Titujt e fundit

Haziz Bala, mësuesi që ruajti me armë laboratorin e kimisë

Mësues Haziza Bala në laboratorin e tij. Citizens Channel arsimi ne Shqiperi mungojne laboratoret Mësues Haziza Bala në laboratorin e tij.

Në qytetin e vogël të Klosit, por edhe në fshatrat përreth, Haziz Balën, të gjithë e njohin si “mësuesi i çmendur  i kimisë”. Që prej vitit vitit 1986, çdo orë mësimi në gjimnazin e këtij qyteti, ai e zhvillon në laboratorin e kimisë. Dhe më shumë si laboratori i shkollës, ai njihet si “laboratori i mësues Hazizit”.

Në një rrëfim për “Citizens Channel”, mësuesi model i kimisë, tregon se pasioni i tij nuk e la në baltë as gjatë 1997-ës, kur iu desh të flinte me armë brenda në laborator,  dhe nuk është dorëzuar as para “errësirës së politikave të arsimit” që e kanë braktisur krejtësisht prej vitesh.

Sot, ndonëse laboratori i tij nuk është aspak modern, por krejtësisht i amortizuar me epruveta të kohës së Kinës, ai ndihet krenarë se ka përmbushur misionin e tij: u ka dhëne dije në mënyrën më të mirë të mundshme, gjimnazistëve të qytezës së vogël të Klosit, në rrethin e Matit.

“Unë nuk jam një mësues i veçantë, – thotë modestisht Haziz Bala, – por pasionin e kam pasur të veçantë.”

Ndërsa në Tiranë bëhen politika të mëdha për laboratorë modernë e klasa digjitale, në shkollën e mesme të Klosit, nuk kanë mbërritur asnjëherë. E në këto kushte, i braktisur krejtësisht nga politika dhe në shumë raste edhe nga vetë shkolla ku ai punon, mësuesit pasionant Haziz Bala, i është dashur ta mbrojë me thonj laboratorin e tij.

Reforma i ka harruar

Mësues Hazizi na tregon se sot laboratori i kimisë ngjan më shumë me një relike, pa asnjë lek të dhënë që prej më shumë se dy dekada, me mjete dhe elementë të punës të amortizuara, por që sërish nuk e kanë demoralizuar mësuesin Bala. “Sigurisht që nxënësit nuk mund të bëjnë kushedi seçfarë në të, por disa eksperimente të thjeshta mund t’i bëjnë dhe sigurisht që kanë mësuar bazat e kimisë”, – na tregon Haziz Bala.

Mësues Haziza Bala në laboratorin e tij.

Mësues Haziza Bala në laboratorin e tij.

Ai ka nisur punë si mësues kimie në gjimnazin e Klosit në vitin 1982, dhe pikërisht në atë kohë erdhi i paketuar me kuti edhe laboratori. “Ishte parashikuar që të ndërtohej në katin e tretë, por me kërkesën time rikonstruktuam dhe përshtatëm një klasë në katin e parë dhe u bë funksionalë në vitin 1986 dhe që prej asaj kohe çdo orë kimie është zhvilluar në laborator.”

Më tej ai tregon se probleme me furnizimin kanë pasur që në vitet e para pas rënies së monizmit, ndërsa garanton se kimikatet që përdoren që janë ende të kohës së para 90-ës nuk janë të rrezikshme për nxënësit. “U bënë vite që dëgjoj për reformën në arsim, por tek ne nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk ka asnjë investim për të na dhënë qoftë një kompjuter, një video projektor, madje as për të blerë një litër alkool. Na kanë ardhur vetëm dy-tre tabela me të dhënat e elementëve, por nuk kemi pasur asnjëherë fonde as për një epruvetë të re dhe as për të blerë elementët kimikë që shërbejnë për të realizuar eksperimentet, pasi një pjesë e madhe janë harxhuar. Ato që kanë mbetur vërtetë janë vjetëruar, por nuk paraqesin rrezik”, – na thotë ai.

Me armë në mbrojtjte të laboratorit

Viti 1997-ë, ka qenë një vit i dhunshëm edhe në qytetin e Klosit. E mësuesit Bala iu desh ta mbronte me jetë, në plot kuptimin e fjalës, kabinetin e kimisë. “Ishte një vit ku presionet për të prishur gjithçka ishin të mëdha. Kam pasur kërcënime jo vetëm me fjalë por edhe me armë….Laboratori ka qenë pasioni im i jashëtzakonshëm dhe isha i vendosur që ta mbroja. M’i thyenin xhamat, më thyenin lavamanet, çezmat që janë brenda në kabinet….kanë qenë ditë të vështira. Kam arritur deri aty sa  edhe kam fjetur në laborator, por sigurisht nuk kam qenë vetëm. Kemi patur ndihmën e komunitetit të prindërve, ndihmën e disa drejtorëve, kam arritur ta ruaj me shoqërinë dhe të gjithë habiteshin se pëse duhet t’i mbanim akoma”, – rrëfen jo pa emocion  mësuesi Haziz Bala.

Por duket se i gjithë ky pasion për lëndën dhe nxënësit e tij i është shpërblyer në një farë mënyre. “Ajo që më ngushëllon dhe them se kam arritur të përmbush sadopok misionin tim dhe t’u shërbej me dije nxënësve të mi është se kudo që shkoj ka nxënës që sapo më njohin më respektojnë, madje aq shumë sa unë shpesh vihem në siklet. E pyetja që më bëjnë të gjithë, madje edhe ata që ishin disi më të lëvizshëm është: E ke akoma laboratorin e kimisë? Sigurisht që unë laboratorin do ta mbaj deri ditën e fundit që të jem në shkollë”, shprehet ai.

Sigurisht që për Haziz Balën ruajtja dhe mbajtja në gjendje pune e laboratorit ka qenë njësoj si të luftosh me mullinjtë e erës. E në shumë raste këta “mulinj ere” kanë qenë brenda shkollës. “Herë ka pasur drejtorë që më kanë kërkuar me këmbëngulje ta mbyll, me pretendimin se ai nuk është laborator profesional, se mjetet janë të kohës së Kinës, se elementët kimikë janë të rrezikshëm…por unë sërish e kam mbajtur. Sot them se jam një ndër rastet endemike të rralla në Shqipëri….por në një njëfarë mënyrë, të gjithë ma kanë vlerësuar punën se ndryshe do të më kishin degdisur kushedi se ku”, – pranon ai, duke shtuar se pikërisht këto lëvizje të shumta të mësuesve e kanë dëmtuar më së shumti shkollën tonë.  

Teksa është në fund të udhëtimit të karrierës së tij si mësues, pasi pas dy vitesh del në pension, laboratori mbetet pengu i tij më i madh. “Laboratori do të mbetet ose  në mëshirë të fatit ose në mëshirë të specialistëve. Po dërguan ndonjë që ka dëshirën dhe zellin për këtë profesion, atëherë edhe laboratori shpëtoi, por po ia lanë në dorë dikujt sa për të plotësuar orët, atëherë nuk do të ketë më as kabinet kimie. Zoti i ndihmoftë nxënësit”, – përfundon ai.

Autor: E.K / Citizens Channel

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: