ose ende të palegalizuara bonifikimin e tij dhe kthimin e të dy anëve të saj në lulishte me qëllim shtimin disi të sipërfaqve të gjelbërta aq të nevojshme për qytetin e Fierit.

Autor: Gëzim Hoxha / Fier

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *