Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ekspertët: AKU ka dështuar në misionin e saj për garantimin e sigurisë ushqimore

Ndërsa të gjithë janë vënë në kërkim të produkteve ushqimore sa më të sigurta, në tregun shqiptar duket se ky është një mision i pamundur. Për të kuptuar se në çfarë amullie lëviz siguria ushqimore në vendin tonë mjafton të përmendim faktin se Shqipëria eksporton nën markën “Bio”, vetëm 5 produkte, ndërsa nuk ka laboratorë që masin sasinë e pesticideve apo kimikateve të përdorura për të rritur një produkt bujqësor.

Produktet bujqësore natyrale, që eksporton Shqipëria numërohen me gishtat e njërës dorë. Sokol Stafa, që merret me çertifikimin e produkteve të rritura në mënyrë natyrale, pra pa asnjë pesticid apo kimikat, pohon se Shqipëria eksporton nën markën “BIO”, vetëm “kërpudha, bimët aromatike dhe spontane, vaj ulliri përfshi të gjithë zinxhirin e tij, erëza dhe gështenja, ndërkohë që patatja që eksportohej para disa kohësh tashmë është hequr nga lista e produkteve natyrale që prodhohen në Shqipëri”.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë që produktet e tjera nuk janë të mira apo të sigurta, por në vendin tonë AKU nuk ka as laboratorë, por as kapacitete për të garantuar shqiptarët për atë që hanë në tavolinë. Sa i përket frutave dhe perimeve që eksporton Shqipëria, ai na shpjegon se ato eksportohen si produkte konvencionale, që do të thotë se kanë përdorur pesticide dhe kimikate brenda standardeve të lejuara.

Në një pronocim për “Citizens Channel”, Sokol Stafa, pohon pa mëdyshje se “situata në tregun shqiptar është si mos më keq”. Duke qenë se në punën e përditshme merret jo vetëm me sigurinë ushqimore, por edhe me cilësinë e produkteve që hidhen në treg për konsum, ai rendit disa arsye se përse situata është kaq alarmante.

“Së pari, nëse një produkt prodhuar në Shqipëri duam ta analizojmë për mbetjet e lejuara të pesticideve, ne nuk mund ta bëjmë dot sepse nuk ka laboratorë”, na shpjegon Sokol Stafa, Drejtor i ALBINSPEKT, e cila aktualisht është e vetmja trupë shqiptare çertifikimi e akredituar, që bën pjesë edhe në listën e Bashkimit Evropian të trupave të inspektim apo certifikimit të cilësisë ushqimore.

“E thënë më qartë, nëse unë sot dua të analizoj një produkt për çështje të mbetjeve kimike, që është alfa e sigurisë ushqimore, mua më duhet ta dërgoj jashtë Shqipërisë, personalisht i dërgoj në Zvicër dhe Itali. Kjo do të thotë që rriten kostot. 250 euro për çdo analizë të çdo produkti, imagjino sa produkte janë që analizohen dhe e gjithë kjo vlerë largohet nga vendi pasi shteti ynë nuk ka kapacitet t’i ndërtuar këto brenda. Së dyti, edhe nëse ka disa tipe analizash që mund të bëhen brenda vendit, mund të ketë kite apo pajisje, nuk ka kapacitete, sepse ndryshojnë vazhdimisht për shkak të rotacionit politik. Por edhe në ata raste kur mund të bëhen disa tipe anlizash, laboratorët tanë nuk janë të akredituar nga institucione që njihen edhe në BE, ndërkohë që ne operojmë në tregjet e BE- së”, na thotë Stafa.

Sokol Stafa, Drejtor i Albinspekt. Foto: Private

Tregu shqiptar larg standarteve evropiane

Sa i përket pyetjes 1 milionë dollarëshe për sigurinë e fruta perimeve që konsumojmë, ai shprehet se ajo që ndodh në tregun shqiptar, nuk ndodh në asnjë treg tjetër të vendeve të BE- së, ku edhe aspirojmë të integrohemi.

“Askush nuk e di se si janë. Ata mund të jenë shumë të mira, mund të jenë bio madje, por për sa kohë që nuk janë të kontrolluara, askush nuk e di se çfarë cilësie kanë. Nuk po them që nuk ka produkte të shëndetshme, por ne nuk e dimë. Edhe ata që futen në tregun shqiptar, edhe nëse janë të çertifikuara, humbasin. Një konsumator shqiptar  e ka shumë të vështirë të marrë një produkt të garantuar sepse nuk ka gjurmueshmërinë nuk ka identifikimin dhe kjo nuk ndodh në asnjë treg evropian”,  sqaron Stafa.

Edhe për Enriko Ceko, pedagog në universitetin Bujqësor të Tiranës, siguria ushqimore është inekzistente. Dhe sipas tij një pjesë të fajit e ka autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Sipas Ligjit “Për Ushqimin”,  subjektet prodhuese e tregtuese të ushqimeve të çdo lloj natyre duhet që të zbatojnë në praktikën e përditshme parimet e HACCP (Hazard Analysis & Critical Control Point – Analiza e Rriskut dhe Kontrolli i Pikave Kritike). Autoriteti përgjegjës për kontrollin e këtyre praktikave është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

“Në vend operojnë rreth 25.000 operatorë agrobiznesi dhe jane të regjistruar rreth 30.000 ferma. Nga ky total prej 55 mijë subjektesh, vetëm rreth 600-700 prej tyre janë të çertifikuar me HACCP. Por ka shumë raste kur subjekte prodhuese të ushqimeve apo ferma që janë çertifikuar me sukses, pas disa javesh apo muajsh e ulin tempin e punës dhe neglizhojnë parimet e HACCP, dhe sigurisht që pjesa më e madhe e fajit është e AKU”, na thotë Ceko, i cili sqaron se vendi ynë duhet të plotësojë standarde të tjera kur të futet në BE.

“Çertifikata HACCP nuk është më totalisht e vlefshme, sepse në vendet e BE-së aplikohet standardi ISO 22000, që është edhe një nga pengesat apo kushtet që i është vënë vendit tonë në rrugën e integrimit në BE”, na thotë ai. 

Enriko Ceko. Foto : Private

Sipas tij AKU ka dështuar në misionin e saj për garantimin e sigurisë ushqimore, mjafton të kujtojmë se është policia ajo që identifikon më së shumti rastet e ushqimeve jo cilësore. “Është e pafalshme që vetëm 10% e asgjësimit apo bllokimit të ushqimeve jo të përshtatshme bëhet nga AKU, pjesa tjetër është bllokuar nga policia e shtetit. Po ashtu cilësia e fruta-perimeve, është totalisht përgjegjësi e AKU, por në vendin tonë mungojnë strukturat e licensuara të tregjeve rurale. Që do të thotë se nuk ka asnjë kontroll të kësaj natyre ose ka një kontroll shumë të mangët dhe që nuk mbulon të tërë territorin e vendit. Nga ana tjetër, edhe pse punonjësit e AKU mund të shkojnë të ushtrojnë kontrollin sipas ligjit, ata janë të pa pajisur me mjetet e përshtatshme të punës. Për të bërë një analizë ushqimore në terren është shumë e vështirë dhe duhen pajisjet përkatëse të punës që çdo punonjës i AKU duhet t’i ketë me vete në një valixhe pune. Por edhe në laboratorët ushqimorë mungojnë reagentët kimikë dhe në vendin tone nuk është arritur deri më sot që të kryhen analizat për çështjet e kimikateve dhe hormoneve në ushqime e fruta-perime”, sqaron ai.

“Shqipëria nuk ka një politikë agrare dhe ushqimore të miratuar”

Edhe për Sokol Stafën, AKU ka një pjesë të madhe të fajit, e cila në vend që të garantojë sigurinë për konsumatorin shpeshherë dezinformon. Ai i referohet “luftës” me aflatoksinën që kanë bërë shpeshherë nëpër dogana produktet shqiptare. “Siguria ushqimore është një parametër që kontrollohet nga entet shtërore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimor në vendin tonë. Kemi dëgjuar autoritet tona që dalin e thonë që produktet tona janë të pastra, por çfarë analizash kanë bërë? Çfarë parametrash kanë matur? E kupton që është një lloj kakofonie me një konsumator të painformuar….mund të jetë parametra fizikë, pra që do të thotë se produkti ka ngjyrën e tij, ka formën e tij, ka aromën e tij… që sigurisht një produkt mund t’i ketë por kjo nuk e bën atë të sigurtë, ka parametra kimikë, ka parametra cilësorë, ka parametra të sheqerit….Kur një institucion flet duhet edhe të sqarojë se për çfarë je çertifikuar? Nëse një produkt sallam është çertifikuar në bazë të ISO 9001, nuk ka fare të bëjë me sigurinë, por në fund të ditës nëse t’i thua që ky është çerftifikuar në bazë të një ISO ke dezinformuar. Dhe kjo është detyra e autoriteteve që kur shprehen të jenë të qartë, të informojnë konsumatorin dhe madje informacionin duhet ta sjellë në atë formë që ai ta kuptojë qartë se për çfarë bëhet fjalë. Nuk mund të akuzosh konsumatorin se është i painformuar.”

Pedagogu Enriko Ceko, shprehet se Shqipëria nuk ka asnjë shanc të anëtarësohet në BE pa realizuar mbrojtjen e konsumatorit, ku përfshihet siguria, cilësia dhe garancia ushqimore, si një nga pesë rekomandimet e famshme që i janë lënë si detyrë. “Së pari, Shqipëria nuk ka një politikë agrare dhe ushqimore të miratuar dhe të plotë; së dyti, punonjësit e administratës publike që merren me çështjet e ushqimeve (kryesisht AKU) jane të paaftë, të paarsimuar dhe shpeshherë edhe të korruptuar; së treti, mungojnë strukturat përgjegjëse për zbatimin e ligjit; së katërti, mungon bashkëpunimi midis institucioneve publike që merren me çështjet e ushqimeve dhe mbrojtjes së legjislacionit. Pengesa e pestë është se mungon bashkëpunimi midis sektorit publik dhe atij privat për përmirësimin e gjendjes dhe së gjashti me konfigurimin e ri të pushtetit vendor, një pjesë e institucioneve që vareshin nga Ministria e Bujqësisë (Drejtoritë e Bujqësisë dhe Ushqimit nëpër rrethe, Qendrat e Transferimit të Teknologjise, etj) po e humbin rolin dhe funksionin e tyre. Dhe së fundmi shkolla e mesme dhe e lartë shqiptare e sektorit të bujqësisë dhe ushqimit nuk është më ajo e dikurshmja dhe cilësia e mësimdhënies në këto shkolla lë shumë për të dëshiruar, edhe pse ka sinjale të mira nga ana e Universitetit Bujqësor të Tiranës”, përfundon Ceko.

Për Sokol Stafën, çështja është më e komplikuar. Sipas tij AKU është vetë e paakreditaur, në një kohë kur ky duhet të ishte institucioni që diktonte edhe politikat e zhvillimit. “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka kapacitete në ekspertë e po ashtu duhet të ketë një procedurë të qartë dhe të akredituar. Ne po flasim për një AKU të paakredituar, që do të thotë se shërbimi që jep është i paakredituar, i paçertifikuar, i pakontrolluar, ndaj duhet të jetë një entitet tjetër që duhet ta monitorojë. Sepse AKU do do të dojë të dalë mirë dhe sigurisht që do të thotë se ka punuar mirë, se produktet janë të pastra, etj. Ndaj unë mendoj se drejtoria e Akreditimit Shqiptar duhet të monitorojë analizat, kontrollet dhe inspektimet e AKU. E po ashtu AKU duhet të rrisë imazhin e tij, dhe në aspektin e peshës duhet të jetë mbi ministrinë dhe madje të diktojë politika dhe plane veprimi”, përfundon Stafa.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *