Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Enti Rregullator i Ujit kundër rritjes së çmimit të ujit

Në kulmin e krizës të ujit të pijshëm që po përjeton Tirana, kryetari i bashkisë Erion Veliaj, ka bërë gati projektvendimin për shtrenjtimin me 30% të ujit të pijshëm. “Citizens Channel” disponon një raport të Entit Rregullator të Ujit, që është kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm, pasi qytetarët paguajnë nga xhepi edhe shumë kosto të tjera që i rrisin realisht shpenzimet nga xhepi me mbi 150-250% të tarifës së aplikuar.

Në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ditën e mërkurë do të diskutohet projekt-propozimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3. Një propozim ky që ka shkaktuar një fortunë reagimesh, jo vetëm sepse jemi në kulmin e një krize për ujin e pijshëm, por edhe sepse premtimi për ujë të rrjedhshëm 24 orë në ditë në rubinetat e shqiptarëve, deri më tani ka dështuar.

Enti Rregullator i Ujit

Në një analizë të detajuar që i ka bërë punës së ujësjellësve në të gjithë vendin përgjatë vitit 2016-ë, Enti Rregullator i Ujit, shprehet se rritja e faturës duhet parë me shumë kujdes. Sipas ekspertëve të entit, kjo pasi qytetarët kanë shumë kosto të tjera shtesë nga xhepi që nuk është e drejtë që nuk llogariten në faturë.

“ERRU gjatë përcaktimit të tarifave, mban parasysh që fatura për konsumatorët familjarë në zonën e shërbimit të operatorit, të mos kalojë 5% të të ardhurave të tyre mesatare. Referuar të dhënave nga INSTAT dhe studimit “Strategjia e Financimit të Sektorit të Ujësjellës Kanalizimeve, 2016″, është i mirënjohur fakti që fatura e ujit është akoma nën vlerën e përballueshmërisë (5% e të ardhurave për familje) edhe për familjet e kategorizuara si të varfra. Aktualisht vetëm qyteti i Korçës aplikon tarifa që janë pak nën nivelin e përballueshmërisë për kategorinë e mësipërme. Analiza e mësipërme nuk është e mjaftueshme për arritjen e konkluzioneve sa më të drejta në lidhje me përballueshmërinë. Në të nuk merren parasysh edhe kosto të tjera shtesë që konsumatorët janë të detyruar të paguajnë për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si blerja e depozitave dhe pompave individuale, shpenzimet e energjisë elektrike nga pompat, blerja e ujit për pirje me shishe etj. që i rrisin realisht këto kosto me mbi 150-250% të tarifës së aplikuar. Këto kosto në fakt duhen përfshirë në kostot e përballueshmërisë në mënyrë që të kemi vlera reale të tyre”, thonë specialistët e Entit Rregullator të Ujit që kanë përgatitur edhe raportin e performancës se ujësjellesve përgjatë periudhës janar – shtator 2016-të. 

Këshilltarët e djathtë kundër

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ka përdorur në fakt një argumentim populist për të justifikuar propozimin për rritjen e faturës së ujit të pijshëm për banorët e kryqytetit. Sipas Veliajt, po e rrisin çmimin për banorët e Tiranës për ta çuar në të njëjtin nivel me ata të Kamzës, ndërkohë që ka pranuar që me paratë e rritjes së faturimit do të investohet në rrjetin e Ujësellësit dhe pas 5 vitesh Tirana do të ketë ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Për këtë ai i referohet edhe rastit të Korçës, i cili është ndër të paktët që garanton ujë të pijshëm 24 orë në ditë.

Por këshilltarët e djathtë e kanë kundërshtuar hapur këtë vendim si një mashtrim të pastër që po u bëhet kryeqytetasve. Leonard Olli, kreu i këshilltarëve të djathtë në këshillin bashkiak të Tiranës, ndërsa na rendit arsyet se përse nuk do ta votojnë të mërkurën këtë draft propozim, na thotë se po kërkojnë vota edhe tek këshilltarët e tjerë në “qeverinë” e Tiranës për ta rrëzuar atë.

“Nuk jemi kundër këtij projektvendimi për arsye populiste, por është një veprim krejtësisht abuziv, i paargumentuar dhe shpërdorim i pastër detyre. Së pari: nuk mund të kërkohet të rrisësh faturën për një shërbim që nuk ofrohet, sepse banorët e Tiranës vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit nëpër shtëpitë e tyre. Së dyti: rritja e çmimit të ujit të pijshëm, është një vendimmarrje, që bazuar në ligjin për qeverisjen vendore duhet të kalojë në konsultim me qytetarët, gjë që nuk ka ndodhur. I mungon tranparenca dhe konsultimi. Nuk ka ardhur ende koha për të rritur faturën e ujit të pijshëm sepse jo vetëm që nuk ka shërbim, por uji i çezmave nuk pihet për shkak të depozitave. Ne mendojmë që është tejet abuzive t’u kërkosh qytetarëve të të parapaguajnë për një shërbim që do t’u ofrosh pas 5 vitesh. Është kjo arsyeja që jo vetëm ne këshilltarët e djathtë nuk do ta votojmë, por do të kërkojmë që votës sonë t’i bashkohen edhe këshiltarët e LSI-së dhe ata të PDIU-së në mënyrë që ky vendim të mos kalojë”- thotë Olli, për “Citizens Channel”.

Më tej ai, duke iu referuar po rastit të Korçës, që merr si ngjashmëri kryebashkiaku Veliaj, kreu i të djathtëve në këshillin bashkiak, Leonard Olli, thotë se duhet të ishte ndjekur një strategji tjetër.

“Le të marrë kredinë, të bisedojë me investirorët e huaj, ashtu siç ka ndodhur me rastet kur ata kanë investuar në Ujësjellësin e Korçës, Pogradecit apo edhe Durrësit që janë në proces, të ndërtojë skemën se si do të funksionojë, të fillojë të furnizojë 24 ujë me ujë të pijshëm, së paku Tiranën e vjetër, dhe pastaj të kërkojnë rritje të çmimit në mënyrë graduale. Kështu ka ndodhur së paku me Korçën, dhe që nga viti 2003-2004 kur Korça ka ujë të pijshëm në çezma, jo vetëm ujë të rrjedhshëm, siç ka aktualisht Tirana, tani e ka çmimin 65 lekë/m3, por kanë bërë një rritje graduale me 10% çdo vit ose një herë në dy vjet. Ndërkohë që tarifën fikse Korça e ka 100 lekë të reja në muaj, ndërsa në Tiranë është propozuar të dyfishohet në 200 lekë të reja në muaj. Erion Veliaj thotë që pas 5 vitesh do keni ujë të pijshëm 24 orë, por nëse ai nuk do të zgjidhet kryetar bashkie më 2019-ën dhe projekti i tij ngel në mes? Por nëse investimi dështon. Ndaj ne mendojmë se është absurde t’u kërkosh qytetarëve të parapaguajnë për një shërbim që do t’u ofrosh pas 5 vitesh”, përfundon Olli.

Por kundër propozimit për shtrenjtim të faturës së ujit të pijshëm ka dalë edhe ish deputeti Socialist Marko Bello. Me anë të një statusi publikuar gjatë ditës së sotme në rrjetin social facebook, ai thotë se zgjidhja është të futen në skemën e pagesës të gjithë ata që furnizohem me ujë të pijshëm dhe jo ndëshkimi i atyre që paguajnë.

“Rritja e çmimit të ujit me 40% reflekton një sëmundje të vjetër të pushtetarëve në Shqipëri. Në pamundësi të zgjerimit të bazës së konsumatorëve që duhet të paguajnë, preferohet t’u rritet çmimi atyre që janë pagues të rregullt të ujit. Ndërkohë që uji për pishinat që janë shtuar shumë kohët e fundit, lavazhet apo vaditjet në periferi të kryeqytetit nuk mungon. Vazhdon historia e këtyre 25 viteve kur i paligjshmi inkurajohet, ndërsa i ligjshmi penalizohet dhe goditet me rritje të taksave dhe çmimit të shërbimeve”, shkruan Marko Bello.

Autor: E.K / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *